TIRANE - Me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme, kryepolici i vendit ka firmosur një plan konkret operacional që ka startuar në orën 19.00 të së djeshmes. Operacioni, që është i shtrirë në disa rrethe problematike të vendit, ka për qëllim prangosjen e të gjithë personave që janë në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Po ashtu, pjesë e kësaj ‘gjuetie’ mësohet se do të bëhen edhe personat me armë pa leje, ndërsa bëhet me dije se mbështetës të operacioneve kryesisht në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Lezhë, si katër qarqet më problematike në vend, do të jenë forcat speciale të RENEA-s, FNSH-së dhe të GOS. Nëpër qarqe mësohet se në krye të operacioneve do të jenë vetë drejtuesit e policive, ndërkohë që të gjithë efektivët do të jenë në shërbime të përforcuara. Të dhënat tregojnë se operacioni nis me post-blloqe të mirorganizuara, ndërkohë që priten edhe arrestime në shkallë vendi. Deri dje në mesnatë janë arrestuar 4 të kërkuar, janë shoqëruar mbi 40 vetë dhe është ushtruar kontroll në 135 lokale.

Operacioni 
Skuadrat elitë të Policisë sonë, janë hedhur në një operacion blic orëve të mbrëmjes, operacion që ka nisur njëherësh në disa prej qyteteve më problematike në vend. Sigurisht që në krye të listës janë Tirana, Shkodra dhe Vlora, por që nuk mbeten pas as Durrësi me Lezhën. Plani i masave është konkret dhe do të nisë me kontrollin e mjeteve, banesave, lokaleve të zakonshme dhe atyre të natës.

Gjithashtu, theksohet se në operacionet për kontrollet e pikave ku policia mbart informacion, masat policore do të jenë të shumta në numër, ndërsa të parët në veprim do të jenë efektivët e RENEA-s. Të dhënat, nuk flasin për objekte konkrete që priten të vihen nën kontrollin policor, por mësohet se kryesisht qëllimi do të jetë kapja e elementëve kriminalë, emrat e disa prej të cilëve janë hedhur në letër dhe janë shpërndarë nëpër drejtori të ndryshme.

Të kërkuarit 
Referuar të dhënave të policisë mësohet se personat që janë të skeduar nga Policia, kryesisht për vjedhje, grabitje dhe trafik droge pritet të vihen në pranga. Lista me të kërkuarit, për të cilët është poseduar edhe informacioni kryesor për vendndodhjen e tyre, është kaluar tek drejtorët e policive në qarqe për të bërë të mundur edhe arrestimin e tyre.

Gjithashtu pritet që gjatë orëve të natës, lokalet e natës kryesisht në kryeqytet, do t’ju nënshtrohen kontrolleve të rrepta, për armë, prostitucion dhe drogë. Njëherësh, policia do të sjellë në pranga edhe personat që rezultojnë të kërkuar edhe për vjedhje të energjisë elektrike, të cilët iu kanë shmangur drejtësisë prej ditësh, që kur ka nisur operacioni. Ditën e sotme pritet të jepen edhe detajet e orëve të para të operacionit, detaje që pritet të dalin nga Policia e Shtetit.    


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 janar 2015

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)