Ndarja e parakohshme nga jeta e mësues Alban Bejlerit ka lënë në pikëllim dy fëmijët, familjarët, nxënësit dhe kolegët e tij.
Arsimtari nga Bilishti pësoi arrest kardiak dhe u gjet pas shenja jete në rrugë, pasi kishte përfunduar mësimin në fshatin e thellë Marjan të Maliqit.
Prej afro 5 vitesh, 55-vjeçari shërbente në këtë zonë të largët, ndërsa kishte mbi 30 vite eksperiencë në arsim. Familjarët e përshkruajnë si një njeri të qetë, punëtor dhe tepër të përkushtuar. Edhe pse vuante nga diabeti, ai nuk ankohej kurrë për distancën e gjatë që përshkonte çdo ditë për t’u dhënë mësim vetëm dy nxënësve.
"Nga farefisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalëpakë, punëtor dhe besimtar. Ishte kontribues ndaj fëmijëve. Politika të pushon dhe të ngre, ju i dini këto punë si janë. Ai nuk ishte në punë atëherë, kur e vunë në punë, e çuan në zonën e Maliqit. Ishte i sëmurë nga diabeti. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por ja që e sollën tani. U bëj thirrje të gjithë politikanëve që personat që janë të sëmurë duhet të jenë pranë familjes. Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh. Kujdes, o politikanë, mos u tallni me shëndetin e të tjerëve. Kini mendjen dhe mendoni për këta njerëz, për edukatorët. Ishte njeri me dy universitete dhe ishte pa punë. Kishte 5-6 vjet në punë. Ai nuk ankohej kurrë, bënte rreth 7 km larg nga shkolla në këmbë. Vinte vetëm për dy nxënës. Kryeplaku thoshte se Albani ishte njeri i përsosur", thotë Besim Bejleri xhaxhai i mësuesit.
Xhaxhai ka ngritur akuza të forta ndaj institucioneve, duke theksuar se nuk moren në konsideratë gjendjen shëndetësore dhe kërkesat për transferim më pranë familjes.
"Politika të pushon dhe të ngre, ju i dini këto punë si janë. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por nuk e morën parasysh. U bëj thirrje politikanëve që të kenë kujdes për njerëzit e sëmurë. Mos i lini në këto kushte, larg familjes. Ai nuk ankohej, por kjo ishte shumë e rëndë", thekson ai.
"Ishte njeri i rregullt. E bënte çdo ditë rrugën. Ikte në orën 7 dhe vinte kur mbaronte mësimin. Është babai i dy fëmijëve, vuante nga diabeti. Nuk më tregonte për vështirësitë që kishte", tha Muharrem Meka, kushëriri.
Çdo ditë, mësues Albani, nisej nga shtëpia në Bilisht dhe përshkonte rreth 22 km me makinë deri në fshatin Lozhan. Për shkak të gjendjes së amortizuar të rrugës, segmentin Lozhan–Marjan, rreth 8 km, e përshkonte në këmbë. Të njëjtën distancë e bënte edhe në kthim, duke e kthyer udhëtimin e përditshëm në një përpjekje të mundishme. Miqtë dhe kolegët fasin për sfidat e tij të përditshme.
"Albani bën pjesë në komunitetin pedagogjik dhe është nga një familje mësuesish. Ka qenë një mësues i përkushtuar, ka dhënë maksimumin e tij në punë dhe ka përballuar vështirësi fizike që e çuan deri në këtë pikë. Kalonte vështirësi për shkak të rrugës dhe distancës. Shkonte çdo ditë deri në Lozhan dhe më pas vijonte në këmbë. Ka rreth 4-5 vite në këtë rutinë. Nuk kishte probleme kardiake, por ishte me diabet", thotë Endri Fifo, koleg.
Vdekja e Alban Bejlerit mbetet një dëshmi e dhimbshme e sakrificës së heshtur të një mësuesi që dha gjithçka për profesionin, deri në frymën e fundit.
Lajmi në përditësim...
Komente











Mesjetë
PërgjigjuPer te tille heronjsh kemi nevoje
Përgjigju