LIBRAZHD- Në ditën e 5 të izolimit të juglindjes, ARRSH shembi sot urën e dëmtuar të Dragostunjës, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një rruge të re alternative buzë shtratit të lumit, në vendin e hekurudhës gjithashtu të shkatërruar. Nga gërryerjet e kompanive për zhavorr, lumi Shkumbin ishte afruar me rrugën, për pasojë do duhet që autoritetet ta zhvendosin në shtratin e vet, duke e devijuar rrjedhën aktuale. Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, garantoi se paralelisht me punimet për Korridorin e VIII, që autoritet theksojnë se nuk kanë ndikuar në shembjen e rrugës në Librazhd, do të bëjnë edhe prita në Shkumbin.
***
Prej 5 ditësh qarkullimi drejt juglindjes është i pamundur si pasojë e degradimit të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas. Sot u demontua dhe ura në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” për shkak të daljes jashtë funksioni.
Shkak për shembjen e rrugës është bërë erozioni i vazhdueshëm në zonë. Dyshohet se kjo mund të jetë pasojë e gërryerjeve masive që kompani private të pajisura me leje nga shteti kanë bërë në basenin e lumit të Shkumbinit për ndërtimin e segmentit të ri Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka marrë si vendim ndërtimin e një rruge provizore rreth 1.3 kilometra buzë Shkumbinit me qëllim zgjidhjen provizore të qarkullimit, por nuk ka një afat se kur do të hapet. Sakaq, ka nisur dhe devijimi i rrjedhës së lumit Shkumbin në pjesën ku është parashikuar për të kaluar rruga provizore.

Foto nga punimet për devijimin e rrjedhës së lumit Shkumbin
Rrëshqitjet e vazhdueshme të dherave jo vetëm që kanë dëmtuar aksin Librazhd-Prrenjas, por dhe segmentin e ri të Korridori VIII, i cili po ndërtohet paralel me aksin aktual, nga kompania ANK. Si pasojë e situatës së rëndë, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim kryesisht për disa vepra penale, mes tyre “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tenderë”, “Shkatërrim i rrugës” dhe “Ndotje e ajrit, ujit apo tokës”.
Çdo ditë mësuesë, infermierë, mjekë, në disa zona të juglindjes po përballen me vështirësinë për të arritur në punë për shkak të shembjes së rrugës Librazhd-Pogradec, e cila prej ditësh është e pakalueshme.
Me mjete të ndryshme ata mbërrijnë pak kilometra nga vendi ku ka ndodhur shembja. Detyrohen të ecin afro 30 minuta në këmbë, e nga zona e shembjes, siç shihet dhe në foto, me vështirësi duhet të kalojnë në krahun tjetër, nga ana e Pogradecit, ku i pret një mjet tjetër transporti që bën dhe dërgimin e tyre në vendet e punës. Të njejtat peripeci, janë të detyruar të kalojnë, dhe në kthim e me gjasë, ky do të jetë rituali i përditshëm, për një kohë të gjatë.

Foto e shkrepur në tetor 2025, shigjetat tregojë ku ka devijuar aksi sot dhe kamionët duke marrë inerte
Një foto e publikuar në tetor të vitit 2025 nga lumi Shkumbin në rrjedhën përgjatë Dragostunjës, shihet qartë distanca mes aksit rrugor tashmë të degraduar Librazhd-Prrenjas dhe lumit. Ndërkohë sot, nga rrëshqitjet masive, rruga ka përfunduar buzë lumit Shkumbin. Por cila ka qenë arsyeja që ka shkaktuar erozionin aktiv edhe sot në këtë zonë? Dyshohet se shkak janë bërë gërryerjet në basenin e lumit për marrjen e inerteve, pranë aksit Librazhd-Prrenjas.
Në foto shihen kamionë e fadroma duke zhvilluar këtë aktivitet që duhet leje nga shteti. Tani janë 5 kompani që kanë leje aktive për të marrë inerte nga lumi Shkumbin, të cilat kanë fituar tenderat për ndërtimin paralelisht të aksit Elbasan-Qafë Thanë pjesë e Korridorit VIII, ndërsa diferenca e rrjedhës së një viti më parë nga sot dallohet fare mirë me sy të lirë. Sot rrjedha e lumit Shkumbin është devijuar tërësish dhe i është afruar kodrës. Sot kanë nisur punimet për devijimin e rrjedhës së lumit Shkumbin për shkak të ndërtimit të rrugës së re provizore që është planifikuar për tu ndërtuar me qëllim dhënien e një zgjidhje të përkohshme të qarkullimit.

Rruga e shembur sot dhe rrjedha e dejivuar e lumit Shkumbin
Report Tv sjell pamjet me dron nga punimet që tashmë kanë nisur për hapjen e një aksi të ri, alternativë për zgjidhjen e qarkullimit pas daljes jashtë funksioni si pasojë e shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas. Rruga e re është planifikuar të jetë rreth 1.3 kilometra dhe do të shtrihet buzë lumit Shkumbin, ku dhe kanë nisur punimet për devijimin e rrjedhës.
Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoriteti Rrugor Shqiptar, Indrit Koleci, ka folur mbi situatën në aksin Librazhd–Pogradec, pas shembjes së ndodhur në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Sipas Kolecit, aktualisht nuk mund të jepet një afat i saktë për stabilizimin e plotë të rrëshqitjes, pasi po vijojnë studimet teknike në terren.
“Afate nuk mund të themi, pasi kemi bërë relevim të zonës së poshtme të lumit. Kemi bërë një rilevim të shtratit të lumit. Vazhdojmë studimet në pjesën e sipërme për stabilizimin e masës së rrëshqitjes. Afate s’mund t’ju themi pasi janë volume të konsiderueshme,” u shpreh ai.
Sipas tij, brenda 3-4 ditëve pritet të ketë një vlerësim më të qartë për kohëzgjatjen e ndërhyrjes dhe për një afat paraprak të punimeve.
Ndërkohë drejtori i ARRSH, Ami Kozeli tha
"Kemi një mobilizim total. Nga mbrëmja e djeshme kontraktori ka nisur vendimin e këshillit teknik, konkretisht mbulimin e shtratit lumor, demolimin e urës, dhe lehtësimin e masës së rrëshqitjes në planin e sipërm, kjo për të çuar skarpatën drejt një ekuilibri natyral të saj. Shërbimi gjeologjik ka sjellë gjithë ekspertizën. Sot janë 70 eksvatorë dhe 20 kamionë që po punojnë. Inxhinierët e autoritetit rrugor kanë ardhur për të bërë inspektimet e nevojshme", tha ndër të tjera Kozeli.
Komente













Populli harron shpejt ! Tani vjen 7-8 marsi plas pastaj me vone festa deri ne ballokume dhe iken 2026-a ashtu sic filloj, vjen pastaj 2027 dhe fiton perseri ai qe po fiton gjithe shekullin 21-te pra iku 2026 po vjen 2027 dhe zgjedhjet , ne horizont duket nje fitore e butẽ e krahut te majtẽ! Jeta ecen shpejt ne Shqipëri, dhe rron akoma ajo parulla e vjeter , “fajin e ka Saliu” dhe qudia zgjat 3 dite !
PërgjigjuEshte e turpashme situata e gerryerjes se kodrave per te marre lende te pare per cimento e tulla,gerryerja e pascrupullt e shtratit te lumenjve per zhavorr,prerja e paskrupullt e pyjeve,ndotja e pafund e lumenjve dhe detit.Mjafton nje fluturim mbi shqiperi per te pare vijen bregdetare te ndotur,gropat e tmerrshme ne kodrat rreth Tiranes e Krujes,malet e zhveshura nga bimesia,sistemi i kanalizimeve dhe bonifikimeve komplet jashte perdorimit.Ku shkoni o njerez??Cfare do beni kur te keni rrafshuar cdo gje?Do kerkoni nje shqiperi tjeter?Nje qeveri komplet e paafte,e zonja vetem te organizoje tendera korruptive prej miliardash dhuruar firmave qe lindin nga sot neser.I japim njerezve te paafte ne dore te ardhmen e femijeve.mjafton te shohesh rruget romake qe reziztojne akoma.Sistemi i kanalizimeve nentoksore te Romes se lashte ndertuar 2400 vjet perpara funksionon akoma,kushedi pse??
PërgjigjuTë gjithë thonë ka rrëshqitje toke....a nuk e shikoni që kodrat dhe malet janë çveshur nga pyje sepse dihet që rrënjët e mbajnë tokën të mos reshqasi.... Në këtë botë çtë bësh do të gjesh sepse natyra nuk të fal..... Sigurisht të gjith që kanë kaluar kufirin në Qafthanë ndryshimin nga të dy anët e rrugës ka vetëm pyje me pemë...
Përgjigju