ELBASAN - Bllokimi i aksit nacional Tiranë-Elbasan ditën e sotme si rrjedhojë e rrëshqitjes së dheut në fshatin Ibë ka sjellë edhe rritjen abuzive të çmimeve nga ana e shoferëve të autobuzëve të linjës duke e çuar biletën nga 150 lekë që është normalisht, në 300 lekë.
 
Kjo për shkak edhe të devijimit të rrugës, pasi siç është njoftuar edhe nga policia e shtetit, momentalisht aksi nacional është i pakalueshëm ndërsa këshillohet që drejtuesit e automjeteve të drejtohen për nga Durrësi për të bërë të mundur mbërritjen në Elbasan si dhe anasjelltas.
 
E gjithë situata e krijuar ka sjellë edhe rritjen e çmimit të biletës nga ana e drejtuesve të autobuzëve.
 
Më herët policia e shtetit, njoftoi se pavarësisht se rrëshqitjet e dheut janë hequr nga rruga, sërish aksi është i pakalueshëm për shkak të rrezikshmërisë që paraqet rënia e gurëve dhe dherave nga lartësia e malit.
 
Aksi rrugor nacional është bllokuar mëngjesin e sotëm rreth orës 04:20, si rezultat i rrëshqitjes së një masivi dheu nga një faqe mali në fshatin Ibë. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)