Intervista juaj me Edi Ramën është shndërruar në temën kryesore të tavolinave të Tiranës. Gati gati mund të themi që nuk po pyet më njeri se cfarë u tha në takimin e Lalzit, por kush fitoi tek Opinioni Rama apo Fevziu?
Blendi Fevziu: Nuk besoj se ishte as ndeshje futbolli dhe aq më pak boksi. Dmth nuk bëhet fjalë për fitues dhe humbës. Ishte një intervistë e zakonshme që për arsye të mungesës së gjatë të Ramës në Opinion kishte më shumë vëmendje se sa zakonisht. Por në vetvete ishte një intervistë rutinë, gjë që u pa edhe nga spoti edhe nga gjithë vijimësia e saj.
Në facebook kishte kritika për ju Blendi të llojit: Pse Fevziu nuk e ka pyetur kështu Berishën, Metën?
Blendi Fevziu: Me sa duket ata që kanë bërë kritikat shohin vetëm Ramën dhe jo Berishën e Metën. P.sh. Intervista e fundit e Metës, ditën e pafajësisë së tij, në 15 Janar në mos gaboj, ka qenë shumë më agresive se sa ajo e Ramës. Intervista është në faqen e Opinion në web, shihet thjeshtë dhe këtë mund ta verifikojë kushdo. Ndaj Berishës po ashtu ka mjaft intervista me po kaq ritëm. Mund të kujtoj vetëm një, atë pas fitores së Bashës në Tiranë dhe akuzave të PS për përmbysje të rezultatit me gjykatë. Ka qenë në Qershor në mos gaboj. Shumë më agresive se sa kjo ndaj Ramës. Edhe kjo mund të kontrollohet në web. Ka pasur intervista po kaq agresive ndaj Jozefina Topallit apo Fatmir Mediut e Lulzim Bashës. Natyrisht, unë po flas për njerëz që ndjekin emisionet. Mund të jesh fans i Ramës dhe të mendosh që paanësi është ta lësh Ramën të flasë 10 minuta. Po ky është fjalim, jo intervistë!
Edhe vetë Rama reagoi me insertet e shumtë që nxirrnit nga arkivat e Klan? Në fakt pse nuk keni vepruar kështu edhe me intervistat e tjera? Ishte një hakmarrje personale apo profesionale? I bëtë pyetjet që do donit të ja kishit bërë në 5vjet?
Blendi Fevziu: Kjo është fare foshnjore. Cdo emision ka minimumi 3 sinkrone. Intervistat e momentit zakonisht s'rëndohen me inserte. Po kur dikush mungon 5 vjet dhe do të përballet me akuzat e kundërshtarëve ndaj tij, natyrisht që do përdoren inserte. Prap po ju jap një shembull. Në intervistën e Ramës u transmetuan 5 inserte. Në intervistën e Berishës më 22 Mars, 1 muaj e gjysëm më parë, ku ai foli për 20 vitet e tij në politike qenë, në mos gaboj 12 inserte. Përfshi deklarata e tij për paratë e pastra të shqiptarëve, piramidat etj.
Mendoni se është dëmtuar Opinioni nga ky bojkot? Në besueshmëri e kam fjalën!
Blendi Fevziu: Nuk di ta them sepse s'është se ka sondazhe për këtë. Di që nga bojkoti i një politikani, më shumë se një emision dëmtohet politikani vetë.
Pse e ndërprisnit aq shpesh liderin socialist gjatë fjalës së tij?
Blendi Fevziu: Për hir të ritmit të emisionit. Kur Rama ra dakort të vinte në emision, unë kërkova të shoh disa intervista të fundit të tij, për të kuptuar stilin e të folurit, teknikën e përgjigjes dhe batutat. Pashë 5 intervista në 3 emisione të ndryshme dhe afro 12 copa intervistash në you tube. Kur po shihja intervistat që më kishin hedhur në dvd, u tremba! Në një intervistë 2 orë e 21 minuta pashë që atij i ishin bërë vetëm 14 pyetje. Një prej përgjigjeve ishte e gjatë 15 minuta e 31 sekonda dhe kishte brenda 9 argumenta. Në një tabelë që bëjmë ne për këtë rast, kjo do të thotë jashtë cdo standarti profesional. E konsultova me Baton Haxhiun dhe ramë dakort që ta negocioja me Ramën. I thashë që unë nuk mund të lejoja përgjigje me të gjata se 3 minuta dhe për hir të së vërtetës ai e kuptoi dhe ra dakort. Vendosëm që pas shpinës sime dhe përballë Ramës të vendosej një kronometër me numra të mëdhenj që numeron mbrapsht dhe të fillonte nga 4 minuta. Kur kjo kohë mbaronte, shfaqej fraza: Koha juaj mbaroi. I shërbente Ramës për orientim dhe ndihmoi që emisioni të merrte ritëm. Ndryshe mund të kisha edhe unë përgjigje 15 minutëshe dhe kjo do të ishte katastrofë! Në fund, në 171 minuta transmetim unë kisha bërë 68 pyetje dhe afro 12 batuta. Ritëm i garantuar për një emision.
E keni parë intervistën në shtëpi pas transmetimit? Në fillim dukeshit i emocionuar, më pas qeshnit më shumë se zakonisht. Nuk ju kam parë të qeshni aq shumë në asnjë intervistë! Rama pinte ujë shpesh? Kush nga ju, kish më shumë emocione, mendon?
Blendi Fevziu: Zakonisht nuk i shoh intervistat më pas dhe as emisionet në përgjithësi. S'di që të kem pas emocion dhe besoj se intervista ka qenë plot batuta të dyanshme, dhe kjo tregon clirim. S'e di nëse dikush ka vënë re emocion. Edhe mundet?!
Rama nuk pa kurrë nga celulari i tij, ndërsa ju (ndoshta pakujdesi e regjizorit) u shfaqët shpesh duke parë nga celulari? Kush ju shkruante? Sandri? Berisha?
Blendi Fevziu: Jo, unë kisha një akord që mos ta mbaja celularin on. Ai që keni parë ju është kronometri që mbaj në tavolinë për të kontrolluar kohën e përgjigjes. Celularin e kam parë pas emisionit dhe meqenëse kishte shumë mesazhe, ju kam kthyer pergjigje pasi u ndava me Ramën, diku pas orës 1.30 të natës ose të nesërmen në mëngjes.
Thonë që e keni fikur telefonin në pjesën e dytë sepse ju vinin shumë mesazhe dhe kjo gjë ju stresoi? Ju kam parë deri në fund dhe nuk më duket të keni fikur telefonin, por mund të jemi të gabuar? E fikët apo jo telefonin?
Blendi Fevziu: Sapo jua thashë këtë gjë. Jo në pjesën e dytë, por që në fillim. Kam mbajtur on vetëm kronometrin.
Çfarë bisedonit me Ramën gjatë reklamave? Pati ndonjë batutë?
Blendi Fevziu: S'mbaj mend tani, po kryesisht shqetësimin nëse ishim në ritëm apo po bëhej e zgjatur intervista!
Pavarësisht të gjithave ju z Fevziu keni bërë një nga intervistat më të mira. Një intervistë e shpejtë, hard talk. A mendoni se do të duhet të praktikoni këtë stil edhe me liderë të tjerë të politikës shqiptare? Me Berishën p.sh?
Blendi Fevziu: Këtë lloj interviste më shumë se me këdo dhe fillimisht e kam praktikuar me Berishën, me Nanon dhe më pas me Ramën në fillimet e veta. Dy të parët janë mjeshtra të batutës dhe të shpejtësisë në përgjigje. Për fat të keq, këtë lloj interviste s'e bën dot me të gjithë.
A ju kish vënë Rama ndonjë kusht para intervistës? Kush negocioi për ardhjen e tij në Opinion?
Blendi Fevziu: Absolutisht asnjë të vetëm. I vetmi shqetësim qe problemi i kohës që e bisedova me të dhe ramë dakort për 4 minutëshin. Jo ndonjë gjë tjetër. Ah, edhe dicka. Ai kërkonte që kamera ta merrte nga e djathta e tij dhe për këtë kameramanët dolën në anën tjetër nga intervista standart. Problem që lidhet me raportin e tij me këndin e shikimit të kameras. Dhe e fundit ishte rënia dakort për temperaturën në studio. E la në dorën tonë dhe ne zbatuan standartin prej 19 gradësh të intervistave.
Pavarësisht bojkotit në Opinion keni qënë në kontakt të vazhdueshëm me Edi Ramën, si i menaxhoni marrëdhëniet personale me ato profesionale?
Blendi Fevziu: Fare normale.
Çfarë marrëdhënie keni patur me Edi Ramën në këto 5 vite?
Blendi Fevziu: Pa ndonjë kulm të vecantë. Jam parë për ndonjë kafe, ndonjë drekë, kam shkëmbyer ndonjë telefon ose mesazh. Kemi folur për librat dhe gjëra të këtij lloji. Marrëdhënie normale si me shumë politikanë të tjerë.
Çfarë ju ka thënë pse nuk vinte ai? Ishte një problem me ju apo me Tv Klan?
Blendi Fevziu: Ka thënë që kishte një problem me Klanin, por nuk e ka specifikuar këtë problem asnjëherë. Dhe unë s'kam insistuar sepse s'më dukej se kish një arsye reale. Ishte një kalkulim politik. Thjeshtë i kam përsëritur cdo fillim sezoni ftesën për të ardhur në Opinion. Kaq.
A është e vërtetë që gjatë kësaj kohë keni tentuar që të negocioni për të cuar Berishën në TCH dhe Rama të vinte në Klan?
Blendi Fevziu: Jo, asnjë herë. Rama kur më tha që do vinte në Opinion, shtoi se duhej që edhe Berisha të shkonte në Top Chanel, por ky s'është problem i imi. Dhe as i Klanit.
A harruat ta pyesnit Ramën për dicka? Dhe si e kuptuat përgjigjen e tij për Ilir Metën? I kish kërkuar apo jo ndjesë?
Blendi Fevziu: Më mbetën disa pyetje nga skeda që kisha përgatitur, por jo vecanërisht të rëndësishme. Asgjë që doja medoemos ta pyesja. Përgjigja për takimin me Metën m'u duk e qartë: Meta më ka ftuar për ta takuar dhe s'ndryshoj gjë nga kapitulli i Kurbanit për të. Për falje e të tjera, s'di të them. Por ishte konkret në këtë përgjigje që kërkonte shumë guxim nga ana e tij.
Ju e njihni Ramën. Dikur keni qenë miq. Mendoni se është tipi që ul kokën dhe kërkon falje?
Blendi Fevziu: E kam njohur mirë Ramën dhe besoj se më mirë njoh sjelljen e tij në TV, reagimin pas ngacmimeve dhe batutave. Këtu, kish mbetur, ose u rikthye ai i pari. S'e di si mund të jetë ai në raportet më private. Unë as kam pasur rast t'i kërkoj falje për gjë dhe as ai mua!
(mk/im/shqiptarja.com)