Një sasi prej 600 copë gotash qelqi me origjinë nga Kina, u bllokuan para hedhjes në treg nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe AKU

Produktet u identifikuan pas një njoftimi nga prodhuesi Zebra A/S dhe përmes sistemit evropian të sigurisë ushqimore RASFF, ku u klasifikuan si “Alert” për shkak të pranisë së substancave të rrezikshme në produkte me origjinë nga Kina, të shpërndara përmes Danimarkës.

Sipas të dhënave zyrtare, gotat e qelqit kanë rezultuar me prani të metaleve kadmium dhe plumb, të rrezikshme për shëndetin. Kadmiumi është një metal shumë toksik dhe kancerogjen, i cili dëmton rëndë veshkat, kockat dhe mushkëritë. Ndërsa plumbi shkakton vonesa në zhvillimin intelektual dhe probleme me përqendrimin.

ISHMT bën të ditur se vijon monitorimin intensiv të tregut, me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshimtë përmes faqes zyrtare të institucionit.