Më pak bagëti ka nëpër stalla, e gjithmonë më pak ushqime në tryezat e shqiptarëve nga prodhimi blegtoral vendas. Të dhënat e fundit tregojnë se tufat e bagëtive në Shqipëri po zvogëlohen çdo vit, me mijëra krerë më pak.
Numri i bagëtive ra në 2.1 milionë krerë në vitin 2025, ose rreth 83 mijë më pak se në 2024-ën. Sipas INSTAT ndikim në këtë rënie ka dhënë zvogëlimi i tufave të imta (dhi/dele), ndërsa numri i gjedhëve (lopëve) u rrit lehtë.
E nga ana tjetër ‘gotat e qumështit’ po mbushen me më pak prodhim vendas. Prodhimi i qumështit në Shqipëri po shënon rënie të pandërprerë, duke shënuar nivelin më të ulët të dekadës gjatë vitit 2025, kur u prodhuan vetëm 868 mijë tonë qumësht në total.
Ulja e prodhimit vendas i hap rrugë shtimit të importit, pasi sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave në 2025-ën u blenë nga jashtë 8,117 tonë qumësht kryesisht nga Serbia, Greqia, Sllovakia, Gjermania, Kosova dhe Hungaria.
Ndërsa prodhimi i mishit u rrit lehtë nga 130 mijë tonë në 2024-ën në 134 mijë tonë vjet, por përsëri ishte i pamjaftueshëm për të furnizuar të gjithë konsumatorët vendas, ndaj u importuan 45 mijë tonë mish nga jashtë.
Blegtoria njëjtë si edhe bujqësia është në krizë prej vitesh tashmë, për shkak të një sërë faktorëve por kryesisht prej emigrimit të banorëve nga zonat rurale drejt qytetit apo jashtë vendit.
Ndikim po ashtu ka dhënë mungesa e financimit të mjaftueshëm për të shtuar tufat, ndaj këtë vit qeveria vendosi që me skemën kombëtare të shtojë mbështetjen për blegtorinë më shumë sesa për bujqësinë.
Komente










Pini qumshte per greqis dhe serbis me kancer
Përgjigju