Rënia e vlerës së euros si dhe rritja e kostove të prodhimit janë ndër shqetësimet kryesore me të cilat po përballen bizneset prodhuese në të gjithë vendin.

Prodhuesit për eksport në qarkun e Shkodrës dëshmojnë se po punojnë në kufijtë e mbijetesës. Një pjesë e fabrikave e kanë ndërprerë aktivitetin, ndërsa të tjera kompani tashmë po e shikojnë si rrezik ekzistencën duke vënë në pikëpyetje dhe punësimin e qindra grave dhe vajzave që janë të punësuara në këtë sektor.

Shqetësimet, prodhuesit shkondranë i ndanë gjatë një takimi me shoqatën e Manifakturës Shqiptare.

“Për herë të parë pas 36 viteve, sektori i manifakturës së këpucëve del në vend të dytë. Ka qenë eksportuesi më i madh në Shqipëri, në disa vite të veçanta ka rritje të eksporteve. Hera e parë në muajin gusht që ne dalim në vend të dytë dhe mineralet e karburantet në të parin, një dramë e madhe për sektorin. Po të marrim shifrat, në 2022 ne numëronim 65 mijë të punësuar, ndërsa tani numri është reduktuar në 25 mijë”, tha kryetari i shoqatës, Florian Zekja.

Bizneset gjatë këtij takimi kërkuan kushte që do t’u mundësonin të kalonin drejt ciklit të plotë të prodhimit, nga sigurimi i lëndës së parë dhe aksesorëve deri te produkti përfundimtar “Made in Albania”. Në kuadër të lehtësive për të kaluar krizën më të cilën ata përballen u kërkua dhe rishikimi i tarifave doganore për materialet që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Europian.

“Të gjithë të ardhurat tona janë në valutë dhe shpenzimet në lekë. Zhvleftësimi i euros bën të ardhura shumë më të vogla në lekë”, thotë biznesmeni Edi Teli.

“Biznesi lëviz në vendet ku krahu i punës është më i lirë. Në momentin që bëhet afër atij të BE, shpërngulet. Ne kemi shpërngulur një pjesë të mirë të prodhimit të Uzbekistan”, thotë Gjergj Leqejza.

Shoqata e prodhuesve synon që shqetësimet e ngritura prej tyre të adresohen gjatë hartimit të politikave fiskale dhe ekonomike, me qëllim ekzistencën e kompanive prodhuese të cilat rrezikojnë të zhvendosen drejt vendeve ku krahu i punës është më i lirë.