TIRANE- Marrëdhëniet mes bashkisë së Kamzës dhe administratorëve të kompanisë së njohur “Gjoka Konsruksion”, janë acaruar kohët e fundit akoma dhe më tepër, për shkak se nga ana e bashkisë së drejtuar nga Xhelal Mziu, janë marrë veprime ekstreme, duke e penalizuar me gjoba dhe tatime të ndryshme. I kontaktuar në telefon adminsitratori i kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka ka pohuar për gazetën “Shqiptarja.com” se me bashkinë e Kamzës vazhdon në procese gjyqësore në Gjykatën e Tiranës dhe Gjykatën Administrative, si pasojë e vendosjes së gjobave financiare në mënyrë të pajustifikueshme.

Sipas biznesmenit Gjoka,gjobat janë të pamotivuara dhe të qëllimshme dhe se për kundërshtimin e tyre, ka bërë kallëzim penal dhe në prokurorinë e Tiranës. Më tej biznesmeni Gjoka sqaron se të gjitha këto veprime kanë qënë presione të vazhdueshme nga kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, për të cilin ka bërë në prokurori disa kallëzime penale. Rrok Gjoka, shprehet se kërkon vetëm drejtësi nga institucionet e shtetit dhe asnjë gjë më tepër. Që prej dy ditësh Xhelal Mziu po qëndron në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku është arrestuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pabarazisë në tendera”. Ndërkohë në kërkim është shpallur avokati i bashkisë së Kamzës Altis Hoti, i cili pritet që gjatë kësaj jave të vihet në prangat e policies.

Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)