Pesë banorë të Klosit janë vënë nën hetim sepse dyshohet se kanë bllokuar rrugën për të penguar vijimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit Doma në fshatin Kurdari të Matit .
Nën hetim penal janë personat me inicialet E.S., 51 vjeç; H.A., 32 vjeç; B.K., 50 vjeç; L.K., 49 vjeç dhe A.T., 36 vjeç, të gjithë banues në Klos. Sipas policisë, ata u kanë bllokuar rrugën punonjësve të shoqërisë private që po kryente punime për ndërtimin e HEC-it në zonë.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve E.S., 51 vjeç; H.A., 32 vjeç; B.K., 50 vjeç; L.K., 49 vjeç; A.T., 36 vjeç, banues në Klos, pasi me vetëgjyqësi u kanë bllokuar rrugën punonjësve të një shoqërie private, me qëllim moslejimin e vijimit të punimeve për ndërtimin e një HEC-i në fshatin Kurdari” thuhet në njoftimin e policisë.
Konflikti për hidrocentralin në lumin e Lusës vazhdon prej muajsh mes banorëve të Kurdarisë dhe kompanisë që po zbaton projektin. Më 23 shkurt 2026, mjetet e kompanisë tentuan të rifillonin punimet dhe arritën të hapnin rreth 50 metra gjurmë të projektit, por banorët dolën nga banesat dhe bllokuan makineritë.
Situata u tensionua për disa minuta dhe në zonë mbërriti policia, e cila shoqëroi disa persona dhe detyroi mjetet e kompanisë të largohen.
Tensionet u rritën edhe më shumë një ditë më parë, kur në zonë pati përplasje mes banorëve dhe personave që, sipas tyre, kishin ardhur për të mbështetur kompaninë ndërtuese. Situata degradoi në përplasje fizike dhe në vendngjarje ndërhyri policia.
Banorët kanë deklaruar vazhdimisht se kundërshtimi i tyre është paqësor dhe se kërkojnë ndalimin e punimeve deri në zgjidhjen e çështjes në rrugë ligjore. Sipas tyre, projekti është miratuar pa konsultim të plotë me komunitetin dhe rrezikon burimet ujore që përdoren për vaditje dhe furnizim me ujë për tokat bujqësore të zonës.
Në zhvillimet e mëparshme, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar padinë e banorëve dhe ka lënë në fuqi lejet e ndërtimit, ndërsa çështja tani ndodhet në Gjykatën e Apelit. Banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë kundërshtimin dhe nuk do të lejojnë rifillimin e punimeve.
Komente










