Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë ka qenë sot (15 Dhjetor) pjesë e një takimi me bazën dhe drejtuesit lokale në Fier, ku në qendër ishte puna për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Ai e cilësoi qarkun si “lokomotiva e fitores së Partisë së Lirisë” dhe se “nën drejtimin e Rilindjes dhe bandave të qeverisë, i është vënë edhe një ‘balluke’ për t’i hedhur hi syve”, duke ironizuar zv/kryeministen Belinda Balluku, që e quajti edhe “madam floriri”.
“Në fakt, është momenti për t’i thënë "ballukes" së korrupsionit në Fier, që ti duhet të jesh në burg dhe duhet të ishe në burg prej kohësh, sepse ke zhvatur gjakun, djersën dhe mundin e fierakëve por edhe të gjithë shqiptarëve. Belinda Balluku vjen në Fier si e dërguara e Edi Ramës për të blerë votat e fierakëve”, u shpreh Blushi.
Ai iu referua investimeve të fundit si tuneli i Llogarasë, që e cilësoi si ‘afera më e freskët për të cilën janë paguar 50 milionë Euro bakshish’, duke iu referuar një denoncimi të ish-kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj.
“Mjafton rruga e shembur Korçë-Ersekë, për të cilën sot e kësaj dite nuk ka nisur një hetim që kjo zonjë të ishte sot para ligjit dhe jo duke kërkuar vota në Qarkun e Fierit. Vetëm Inceneratorin e Fierit që nuk punon, njëlloj si ai i Tiranës, janë harxhuar rreth 30 milionë Euro. 30 milionë Euro për një shërbim që nuk kryhet”, tha drejtuesi i PL, pas arrestimit të presidentit të partisë Ilir Meta më 21 Tetor për 3 vepra penale.
Blushi denoncoi gjendjen e mjerueshme në të cilën jetojnë banorët e Fierit dhe situata ekonomike e vendit, duke theksuar se PL ka program konkret për ngritjen e ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
“A e dini sa marrin pensionistët? Marrin vetëm 10 mijë lek të reja. 10 mijë lekë të reja në muaj, nuk del, me këto çmime në stratosferë, as për të shtyrë javën jo më për të shtyrë muajin. Nuk del për të paguar çmimin e energjisë elektrike, që kjo Ministre (Balluku) me paturpësi kërkon votat e fierakëve. Nuk del për të paguar çmimin e ujit, nuk del për të përballuar shportën e ushqimeve bazike. Çfarë bëri kjo Qeveri për pensionistët? Në 13 vite i varfëroi më shumë, sot një pensionist është më i varfër se në vitin 2013, kur "Rilindja" erdhi në pushtet. Vitin e ardhshëm, çdo pensionist duhet ta dijë se me buxhetin prej 8.2 miliardë Euro, vetem 170 lekë në muaj do kenë mbështetje këta pensionistë, ndërkohë 777 miliardë lekë do të shkojnë vetëm për të paguar konçesionet e Belinda Ballukut”, tha Blushi.
Ai vuri në pah keqqeverisjen në të gjitha fushat, si arsimi dhe shëndetësia, bujqësia dhe situata ekonomike, teksa kritikoi qeverinë për shpenzime luksi. Gjithashtu tha se Kosova ka çmim më të lirë se Shqipëria për naftën, edhe pse e importon atë, teksa vuri theksin te projekti i PL, ‘4 milionë shqiptarë plus’.
Blushi premtoi në programet e partisë edhe projektin për ‘prodhime bio’ dhe përsmirësimin e situatës në bujqësi dhe blegtori.
“Po si ka mundësi që Kosova me buxhet 2.3 herë më të vogël se sa ne, rrit pagat me 110 Euro në muaj. Ne kemi buxhetin më të madh në historinë e vendit, që për fat të keq është buxheti më antisocial dhe buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit, nuk parashikon një rritje reale pagash. 8.2 miliardë Euro, 3.6 e ka Kosova, por Kosova do të rrisë 110 Euro shtesë në muaj për gjithë punonjësit në Administratën Publike, Edi Rama zero. Kosova do të rrisë 20% pensionet, që mamaja e Altinit do të merrte të paktën 20 mijë lekë të reja dhe te mos marre 10 mijë lekë, por sa ç’merr moshatarja ë saj në Kosovë”, u shpreh.
Blushi e mbylli me akuzat ndaj qeverisë se e ka lënë Fierin në hije dhe se “denoncimet me forcë, me kurajo, me trimëri, me patriotizëm i kësaj grabitje dhe zhvatjeje të përbindshme, kriminale të taksave, janë arsyeja e vërtetë pse Ilir Meta është sot në izolim ekstrem”, ku autor është ‘narkoshteti’.
“Nuk ka bandë dhe bandit që e ndalon Ilir Metën, që e ndalon Partinë e Lirisë t’i shkojë deri në fund këtij misioni për t’i rikthyer vendit lirinë, Demokracinë dhe pluralizmin politik. Edi Rama është faktuar publikisht dhe është denoncuar edhe nga kolegët e tij me fakte, me prova, me fotografi se pret në zyrën e tij përfaqësuesit më të lartë të Sinaloas dhe Ndragetës. Se vetëm 2 ose 3 Ministra të Qeverisë së Ramës kanë qenë të përfshirë në trafik direkt ndërkombëtar droge”, tha Blushi.
Ai akuzoi Ramën se “kontrollon totalisht SPAK-un”, duke përfunduar se “mosbindja civile është rruga e vetme”.