TIRANË - Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha dhe deputeti i PS-së, Ben Blushi kanë theksuar sot në Komisionin e Integrimit se një nga prioritetet e qeverisë së majtë mbetet reforma në administratën shtetërore.

Gjatë raportimit në një seancë dëgjimore të kërkuar nga Komisioni i Integrimit në Kuvend, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha ka theksuar ndër të tjera se një nga masat imediate është miratimi i ligjit "Për nëpunësin civil." 

Ndërsa, anëtari i Komisionit të Integrimit, Ben Blushi ngriti si nevojë përparësore reformimin e administratës pulbike si hallkë kryesore e reformave që do duhet të marrë qeveria në të ardhmen.

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha raportoi para komisionit për plotësimin e 12 rekomandimeve nga Komisioni Evropian, pasi të mërkurën do të dalë edhe projekt raporti.

Edhe në këtë seancë të Komisionit të Integrimit, ashtu si edhe në komisionet e tjera parlamentare të cilat zhvilluan veprimtarinë gjatë ditës së hënë, opozita nuk mori pjesë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)