Dibër- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar një oficer Policie në Klos, për dhunë në familje.
Përmes një njoftimi, AMP bën të ditur se oficeri i Policisë dyshohet se, në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj kallëzueses.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vëllait të mitur të kallëzueses.
Ndërkohë materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i AMP:
AMP ndalon punonjësin e Policisë në Dibër, dyshohet për dhunë në familje
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Kukës-Dibër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, ka kryer ndalimin e punonjësit të Policisë, Inspektor “A.P.”, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Seksionin e Rendit Publik, në Stacionin e Policisë Klos, Komisariati i Policisë Mat, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.
Ndalimi i tij u krye në kuadër të hetimeve për veprën penale “Dhuna në familje”, të parashikuar nga neni 130/a/4 i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, punonjësi i Policisë dyshohet se, në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj kallëzueses. Gjithashtu, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vëllait të mitur të kallëzueses.
Pas veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për vijimin e hetimeve dhe procedurave të mëtejshme ligjore.








Komente
Komento