Blogerja shqiptare që valëvit
flamurin kuqezi në Azi/FOTO

Ata janë një çift ndyshe nga të tjerët. Kanë hequr dorë nga ëndrra për t’u martuar për udhëtimet. Flamuri shqiptar i shoqëron në çdo vend të botës që ata shkojnë. Nuk e quajnë veten turistë por udhëtarë dhe janë në gjendje të bëjnë qejf edhe me shumë pak para dhe aspak luks.

Udhëtimi i shqiptares Sonila Qesarakut me të fejuarin e saj italian Fabio Ive është shumë i thjeshtë, u mjafton thjesht një çantë shpine, lëvizin me mjete publike, flenë nëpër hostele të lira, ecin shumë në këmbë dhe shumicën e gjërave i bëjnë vetë pa nevojën e një agjensie.

34- vjeçarja ka hapur një blog të sajin me emrin ‘Travelling with Sonila - Blog Udhëtimesh’, ku në të pasqyron të gjitha eksperiencat e saj të udhëtimeve. Çdo foto shoqërohet me një përshkrim në tre gjuhë të botës, në shqip, italisht dhe anglisht. Në blogun e saj ajo numëron shumë ndjekës si shqiptarë ashtu edhe të huaj.

Ideja që flamuri shqiptar të valëvitej kudo që çifti udhëtonte ishte e Sonilës, por sigurisht edhe i dashuri i saj e ka mbështetur atë. Aktualisht udhëtojnë prej më shumë se 7 muajsh. Ata kanë vizituar 7 vende të Azisë Juglindore, Tajlandën, Singaporin, Malajzinë, Laosin, Kamboxhian dhe Vietnamin.

Qëllimi është shumë i thjeshtë, kudo që shkojnë të çojnë flamurin shqiptar të valvitet atje ku ndoshta nuk ka arritur më parë asnjë shqiptar.  Nga këto udhëtime kanë marrë me vete eksperienca shumë të bukura, kanë historinë, kulturat, tradita, disiplinat shpirtërore dhe energjike, fene, kanë takuar shumë njerëz.

Nuk e konsiderojnë veten turistë dhe nuk sillen kurrë si të tillë. Në Malajzi, në një tempull induist kanë ndihmuar të gatuajnë dhe t’u servirin ushqim besimtarëve por edhe njerëzve të varfër.

Në Kamboxhia u kanë mësuar fëmijëve të vegjël që kanë vështirësi ekonomike gjuhë angleze e ndërsa në Vietnam kanë ndihmuar në një jetimore.

34-vjeçarja nga përmeti është ambasadorja më e mirë në vendet Aziatike, aty ku shumë pak mund të dinë që në hartën e botës ekziston edhe një vend i vogël me emrin Shqipëri, por që mbart vlera shumë të mëdha kulturore, historike, njerëzohe dhe me bukuri të rralla natyrore.
 
Si është një udhëtim për ju? Përse udhëtarë dhe jo turistë?
Na mjafton një çantë shpine, lëvizim me mjete publike, flemë nëpër hostele të lira, ecim shumë në këmbë dhe shumicën e gjërave e bëjmë vetë pa nevojën e një agjensie. Kemi shpenzuar edhe javë të tëra në mes të natyrës, pa kafe, pa alkol, ushqim vegjetarian, kemi bërë dhe joga.

Pse pikërisht kjo formë udhëtimi? Nuk do të dëshironit edhe ju që të bënit udhëtime siç shumë e mendojnë, me avion, në hotele me 7 yje,  me makina luksi?
Jo. Ne nuk duam të bëjmë pushime nëpër hotele luksoze, jo se i gjykojmë kush i bën. Por ne bëjmë një tjetër lloj udhëtimi. I gëzohemi një udhëtimi të thjeshtë e të ngadaltë. Me çantë shpine, me transport publik, duke njohur njerëz vendas. Vetëm kështu mund të njohim historitë, kulturat, traditat. Gjatë udhëtimit kemi takuar disa njerëz perëndimor që vinin për të bërë pushime 2-3 javore nëpër resorte luksoze dhe nuk dinin asgjë rreth vendit që ata vizitonin, nuk kishin folur asnjëherë me vendasit por vetëm me turistët e tjerë. Është me të vërtetë për të ardhur keq, gjithmonë nga pikëpamja jonë flas. Të udhëtosh nuk do të thotë që të ikësh në një plazh të bukur, të hash ushqim të mirë apo të bësh një trajtim në SPA. Natyrisht edhe këto duhen, edhe ne i kemi bërë, por janë pjesë shumë e vogël e udhëtimit tonë.

Pse kjo zgjedhje?
E bëmë këtë zgjedhje sepse donim të ishim të lirë, të vendosnim çdo ditë pa planifikuar për një kohë të gjatë, të dilnim jashtë sistemit dhe shoqërisë, të kuptonim që jeta që bënim të ishte vërtetë jeta që dëshironim. Donim të kishim mundësi të udhëtonin rreth botës adhtu edhe një udhëtim brenda vetes. Dëshironim të bënin ekperienca të ndryshme në këto vende. Kemi përjetuar një ekperiencë unike kur kemi bërë joga, ideja për t’u shkëputur nga realiteti për disa moment pa folur dhe të përqëndroheshim vetëm të vetja jonë.
 
Ju keni vendosur flamurin shqiptar në çdo vend që udhëtoni. Ideja e kujt ka qenë?
Ideja e shpalosjes së flamurit shqiptar kudo që shkojmë, ndoshta aty ku nuk ka shkuar më parë asnjë shqiptar ishte fillimisht e imja, por Fabio, partneri im  i  jetës  më ka mbështetur plotësisht. Fabios i pëlqen shumë flamuri ynë, por edhe Shqipëria. Do të vinte me shumë dëshirë të jetonte në Shqipëri. Qëllimi është shumë i thjeshtë, kudo që shkojnë të çojnë flamurin shqiptar të valvitet atje ku ndoshta nuk ka arritur më parë asnjë shqiptar. 
 
Cili është vendi më i bukur që keni vizituar?
Është një pyetje që na e bëjnë shumë persona. Është paksa e vështirë për të përcaktuar se cili është vendi më i bukur, sepse për ne çdo vend ka qenë shumë i bukur për diçka, një tjetër ka qenë i bukur për diçka tjetër. Tajlanda është vendi që na ka bërë shumë përshtypje. Buzëqeshjet e njerëzve aty na kanë mrekulluar. Jo më kot ajo quhet edhe toka e buzëqeshjeve, bukuria e detit, e plazheve dhe perëndimet e diellit më të bukur të jetës sime.  Në indonezi kemi parë mrekulli natyrore të rralla si vullkani Bromo dhe flaka blu.  Singapori i quajtur ndryshe si Zvicra e Azisë, është një qytet shumë multikulturor me ndërtesa të larta, moderne me shumë harmoni me njëra tjetrën. Nata me dritat shumë ngjyrëshe është një mrekulli. Atje kemi parë dhe spektaklin më të bukur me ndezjen e dritave. Nga ana tjetër edhe Majlazia na ka pëlqyer dhe surprizuar shumë. Njerëzit ishin shumë të hapur mendërisht, shumë shoqëror dhe flisnin shumë mirë anglisht. Ju thashë, e kemi shumë të vështirë për të diferencuar një vend. Çdo vend ka bukurinë e tij.

Çfarë do të thotë kjo eksperiencë për ju? Çfarë keni mësuar nga këto udhëtime? Thonë që të udhëtosh diku është njësoj si të kesh mbaruar një universitet është e vërtetë?Po. Kjo eksperiencë na ka mësuar shumë gjëra si në nivel individual ashtu edhe në çift. Në radhë të parë gjatë këtyre muajve kemi qenë 24 orë bashkë unë dhe Fabio. Më parë ishim secili në punën e tij ndërsa sot jetojmë raportin tonë në një intesitet më të madh dhe nëse nuk kemi pasur grindje dhe probleme do të thotë që kemi pasur baza shumë të forta. Na ka lejuar të kuptojmë shumë gjëra për njëri tjetrin, shpesh në situata të caktuara gjatë udhëtimeve kemi parë si reagojmë duke e njohur më shumë njëri tjetrin. Kemi mësuar se asgjë nuk është e pamundur në jetë, na ka mësuar se nuk ka limit moshe për të qenë të lumtur, se shtëpia jonë nuk është vendi ku ke lindur por atje ku ndihesh më mirë pa harruar gjithmonë vendin ku ke lindur, të jemi mirënjohës për të që kemi. Na ka bërë të kuptojmë që ky udhëtim ka qenë investimi ynë më i madh për të cilin nuk pendohemi kurrë. Kemi kutuar që çelësi i lumturisë është dashuria për veten tonë, për njeri tjetrin në çift për të gjitha qeniet njerëzore edhe për natyrë.
 
Keni udhëtuar shumë, dhe besoj që gjatë rrugës keni hasur edhe vështirësi. Cilën prej tyre do të veçoje, që ndoshta nuk do doje të përsëritej apo që e keni pasur jo shumë të lehtë të përshtateshe?
Nuk kemi pasur ndonjë vështirësi shumë të madhe aq sa mund të ketë qenë e papërballueshme. Mund të them që paksa e vështirë gjatë udhëtimit në Azi Juglindore ka qenë ushqimi, duke qenë se ne jemi vegjetarian, nuk hamë mishin, peshkun apo vezët, që në këto vende dihet konsumohet shumë. Ndoshta jo në qytetet e mëdha, por nëpër fshatrat ku kemi shkuar kemi ngrenë për disa ditë rresht vetëm oriz të bardhe e pak prerime si në drekë ashtu edhe në darkë. Pak i vështirë ka qenë edhe komunikimi, në vendet që nuk kanë ditur të flasin gjuhën angleze. Edhe mënyra e të përshëndeturit që është shumë ndryshe nga e jona. Kur takon dikë këtu nuk e takon duke i dhënë dorën, por duke bashkuar dy duart përpara gjoksit e duke u përkulur paksa në largësi. Në rast takimi me persona të fesë muslimane kemi mësuar të mos u japim dorën personave të seksit të kundërt. Ajo që jemi mësuar akoma pas 8 muajsh qëndrimi në Azi është dush me ujë të ftohtë.
 
Çfarë mesazhi mund t’u japësh njerëzve, pse duhet të udhëtojnë?
Udhëtimi nuk është thjesht vetëm për të vizituar vende të ndryshme, por edhe një udhëtim brenda vete. E njeh vetëm më mirë dhe kupton shumë gjëra që ndoshta nuk mund të të krijoheshe mundësia nëse nuk do të udhëtoje. Njeh shumë njerëz, kultura, pasyrohesh shumë si në shpirt edhe nga mendërisht. Të udhëtosh nuk do të thotë që duhet të shpenzosh shumë para me patjetër, por mund ta bësh atë edhe me pak para. Sa më shumë udhëtime aq më mirë, ndihesh dhe më mirë shpirtërisht dhe fizikisht.

[gallery]20066[/gallery]

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com