Shqipëria ka hapur çështje ndaj Serbisë pasi kjo e fundit ka bllokuar linjën e interkonjuksionit Shqiëpri-Kosovë.

Siç bën të ditur Ministria e Industrisë dhe Energjisë, Serbia ka bllokuar këtë linjë gjë për të cilën kërkon zgjidhje brenda 31 dhjetorit të këtij viti.

Çështja është hapur kundër Republikës së Serbisë për mospërmbushjen e kërkesave të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe në këtë çështje, Serbia mbeti e vetme pasi
kishte kundër edhe Ukrainën, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi. 

Ky është hap serioz që institucionet europiane ndërmarrin ndaj Serbisë e cila vazhdon të mospërmbushë detyrimet e marra përsipër edhe në marrëveshjen e Brukselit për dhënien e pavarësisë së sistemit të transmetimit të Kosovës. 

Kjo u bë e ditur  nga ministri Gjiknuri i cili mori pjesë në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës në punimet e takimit të 14-të të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë.

Gjatë punimeve të Këshillit, përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës ngritën shqetësimin e ngërçit të krijuar nga Serbia për futjen në punë të linjës së interkonjeksionit mes dy vendeve, tashmë e përfunduar dhe inauguruar. Fakt ky që sipas tyre po shkakton mospërdorimin e të ardhurave nga alokimi i këtyre kapaciteteve. 

Që të bëhet i mundur operimi i kësaj linjë duhet që sistemi i transmetimit të Kosovës (KOSTT) të njihet nga ENSO-E, rrjeti evropian i transmetimit. Pra, të njihet ndarja e sistemit të transmetimit të Kosovës nga sistemi i transmetimit të Serbisë, çka është dhe pjesë e bisedimeve në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. 

Në këtë konferencë u miratuan edhe lista e projekteve me interes për vendet anetare të Komunitetit të Energjisë, në të cilën u përfshinë projekte me interes strategjik për vendin si gazsjellësi Shqipëri-Kosovë, linja 400 kV Shqipëri-Maqedoni, e cila tashmë ka siguruar financimin dhe pritet të fillojë investimi në vitin 2017. Gjithashtu u përfshi dhe Projekti IAP e cili sipas deklarimeve të përfaqësuesit të BE-së është projekt me interes strategjik jo vetëm për Ballkanin por gjithë Rajonin dhe Europën Qendrore. 

Gjatë punimeve të Këshillit, ministri Gjiknuri informoi edhe për ecurinë e reformave në sektorin e energjisë dhe sidomos për ecurinë e projektit TAP si një parakusht për zhvillimin e gazsjellësit IAP dhe degëzimti me Kosovën. 

Në këtë konferencë, Kosova mori Presidencën e radhës ndërsa u prezantua gjithashtu edhe raporti i Sekretariatit ku u evidentua progresi që ka bërë Shqipëria si një nga vendet anëtare lider në reformat e energjisë në rajon.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)