Disa bujtina të mbyllura, të tjera me dyer hapur, por pa vizitorë. Kjo është panorama e trishtë e Voskopojës këtë të enjte.

Prej afro një jave, Voskopoja dhe fshatrat turistikë të juglindjes po përjetojnë një zbrazëti të pazakontë për këtë periudhë të vitit. Shkak është bërë bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, i cili ka izoluar juglindjen, duke dëmtuar rëndë turizmin.

“Këtë javë që kaloi na u anuluan komplet, pothuajse shumica e dhomave dhe prentoimeve u anuluan për shkak të rrugës. Nga itinerari Moglicë-Korçë rruga ëhstë shumë e ngushtë dhe me kthesa se kam qenë shumë herë vetë dhe shumë pak turistë na erdhën. Ne punojmë zakonisht me turistë që vijnë nga Tirana, Kavaja, nuk punojmë me korçarë në hotel. Edhe të dielën na u anuluan”, thotë Antoni Falo.

Rruga alternative Maliq – Gramsh frekuentohet vetëm nga vendasit dhe jo nga turistët për shkak të distancës së gjatë.

Që në ditët e para të bllokimit, sipas operatorëve turistikë, 70–80 për qind e rezervimeve u anuluan menjëherë. Tashmë vizitorët janë të rrallë, ndërsa rrugët e Voskopojës pothuajse të boshatisura. Bujtina dhe hotelet po përballen me vështirësi serioze financiare, pasi kostot e personelit dhe shpenzimet mbeten të pandryshuara, pavarësisht mungesës së të ardhurave.

“Të punësuarit po i mbajmë se s’kemi ku i gjejmë. Mos e dhëntë Zoti të vazhdojë! Po vazhdoi kështu, e kemi shumë keq situatën”, shton Falo.

Operatorët turistikë shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë të situatës, pasi çdo ditë vonesë përkthehet në humbje të mëdha.

“80% e anulimeve të fundjavave ose të marra në avancë sepse nuk është dhënë ende një zgjidhje nga organet kompetente sesa do të zgjasë kjo problematikë në aksin Librazhd-Korçë, por anulimet kanë qenë të momentit të fundit sepse edhe njerëzit nuk janë të informuar sesa do të zgjasë ky bllokim në vazhdim. Kostot pak a shumë janë që te punëtorët, shpenzimet fikse që ka një godinë, tatim taksat që vazhdojnë dhe nuk ka kufizim të kësaj”, thotë operatorja Elona Taçe.

Ndryshe nga vitet e tjera, kur ditët para festës së 7 Marsit e gjenin Korçën dhe zonat përreth me rezervime të shumta, këtë vit kërkesat janë minimale.

“Deri tani për festat e 7-8 Marsit nuk kanë ardhur rezervime sepse janë në kolaps si operatorët turistikë, ashtu edhe njerëzit. Zgjidhja që kanë gjetur një pjesë e turistëve apo pushimdashësve korçarë ka qenë të pushojnë në rajon, Maqedoni e Greqi”, shton operatorja Taçe.

Efektet negative janë ndier si në Korçë, ashtu dhe në qytetin liqenor të Pogradecit.

Me afro 6 mijë shtretër në strukturat akomoduese, gjatë festive të fundvitit Korça pati një ‘boom’ turistësh. Sipas llogaritjeve, ata kanë shpenzuar rreth 2 milionë euro, por duke përfshirë restorantet, hotelet, bujtinat, etj.