Në parkun “Rinia” në zemër të kryeqytetit pritet të ndërtohet një kullë. Ndërtimi i ri i pagëzuar si “TIRANA FOUNTAIN PLAZA” pritet të zëvendësojë godinën aktuale të kompleksit “Tajavani” që është një pronë private.

“Bjarke Ingels Group” është shpallur fituesi i konkursit ndërkombëtar për projektin. Studio daneze u përzgjodh mes 5 studiove të njohura ndërkombëtare, të cilat prezantuan propozimet e tyre para një jurie ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama garantoi se ndërtimi do të zhvillohet brenda perimetrit të pronës private dhe nuk do të prekë hapësirën e gjelbër të Parkut Rinia.

“Është shumë e qartë edhe në perimetrin e përcaktuar nga konkursi që çfarëdo që do të vendoset dhe çfarëdo që do të zhvillohet, do të duhet të rivlerësojë dhe të ndikojë në rigjenerimin edhe të vetë parkut, pa prekur asgjë që aty natyra ka si prani, por duke shtuar”, tha Rama.

Rama e cilësoi projektin si një tjetër etapë të vizionit për Tiranën e vitit 2030.

“Ndërtimi i kullave është kaq kompleks, delikat dhe kaq shumë profesionistë të bërë bashkë, saqë duhet ta pranojmë se ne nuk kemi akoma kapacitetin dhe dijet”, tha Rama.

Në garë për “Tirana Fountain Plaza” ishin pesë studio ndërkombëtare nga Spanja, Danimarka dhe Franca, të cilat paraqitën vizionet e tyre për transformimin e hapësirës ku sot ndodhet kompleksi “Tajvani”.

Çfarë parashikon projekti i studios ‘Bjarke Ingels Group’

Projekti i prezantuar nga studioja daneze ‘Bjarke Ingels Group’ (BIG) bazohet në konceptin e një strukture të ngritur mbi  nivelin e tokës dhe e përshkruar si një “re” që kombinon hapësirat e banimit dhe të punës. Poshtë strukturës parashikohen hapësira publike, të cilat synojnë të krijojnë një lidhje të re mes Parkut Rinia dhe pjesës tjetër të qytetit.

Një pjesë e rëndësishme e konceptit është edhe ruajtja e ujit dhe e shatërvanit ekzistues, por me një trajtim të ndryshëm arkitektonik. Sipas propozimit të BIG, uji do të ngrihet në strukturën e re dhe më pas do të rikthehet në hapësirën e parkut në formën e një “shiu vere”. Studioja e sheh këtë ndërhyrje edhe si një mënyrë për të përmirësuar mikroklimën dhe për ta bërë hapësirën publike më të përdorshme gjatë periudhave të nxehta.

Lajm në përditësim…