TIRANE - Ministri Ridvan Bode ka përdorur këto ditë emrin e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli për fushatën e PD-së. Kandidati për deputet i PD-së në Korçë, Bode, i ka premtuar elektoratit projektin e dështuar dy vjet më parë për shtëpinë-muze në Devoll. Disa të afërm të familjes Agolli na thonë: “projekti për muzeun është premtuar që para dy vjetësh nga ish-ministri i kulturës Bumçi dhe rezulton i dështuar”.

Duke pyetur dhe telefonuar institucionet përgjegjëse nga Tirana deri në Korçë për gjurmët e këtij projekti, dëshmohet se nuk gjen asnjë dokument zyrtar, asnjë dekret, asnjë propozim që të shkruhet ajo që i është premtuar shkrimtarit Agolli për shtëpinë-muze. Madje nga të afërm të tjerë të Agollit, mësojmë se “para dy vjetësh është premtuar që shtëpinë e tij do t’ia ta kthejë në një bibliotekë-muze dhe do të mbajë emrin “Dritëro Agolli”.

Nuk gjejmë projekte e dekrete për asnjërin variant. Qëndron vetëm varianti i Ridvan Bodes, siç ka pohuar për “Shqiptarja.com”, edhe zëdhënësi i tij, K.Fundo. Sot ministri Bode, që kandidon për deputet në Korçë, do të shkojë atje për të takuar elektoratin, ndërsa zëdhënësi Fundo, i cili ka qenë dje në Korçë, ka pohuar se “ministri Bode i ka propozuar Kryeministrit që ta kthejnë në shtëpi-muze shtëpinë e shkrimtarit Agolli në Devoll.

Unë nuk e di se në çfarë faze kanë shkuar gjërat”. I pyetur nëse dinte gjë për kohën e këtij propozimi, Fundo tha se “Nesër (sot) ministri Bode vjen në Korçë, ndërsa unë mund ta pyes dhe ju them. Unë vetë e kam dëgjuar që ministri Bode e ka thënë në tavolinë”, është shprehur zëdhënësi i ministrit të Financave.

Pas këtij konfirmimi, kemi kërkuar dje në institucionet përgjegjëse në MTKRS, duke nisur që nga Zyra e Trashëgimisë Kulturore deri tek Zyra Ligjore dhe na u tha me kompetenca se “nuk dimë gjë”, “nuk ka ardhur asnjë projekt për shtëpinë-muze të Dritëro Agollit”. Pyetëm edhe në qytetin e Korçës mos kishte ndonjë projekt bashkiak. Ish-drejtoresha e Drejtorisë së Trashëgimisë në Korçë, Merita Nemërçka, e cila ka dy javë që ka lënë detyrën, u shpreh se kur ishte ajo “nuk ka pasur asnjë dijeni dhe projekt për shtëpinë-muze të Agollit”.

Drejtori aktual i Trashëgimisë në Korçë, Vasilaq Kolevica, u shpreh se “kam vetëm dy javë në detyrë. Nuk di gjë, do të informohem këto ditë dhe do të flas me kënaqësi”. Duke iu referuar Ligjit Nr.9386, datë 4.5.2005, Për Muzetë dhe Nenit 5 për Muzetë Kombëtarë, ku shkruhet qartë se kush duhet ta bëjë propozimin dhe si merren vendimet për kthimin e një objekti muze, rezulton se premtimi i kandidatit të PD-së R.Bode synon të tërheq elektoratin, duke përdorur imazhin e Dritëro Agollit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)