TIRANË- Përçarja mes protestuesve duket se tashmë është përfundimtare. Në ditën e 102-të të protestës, ndryshe nga ditët e tjera, kur protestuesit mblidheshin bashkë para Kryeministrisë, mbrëmjen e djeshme u pozicionuan në dy grupe. Njëri prej tyre qëndroi sërish poshtë godinës qeveritare, duke mbajtur fjalime, ndërsa një grup tjetër, më i dhunshëm, bllokoi rrugët e kryeqytetit, duke sulmuar edhe shoferët.
Ndarja në dy grupime ka nxjerrë hapur në pah kundërshtitë mes tyre. Protestuesit që qëndruan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dolën kundër skenarit të bllokimit të rrugëve, duke bërë thirrje vetëm për rrethimin e Kryeministrisë. Por grupi i drejtuar nga Visuar Dalipi, i cili njihet ndryshe edhe si “Banka e Fundit”, mbrëmjen e djeshme u vendos në kryqëzimin e urës së Lanës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Situata degradoi deri në akte dhune, aq sa protestuesit rrethuan makinën e një qytetari dhe u përplasën ashpër me shoferin, i cili po u kërkonte që t’i lironin rrugën. Në pamje, protestuesit dallohen duke goditur makinën dhe duke u përplasur verbalisht me drejtuesin e mjetit, ndërsa ky i fundit vijon të lëvizë automjetin në përpjekje për t’u larguar.
Në një tjetër video që po qarkullon në rrjet, protestuesit pretendojnë se shoferi ka nxjerrë nga çanta një thikë. Në fakt, gjatë përplasjes verbale, shoferi, i cili ndodhet brenda në makinë, dallohet teksa lëviz dorën dhe e vendos mbi çantë, por nga pamjet nuk dallohet nëse prej saj ka nxjerrë ndonjë send.
Episodi i dhunës solli reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama, i cili u përfshi në një tjetër replikë me “Demokratët Evropianë”, një parti politike evropiane që ka edhe përfaqësues në Parlamentin Evropian dhe që ka qenë e zëshme në mbështetje të protestave në Tiranë.
Demokratët Evropianë bënë një hap pas, pasi u njohën më herët me një tjetër video të përplasjes së protestuesve me Iris Luarasin. Ata thanë se asnjë deputet nuk duhet të përballet me dhunë dhe kërcënime, por e cilësuan ngjarjen si një rast të izoluar, që sipas tyre nuk mund të përdoret për të diskredituar protestën.
“Raste të izoluara dhune nuk mund të përdoren për të diskredituar një lëvizje të tërë proteste, për të hedhur poshtë shqetësimet legjitime apo për të shmangur pyetjet mbi ngjarje të tjera të dokumentuara. Protestuesit paqësorë nuk duhet të përballen me përdorim të tepruar të forcës, ndalime arbitrare apo forma frikësimi”, thuhej në reagimin e Demokratëve Evropianë.
Pas këtij reagimi, Rama publikoi videon e rrethimit të qytetarit, duke i thënë grupimit të Demokratëve Evropianë se ky është një shembull i freskët i akteve të dhunës nga protestuesit dhe nënvizoi se “të këmbëngulësh në të njëjtin gabim është djallëzore”. Kryeministri shkroi se protestuesit dhunuan qytetarin, i cili vetëm po kërkonte të kalonte, pasi protestuesit i kishin bllokuar rrugën.
“Protestuesit bllokojnë një kryqëzim të qytetit, rrethojnë makinën e një qytetari të zakonshëm, i cili thjesht kërkon të kalojë, dhe fillojnë ta godasin atë. Për çfarë është fajtor ai, saktësisht? Sepse po përpiqet të vazhdojë rrugën e tij? A do të kishit mirësinë ta dënonit qartë edhe këtë, pa asnjë justifikim? Unë nuk po e përdor dhunën e disave për të diskredituar çdo protestues. Jeni ju që po përdorni sjelljen paqësore të shumëkujt për të minimizuar dhunën e të tjerëve. Hajde, tregohuni të guximshëm dhe thuajeni: Ky nuk është kundërshtim. Është dhunë”, shkroi Rama.
Kjo ishte mbrëmja e dytë radhazi që protestuesit bllokuan rrugët. Ata u përfshinë në akte të tilla edhe më 8 shtator, në protestën që u zhvillua me nisjen e sesionit të ri parlamentar, gjatë së cilës jo vetëm sulmuan makinat e deputetëve dhe efektivët e policisë, por bllokuan edhe rrugët kryesore në qendër të kryeqytetit.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, reagoi për përplasjen e protestuesve me një shofer gjatë bllokimit të rrugëve në Tiranë, duke i quajtur ata “sorra”. Sipas tij, qytetari është bashkatdhetar nga diaspora, i ardhur me pushime në Shqipëri.
“Po çfarë kusuri ka ky qytetar (qenka dhe bashkëtadhetar nga diaspora, ardhur me pushime në Shqipëri) t’i zenë rrugën sorrat?!”, shkruan Balla.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat me grupimin politik ‘Demokratët Europianë’, lidhur me protestën që po zhvillohet prej 102 ditësh para Kryeministrisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar pamje nga përplasjet e protestuesve me një drejtues makine, pasi turma kishte bllokuar rrugën, Rama duke iu drejtuar ‘Demokratëve Europianë’ thotë se të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.
Rama tha se prej 101 ditësh, protesta është zhvilluar në bulevard pa asnjë problem sa i përket të drejtës për t’u tubuar, për të folur dhe për të kritikuar.
Por sipas kryeministrit, të pengosh fizikisht deputetët e zgjedhur që të hyjnë në Parlament dhe të shkaktosh përplasje fizike me qytetarët, është dhunë.
Më herët Rama akuzoi përfaqësuesit europianë se po heshtnin ndaj “dhunës” ndaj deputetes socialiste Iris Luarasi, e cila u përndoq në një qendër tregtare nga disa aktiviste. Demokratët Europianë iu përgjigjën Ramës në rrjetin social X, me një postim të gjatë ku dënonin pa asnjë mëdyshje çdo akt dhune ndaj deputetëve, por nga ana tjetër, ata theksuan se një gjë e tillë nuk mund të përdoret për të delegjitimuar protestën, për të cilën janë treguar shumë të zëshëm ditën e fundit.
Reagimi i Ramës:
Gjyshja ime e mrekullueshme më mësoi urtësinë e vjetër latine: errare humanum est, perseverare diabolicum. Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në të njëjtin gabim është djallëzore.
Përgjigjja juaj, @democrats_eu, më bën të pyes veten nëse pikërisht politikanë si ju kanë frymëzuar pjesën e dytë të kësaj shprehjeje.
Ju e dënuat dhunën ndaj përfaqësuesve të zgjedhur vetëm pasi unë jua vura pamjet përpara syve. Dhe më pas, menjëherë, e minimizuat atë duke e quajtur “akte të izoluara”.
Prej 101 ditësh, protesta është zhvilluar në bulevard pa asnjë problem sa i përket të drejtës për t’u tubuar, për të folur dhe për të kritikuar.
Por të pengosh fizikisht deputetët e zgjedhur që të hyjnë në Parlament dhe të abuzosh me një deputete të respektuar, e cila thjesht po përpiqet të shkojë në vendin e saj të punës, nuk është kundërshtim. Është dhunë.
Dhe e dini çfarë? Ja ku vjen tani një tjetër shembull i freskët i “akteve tuaja të izoluara”. Protestuesit bllokojnë një kryqëzim të qytetit, rrethojnë makinën e një qytetari të zakonshëm, i cili thjesht kërkon të kalojë, dhe fillojnë ta godasin atë. Për çfarë është fajtor ai, saktësisht? Sepse po përpiqet të vazhdojë rrugën e tij?
A do të kishit mirësinë ta dënonit qartë edhe këtë, pa asnjë justifikim?
Unë nuk po e përdor dhunën e disave për të diskredituar çdo protestues. Jeni ju që po përdorni sjelljen paqësore të shumëkujt për të minimizuar dhunën e të tjerëve.
Hajde, tregohuni të guximshëm dhe thuajeni:
Ky nuk është kundërshtim. Është dhunë.








Komente
Komento