Maliq, fermerët po detyrohen të hedhin në kanal tonelata me qepë pasi çmimi i shumicës ka rënë me 20 lek për kg. Ata thanë se nuk kanë leverdi të shesin nën kosto, ndaj kërkojnë nga institucionet të ndrhyjnë për kontrollin e tregjeve.

Prodhimi i qepës në fushën e Maliqit kryesisht në fshatrat Prig dhe Zvirinë po përballet me një krizë të thellë tregtimi, duke vënë në vështirësi të mëdha fermerët e zonës.

Sasi të konsiderueshme të prodhimit kanë mbetur stok, ndërsa mungesa e tregut po bën që qepa të dëmtohet dhe të kalbet çdo ditë në magazina duke detyruar fermerët ti hedhin ne kanal.

I kemi hedhur, nuk kemi ç’ të bëjmë. Qepën e kanë marrë me 10 lekë. Qepa duhet të jetë mbi 40 lekë. Kjo situatë është me të gjithë fermerët. Shteti duhet ta na ndihmojë”, thotë një fermer.

Fermerët shprehen se çmimi i ofruar nga tregtarët 20 lekë për kg është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot e prodhimit, çka po i çon në humbje financiare.

“Po tallen me pensionistët. Që në gusht e kemi hequr nga parcela qepën dhe mezi e shitëm tani në prill. Jemi të zhgënjyer”, thotë një tjetër.

“I kemi hedhur në lumë. Këtë vit nuk do të mbjellë. Na kërkojnë me 20 lekë”, shprehet një fermer.

 Sipas tyre, situata rëndohet edhe më shumë nga rritja e importeve, të cilat kanë ulur kërkesën për prodhimin vendas.

Të ndodhur përballë kësaj gjendjeje, shumë prej fermerëve kanë zgjedhur të hedhin prodhimin. Ata kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet për të garantuar treg për produktet e tyre.