Mbyllja e kritikëve dhe kundërshtarëve në institucione psikiatrike ka qenë prej kohësh metodë e përdorur nga qeveritë shtypëse në vendet e ish-bllokut sovjetik. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut dhe mjekëve, kjo trashëgimi e përdorimit ndëshkues të psikiatrisë po ringjallet në Bjellorusinë e sotme.

Të paktën 22 persona, të cilët grupet bjelloruse për të drejtat e njeriut i njohin si të burgosur politikë, raportohet se po u nënshtrohen trajtimit të detyrueshëm psikiatrik. Kjo masë mund t'i mbajë ata të izoluar për një kohë të pacaktuar, jashtë sistemit të zakonshëm të burgjeve të vendit.

Veprat për të cilat ata akuzohen përfshijnë fyerjen e zyrtarëve shtetërorë, përfshirjen në veprimtari që autoritetet i cilësojnë si ekstremiste, heqjen e flamujve shtetërorë dhe kryerjen e veprave të dyshuara të lidhura me terrorizmin.

Ndryshe nga dënimet e zakonshme me burg, trajtimi i detyrueshëm psikiatrik nuk ka ndonjë afat të përcaktuar përfundimi.

Personat që i nënshtrohen kësaj mase nuk mund të përfitojnë nga amnistitë apo faljet, siç mund të ndodhë me të burgosurit e tjerë.

"Këta njerëz ndodhen në një zonë kaq 'gri'. Madje, do të thosha në një zonë 'të zezë'", tha Vasyl Zavadski, ish-mjek burgu dhe psikiatër i specializuar.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se nuk njohin asnjë të burgosur politik që është liruar nga trajtimi i detyrueshëm psikiatrik që nga viti 2020.

Nga procedurat penale te izolimi psikiatrik

Një nga rastet më të njohura është ai i Maria Uspenskayas, e veja e Andrey Zeltsar, i cili u vra në një shkëmbim zjarri me oficerë të KGB-së në banesën e tij në Minsk, në shtator të vitit 2021.

Uspenskaya u arrestua po atë ditë dhe fillimisht u mbajt në qendrën e paraburgimit Akrestsina, përpara se të transferohej në burgun Valadarka.

Në dhjetor të vitit 2021, ajo qëndroi për tri javë në një institucion psikiatrik në kompleksin Navinki të Minskut, gjoja për t'iu nënshtruar një ekzaminimi. Ajo u akuzua për bashkëpunim në vrasjen e oficerit të KGB-së, Dzmitry Fedasyuk, ndërsa një gjykatë në Minsk urdhëroi që ajo t'i nënshtrohej trajtimit të detyrueshëm në një spital psikiatrik.

Nuk u përcaktua asnjë afat për përfundimin e trajtimit. Sipas Qendrës për të Drejtat e Njeriut Viasna, ajo po mbahet në Qendrën Republikane Shkencore dhe Praktike për Shëndetin Mendor në Minsk. Lirimi i saj varet nga vlerësimi i mjekëve se trajtimi nuk është më i nevojshëm, pasuar nga një procedurë ligjore.

Neli Alfyorava, artiste dhe shkrimtare nga Polatsku, u dërgua për trajtim të detyrueshëm pas një gjykimi me dyer të mbyllura në vitin 2024. Ajo kishte punuar si vëzhguese zgjedhore dhe kishte publikuar video në rrjetet sociale, përpara se të ndiqej penalisht gjoja për fyerjen e një zyrtari shtetëror.

Natallya Manyla u urdhërua t'i nënshtrohej trajtimit pasi u akuzua për lehtësimin e veprimtarisë ekstremiste. Para arrestimit, ajo kishte ndihmuar të burgosurit politikë.

Natallya Mikulich u dërgua në një institucion psikiatrik për shkak të akuzave që përfshinin fyerjen e një zyrtari shtetëror, nxitjen e armiqësisë shoqërore dhe shpifjen.

Asker Alakhverdziyev, 25 vjeç, u urdhërua t'i nënshtrohej trajtimit me mbikëqyrje të shtuar në vitin 2024, për shkak të dyshimeve se po përgatitej të merrte pjesë në veprimtari ushtarake.

Ivan Miksha, 21 vjeç, u dërgua për trajtim të detyrueshëm pasi hoqi flamujt shtetërorë të Bjellorusisë nga ndërtesat publike.

Danila Zharyn u urdhërua t'i nënshtrohej trajtimit me mbikëqyrje të shtuar, pasi u akuzua për një sulm terrorist ndaj një instituti të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Mahilyou.

Kush vendos për "trajtimin"?

Në Bjellorusi, kërkesa për një ekzaminim psikiatrik mund të bëhet nga një polic, hetues, prokuror ose gjyqtar. Vendimin përfundimtar për vendosjen e trajtimit të detyrueshëm e merr gjykata, tha Svyatlana Halaunyova, juriste në Qendrën për të Drejtat e Njeriut Viasna.

Ajo tha se personat e akuzuar për fyerjen e udhëheqësit autoritar të vendit, Aleksandr Lukashenko, apo të zyrtarëve të tjerë shtetërorë, dërgohen shpesh për ekzaminime psikiatrike.

Psikiatri bjellorus Syarhey Papou, i cili më parë ka ushtruar profesionin në Bjellorusi dhe tani punon në Finlandë, tha se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes autoritetit mjekësor dhe atij ligjor.

"Mjekët vetëm kryejnë ekzaminimin; ata nuk marrin vendime. Është gjykata ajo që vendos se çfarë do të ndodhë me personin", tha Papou për Radion Evropa e Lirë.

Ligji bjellorus kërkon që personat që i nënshtrohen trajtimit të detyrueshëm të kontrollohen nga mjekët të paktën një herë në gjashtë muaj. Nëse mjekët arrijnë në përfundimin se një pacient nuk ka më nevojë për trajtim, ata përgatisin raportin përkatës dhe ia dorëzojnë gjykatës.

Megjithatë, Papou tha se kjo procedurë është larg të qenit e qartë dhe se agjencitë e sigurisë mund të ndikojnë në vendimmarrje, edhe kur mjekët vlerësojnë se trajtimi nuk është më i nevojshëm.

"Si në burg, ndoshta edhe më keq"

Palina Sharenda-Panasyuk, ish-e burgosur politike, iu nënshtrua disa ekzaminimeve psikiatrike gjatë vuajtjes së dënimit në burgjet bjelloruse. Ajo vetë nuk u urdhërua t'i nënshtrohej trajtimit të detyrueshëm, por u dërgua për ekzaminime në kompleksin psikiatrik Navinki në Minsk.

Ajo përshkroi një institucion të sigurisë së lartë, të rrethuar me mure betoni dhe tela me gjemba, ku të burgosurit transportoheshin nga qendrat e paraburgimit të prangosur.

"Kushtet janë si në burg, ndoshta edhe më keq", tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ajo kujtoi se i jepnin rroba shumë të mëdha dhe se i kërkohej të ecte me duart pas shpine. Në ndërtesën ku kryheshin ekzaminimet, dhomat kishin nga katër shtretër hekuri, ndërsa mobiliet ishin të ngulitura në dysheme. Në tualet mund të shkonin vetëm katër herë në ditë, ndërsa dush mund të bënin vetëm një herë në javë.

"Refuzova kategorikisht të flisja me psikiatrit. U thashë se kjo ishte psikiatri ndëshkuese", tha Sharenda-Panasyuk.

Zavadski tha se nisma për dërgimin e të burgosurve politikë në trajtim të detyrueshëm psikiatrik vjen nga organet e zbatimit të ligjit dhe jo nga profesionistët e shëndetësisë.

"Kjo nuk është një nismë mjekësore për t'i dërguar ata në trajtim, por një nismë e njerëzve me uniformë: policëve, hetuesve, prokurorëve dhe oficerëve të KGB-së", tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Personat e urdhëruar t'i nënshtrohen trajtimit të detyrueshëm psikiatrik nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga të njëjtat mekanizma lirimi si të burgosurit e zakonshëm, tha Zavadski.

"Të burgosurit e zakonshëm, herët a vonë, lirohen pasi vuajnë dënimin, përmes amnistisë ose faljes. Por, si mund ta lirosh dikë nga trajtimi? Nuk ka asnjë mënyrë", tha ai./ REL