Champions League vijoi këtë të mërkurë me katër ndeshjet e fundit të kthimit për fazën play-off. Një biletë për në fazën e 1/8-ave e siguruan kampionët në fuqi të PSG-së, Real Madridi, Galatasaray dhe Atalanta. Juventusi e mbylli 3-0 në favor kohën e rregullt kundër Galatasarayt dhe barazoi rezultatin e përgjithshëm (5-5) pas humbjes 5-2 në ndeshjen e parë në Stamboll. Pas 120 minutave lojë ishte ekipi turk që kaloi më tej.
Atalanta, Galatasaray, Real Madrid, PSG, Newcastle, Bodo/Glimt, Leverkusen dhe Atletico Madrid janë skuadrat që kalojnë në raundin e 1/8-ave të Champions League nga faza play-off.
Në Torino, Juventusi tentoi mrekullinë dhe e dërgoi ndeshjen në shtesë, teksa pas 120 minutave lojë përballja u mbyll 3-2 për Galatasarayn dhe janë turqit që me rezultatin e përgjithshëm 7-5 kalojnë në fazën e 1/8-ave. Galatasaray kishte fituar 5-2 në ndeshjen e parë, por sfida e sotme pa një Juventus shumë kërkues që e mbylli kohën e rregulllt 3-0 për ta dërguar ndeshjen në shtesë me golat e Locatellit, Gattit dhe McKennie. ‘Zonja e Vjetër’ luajti me një lojtar më pak për gjithë pjesën e dytë, pasi Kelly u largua me karton të kuq në minutën e 48-të.
Dueli u vendos në kohën shtesë dhe golat e Osimhen e Yilmaz i dhanë të drejtë turqve të jenë pjesë e fazës së 1/8-ave. Për t’u theksuar se futja në fushë e Zhegrovës në minutën e 67-të i dha një hov të madh sulmues Juves, që goditi edhe shtyllën me Yildiz, ndërsa Zhegrova gaboi një rast të artë nga brenda zonës për të shënuar golin e katërt për bardhezinjtë në shtesë. Pas eliminimit të Interit, sot edhe Juvja është jashtë dhe Italia do përfaqësohet në Champions League vetëm nga Atalanta.
Në ‘Bernabeu’ Real Madridi fitoi 2-1 kundër Benficas dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-1 kalon në fazën e 1/8-ave, aty ku do përballet me njërën mes Manchester Cityt ose Sportingut të Lisbonës. Në ndeshjen e sotme ishte Benfica që kaloi në epërsi me Rafa Silvën, por Reali përmbysi me Tchouamenin dhe Vinicius Junior.
PSG barazoi 2-2 kundër Monacos në derbin e Francës në ‘Parkun e Princave’, rezultat që i mjaftoi kampionëve në fuqi për të kaluar në fazën e 1/8-ave, pasi fitoi 2-3 ndeshjen e parë në Principatë. Akliouche kaloi Monacon në epërsi, por Marquinhos dhe Kvaratskhelia përmbysën momentalisht për PSG-në, para se Teze të barazonte për 2-2. Më tej PSG do përballet me njërën mes Barcelonës ose Chelseat.
Champions League, faza play-off, ndeshjet e kthimit:
E mërkurë, 25 shkurt 2026
18:45
Atalanta 4-1 Dortmund (0-2)
21:00
Juventus 3-2 Galatasaray, pas 120 minutave lojë (2-5)
PSG 2-2 Monaco (3-2)
Real Madrid 2-1 Benfica (1-0)
E martë, 24 shkurt 2026
18:45
Atletico Madrid 4-1 Club Brugge (3-3)
21:00
Bayer Leverkusen 0-0 Olympiacos (2-0)
Inter 1-2 Bodo/Glimt (1-3)
Newcastle 3-2 Qarabag (6-1)
Shënim: Në kllapa () janë rezultatet e ndeshjeve të para mes secilit çift

Atalanta ka prerë biletën për në fazën e 1/8-ave të Champions League pas një përmbysjeje spektakolare ndaj Borussia Dortmund në fazën play-off.
Skuadra italiane triumfoi 4-1 në ndeshjen e kthimit, duke përmbysur humbjen 2-0 të takimit të parë dhe duke ndezur festën në stadium. Vendasit e nisën vrullshëm sfidën, teksa Scamacca zhbllokoi rezultatin që në minutën e 5-të, ndërsa Zappacosta dyfishoi shifrat në pjesën e parë. Pas pushimit, Pasalic realizoi edhe golin e tretë, duke dhënë idenë e një kualifikimi të lehtë.
Gjithsesi, verdhezinjtë reaguan në minutën e 75-të me Adeyemi, gol që riktheu emocionet dhe çoi ndeshjen drejt shtesave. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt 30 minutave shtesë, erdhi momenti vendimtar.
Në minutën e 90+8, arbitri akordoi një penallti për Atalantën pas një ndërhyrjeje të mbrojtjes gjermane. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Samardzic, i cili vulosi shifrat 4-1 dhe kualifikimin e madh të bergamaskëve mes 16 skuadrave më të mira të Evropës. Në minutën e 77 për Atalantën në fushë u fut Berat Gjimshiti që bëri një paraqitje shumë të mirë.
Komente







