Edhe 2026-ta pritet të jetë e vështirë për të gjithë qytetarët që kërkojnë të blejnë shtëpi përmes një kredie bankare.

Në raportin e Bankës së Shqipërisë thuhet se viti 2025 është mbyllur me shtrëngim të kushteve që aplikojnë bankat për aprovimet e kredive për blerje banese, ndikuar edhe prej kufizimeve që janë vënë nga banka qendrore prej 1 korrikut 2025.

“Kufizimet uniforme të vendosura në korrik të vitit 2025 nga Banka e Shqipërisë mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së disbursuar dhe mbi raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave në kreditë e reja për pasuritë e paluajtshme, u raportuan po ashtu nga bankat si faktorë që vepruan në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Qytetarëve thotë Banka e Shqipërisë po ju kërkohet më shumë kolateral në mënyrë që të marrin kredi për blerje banese.

“Shtrëngimi i kushteve e termave të kreditimit u krye nëpërmjet kërkesave më të larta për kolateral në raport me kredinë e marrë me qëllim financimin e blerjes së banesave”, vijon më tej raporti.

Shkaku kryesor për këtë rritje të kërkesave nga bankat për dhënie të kredive janë tavanet e caktuara nga Banka e Shqipërisë. Prej 1 korrikut kur një qytetar kërkon kredi në lekë për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%.

Kufizimi tjetër është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa për kredinë e dytë etj, ulet në 35%.

Tavanet janë më të ulëta për kreditë në valutë, përkatësisht në 75% dhe 70% të vlerës së pronës në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë. Kurse këstet janë sa 35% e totalit të të ardhurave të individin për huanë e shtëpisë së parë, dhe 30% kur është kredi për të blerë një pronë të dytë apo më shumë.

Stoku i kredive për blerje banese sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë është 2 miliardë euro, ndërsa vetëm për 11 muajit e 2025-ës në total u dhanë 590 milionë euro hua të reja po për këtë qëllim.