Ergis Qoku 33 vjeç u arrestua nga efektivët e komisariatit numër 1 në kryeqytet për disa vepra penale, të dyshuara se i ka kryer gjatë protestës anti-qeveritare në Tiranë mbrëmjen e së mërkurës. Ai dyshohet se dhunoi disa kalimtarë gjatë kohës që protesta kishte nisur skenarin e bllokimit të rrugëve, e po ashtu dyshohet se dëmtoi edhe automjetin e një qytetari që tentoi të kalojë në Unazë.
I riu akuzohet për shkatërron prone, kundërshtim të punonjësit të policisë dhe prishje të qetësisë publike. Ergis Qoku do të qëndrojë në paraburgim për të pakën 72 orë, derisa gjykata të vendosë për masën e sigurisë.
15 protestues të tjerë, po hetohen në gjendje të lirë, për të njëjtat vepra penale. Mes tyre janë personazhe aktivë që kanë kryesuar protestën, kryesisht marshimet që nis në përfundim të tubimit, nëpër rrugët e Tiranës. I tillë është Visuar Dalipi, i njohur në rrjete sociale si “Banka e Fundit”. Bashkëshoqëruesi i tij në protestë, Shkëlzen Bushi, gjithashtu u vu në hetim.
Dy të tjerëve, në mesin e protestës së “flamingove”, Mario Rekës dhe Arnold Zhupanit, gjatë shoqërimit në Komisariatin nr. 1 iu gjetën sasi kanabis sativa, që blutë e sekuestruan si provë materiale. Ata po hetohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas Policisë, protestuesit e përfshirë në akte dhune dhe bllokim rrugë, u vendosën në disa prej kryqëzimeve kryesore të Tiranës, duke bllokuar qarkullimin dhe penguar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Tubimi u shtri në disa pika, nga Rruga e Elbasanit ku u bllokuan autobusët urban, te kryqëzimi i urës së Drejtorisë së Policisë Tiranë, ura e Vasil Shantos, “21 Dhjetori” dhe kryqëzimi pranë Inxhinierisë së Ndërtimit. Praktikisht, bllokimi i Unazës së Mesme, një aks me rëndësi jetike në Tiranë për qarkullimin normal të mjeteve, ndikoi në lëvizjen e qytetarëve, duke krijuar radhë të gjata trafiku.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë



