Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi deklaron se Bashkia e Tiranës ka qënë deri më tani e keqmenaxhuar dhe e braktisur nga drejtuesit e saj sepse prioritet i tyre sipas Bojaxhi kanë qënë lejet e ndërtimit dhe aktivitetet partiake.
 
Bojaxhi ndërsa ka folur sot për planin e tij në mirëmenaxhimin e Bashkisë, akuzoi palët politike se kanë klientë të përbashkët, me të cilët po shkatërrojnë kryeqytetin.
 
“Flitet për shkatërrim sikur të jenë akte të pashmangshme natyrore. Është e qartë se askush nuk guxon të akuzojë sepse klientët i kanë të përbashkët. Politika është e gjitha e bashkuar rreth të njëjtëve biznesmenë. Nëse Bashkia e Tiranës nuk  çlirohet nga klientelizmi dhe korrupsioni asgjë nuk do të ndryshojë në këtë qytet”, thotë Bojaxhi.

Bojaxhi thekson ndër të tjera se mbledhja e barabartë e taksës mbi pasuritë e patundshme dhe shtimi i vend-parkimeve në zonat qëndrore të qytetit, do të shumëfishojë të ardhurat për më shumë shërbime ndaj qytetarëve.
 
Për Bojaxhi paradoksi i Bashkisë së Tiranës është se nëse nga njëra anë nuk mbledh dot të ardhurat e veta, edhe pse ka një buxhet minimal krahasuar me kryeqytetet e tjera të botës, nga ana tjetër ajo nuk arrin do të realizojë investimet dhe të shpenzoje më shumë se 80 përqind të buxhetit. 
 

Bojaxhi premton se do të bëjë: Inventarizimin e plotë dixhital të të gjitha subjekteve - banorë, biznese, prona – në bashkëpunim me zyrat e gjendjes civile, administratën tatimore, hipotekën, etj.
 
Mbledhjen e të ardhurave përmes agjentëve: ujësjellës, OSSHE, kompani telefonike, etj.
 
Vetëdijësimin e qytetarëve për kontribuimin përmes taksave.
 
Lidhjen e të ardhurave shtesë me shërbime konkrete ndaj qytetareve.
 
Rritjen, në vitin e parë, me afërsisht 10 përqind e të ardhurave vjetore (afërsisht 8 milion euro) në vitin e parë; 40 përqind në vitin e katërt (afërsisht 33 milionë euro)
 
Shpenzim të plotë të  buxhetit të Bashkisë.

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)