Bojaxhi: Pas Everestit, sfida
ime do të jetë Argjentina

Bojaxhi: Pas Everestit, sfida<br />ime do të jetë Argjentina
Ka 2 javë që është kthyer në Tiranë, duke përmbushur me sukses qëllimin që i kishte venë vetes, për të arritur në majën më të lartë atë të Everestit. Gjergj Bojaxhi, ishte një nga alpinistët shqiptar që në 25 maj në kushtet më ekstreme të motit dhe të lartësisë, si dhe me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, do të ngjitej në Everest, për të vendosur flamurin shqiptar, përkrahë flamujve të tjerë nga e gjithë bota. Ish- Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor e takojmë në një nga ditët më të nxehta të qershorit në kryeqytet, dhe ai na flet për rrugëtimin e tij dhe për momentet më të vështira e të bukura në Everest. Na bën përshtypje veshja e tij, (këmishë me mëngë të gjata ku temperaturat në Tiranë ishin shumë të larta), por sipas tij dielli i Tiranës është shumë i butë në krahasim me motin ekstrem të Everestit. Në këtë intervistë për Shqiptarja.com Bojaxhi, thotë se sfida e tij e ardhshme do të jetë maja më e lartë e Amerikës Latine, Aconcagua. I pyetur nëse do të jetë përsëri aktiv në jetën politike të vendit, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, z. Gjergj Bojaxhi duke qeshur thotë "Do më shihni në jetën publike"

Z. Bojaxhi ka pak ditë që jeni kthyer nga sfida juaj në Everest, si ndiheni?
Të them të drejtën ndihem shumë mirë sepse ka qenë një sfidë shumë e madhe. Ka qenë një periudhë shumë e gjatë përgatitje dhe lodhje njëkohësisht . Tani kjo gjë ka mbaruar dhe je në atë momentin e parë, kur je duke e shijuar atë që ke arritur, në kuptimin mendor dhe emocional.

Cilat ishin impresionet që morët kur u kthyet në Shqipëri?
Për shkak të kushteve klimatike që atje janë shumë të ashpra (në të dyja ekstremet), ditën e parë pasi ishim kthyer, isha në kopshtin tim duke punuar dhe bashkëshortja më thotë, që si ka mundësi që rri në këtë diell. Aty e kuptova se duke qenë se klima këtu është më e butë, më e këndshme dhe mesdhetare për njeriu, mund të dukej çdo gjë si parajsë. Gjelbërimi, dielli të duken më i butë, ndërkohë që atje klima është shumë ekstreme. Përveç kësaj Tibeti është shumë i zhveshur edhe bar nuk sheh, kështu që ndryshimi është shumë drastik.

Ju e thatë vet që klima këtu është e ngrohtë dhe mesdhetare, sa të vështirë e patët të mësoheshit me klimën atje?
Ne jemi mesdhetar, por ne që merremi me alpinizëm kemi krijuar një lloj përgatitje, në lidhje me të nxehtin dhe të ftohtin. Sigurisht njeriu duhet të marr masa por në aspektin e të ftohtit apo të nxehtit mendoj që përshtatshmëria jonë ishte më e kollajshme. Mendoj që pjesa më e vështirë ka qenë në aspektin e marrjes së oksigjenit dhe përgatijtes së organizmit, që mund të funksionojë dhe të përballojë një ambient, ku intesiteti i oksigjenit është shumë i ulët.

Mund të na e përshkruani më pak fjalë gjithë këtë aventurë tuajën?
Patjetër, do ta filloj që më pjesën e poshtme e deri me ngjitjen në majë. Ekspedita zgjati rreth 2 muaj dhe në mal kemi qenë rreth 1 muaj e 22 ditë. Në zonat me lartësi të madhe dhe nga këto ditë rreth 1 muaj e gjysëm që është faza e parë, ka qenë periudha e aklimatizimit. Aklimatizimi nuk është gjë tjetër vetëm një stërvitje që duhet ti bësh trupit, ose organizmit që të mësoj të përshtatet me mungesën e oksigjenit. Nëqoftëse trupi nuk aklimatizohet, ose nuk përshatet me këtë gjendje është e pamundur që një alpinist të ngjisi një majë si Everesti. Kështu që një muaj e gjysëm ka qenë një proçes gradual aklimatizimi dhe i përshtatjes të një sistemi sidomos kardiovaskular, me atë lloj klime. Dhe vetëm pasi ka mbaruar ky proçes që në përgjithsësi varet edhe nga njerëzit, (që për disa zgjat më shumë, dhe për disa më pak), vetëm atëherë aplinisti merr masa që të sulmojë majën. Me mbarimin e aklimatizimit u piketua dita dhe u gjykua që moti do të ishte brenda parametrave që rekomandohen, dhe brenda datës 20 ne kemi nisur sulmin për në majën e Everestit.

Sa zgjati udhëtimi drejt majës më të lartë?
Zgjati 5 ditë e 4 netë, gjithmonë duke ndaluar dhe duke fjetur.

Ku flinit?
Në tenda gjithë aktiviteti ka qenë në tenda. Kemi nisur në datë 20 dhe çdo ditë kemi përshkruar rreth 700 metra, sigurisht që në disa vende lartësia arrihej më shpejt dhe në disa vende ka patur pjerrësi më të madhe dhe distanca graduale, por çdo ditë është kapur 700 metërshi. Ndërkohë që ditën e fundit, sulmi përfundimtar në majë, bëhet nga lartësia 8300 metra. Nisja është bërë në orën 11 të natës me orën lokale atje dhe marshimi edhe në varësi të antarëve të grupit ka zgjatur nga 9 deri në 11 orë. Dhe në majë treshja e parë, ka arritur në orën 7:30 të mëngjesit (me orën lokale atje). Kjo lartësi është përshkruar prej 9 orësh, dhe kjo vjen për shkak të vështirësive që ke në frymëmarrje, nivelit të oksigjenit, por edhe të kushteve të tjera të terrenit.

Hasët alpinistë të tjerë përgjatë sfidës suaj?
Everestin e tentojnë çdo vit alpinist nga e gjithë bota, në krahun verior që ne tentuan që është në krahun Kinës kishte rreth 150 alpinistë që u përpoqën ta tentonin, dhe nga këta vetëm 100 arritën ta kapnin majën. Ndërsa nga krahu jugor ishte një numër më i madh dhe nga këta vetëm gjysma e tyre kapi majën e Everestit .

Çfarë emocionesh përjetuat kur u ngjitët atje?
Çdo gjë dukej si përrallë. Momenti i parë ka qenë një moment emocionues sepse gjithë ato muaj parapërgatitje, stërvitje , ishte një ndjenjë e veçantë. Kishe çdo gjë nën vete, edhe retë ishin nën mal, çdo gjë që shikoje ishte e vogël.

Zakonisht përpara se të ndërmarrim një aventurë mësojmë gjithçka rreth atij vendi. Ju vet gjërat që provuat i kishit menduar ashtu apo përjetuat një tjetër lloj ndjesie?
Të them të drejtën nuk kisha lexuar gjë për përjetimin (qesh), mund të them që nga ato që kisha lexuar prisja që periudha e aklimatizimt të ishte pak më e lehtë nga ajo që përjetova dhe ngjitja në majë të ishte më e vështirë. Kisha krijuar një lloj tjetër perceptimi. Ndërsa periudha e aklimatizimit ishte shumë e vështirë dhe e dhimbshme nga ç'e kisha menduar, ndërkohë që sulmi dhe ngjitja në majë, ishte shumë i vështirë.

Na rendisni disa momente të vështira dhe të bukura, që keni përjetuar?
Moment i vështirë është periudha e aklimatizimit, kur u tentua të bënin aklimatizimin e parë në lartësin 6400 metra. Një nga organet që mban një barrë shumë të madhe është shpretka. Sepse që trupi të përshtatet në lartësi të tilla duhet që të shtohet numri i rruazave të kuqe, në mënyrë që të përballosh rrallimin e oksigjenit dhe shpretka është organi që flirton gjakun. Unë nuk e dija në atë moment, por pasi kam ardhur në Shqipëri dhe kam bërë analizat dhe grafinë pata problemin që ajo ishte 2 centimetra më e madhe, por me siguri që aty duhet ta kisha më të zmadhuar pasi zgjerimi saj prek diafragmën, duke shkatuar një dhimbje në trup dhe kishte një ose dy ditë, që unë nuk ecja dot, as në ngjitje as në zbritje.

Në momente kur keni të tilla dhimbje apo vështirësish kishit mjekë afër?
Jo ne nuk kishim mjekë. Sigurisht që ekspeditat kanë mjekë me vete, por ajo ka një kosto shumë të madhe dhe ne kishim një lloj limiti fondesh. Në fakt ne mund të kemi qenë ekspedita me koston më të ulët për faqen veriore. Ndërsa momenti më i bukur ka qenë kur arritëm në majë, por jo vetëm ky fakt, por ishim tre alpinist shqiptar që bashkë shkelëm Everestin për herë të parë.

Për herë të parë vendoset edhe flamuri shqiptar në Everest?
Vendosja e flamurit ishte një moment krejt i veçantë. Jam krenarë që këtë gjë ia kam dedikuar shoqërisë shqiptare për 100 vjetorin e pavarësisë.

Gjergj cili ishte mendimi i parë kur ishit atje?
Mendova familjen. Fëmijët më kishën dhënë disa lodra për t'i çuar në majë të Everestit, dhe unë kisha për detyrë që ti çoja. Pra mund të them që personat e parë që më shkuan në mendje ishin fëmijët.

I keni fiksuar momentet më të bukura tuaja në fotografi?
Në fakt unë kisha marr një video kamerë me vete. Por mund të them që kemi bërë më tepër fotografi në momentin që kemi zbritur dhe jo në ngjitje. Në momentin që ishim duke synuar majën, nuk mundëm të fiksonim shumë momente sepse ishte natë.

Sa ju mbështetën familjarët tuaj, kur vendosët të shkonit në Everest?
Nuk mund të them që bashkëshortja ime ishte shumë entuziaste në fillim, por më pas më dha mbështetjen e saj maksimale (qesh).

Z. Bojaxhi, cila do të jetë sfida juaj e radhës, sa i përket fushës së alpinizmit?
Sfida e radhës do të jetë Aconcagua. Është mali më i lartë në Amerikën Latine, dhe pikërisht në Argjentinë me 6959 metra lartësi, pra për 41 metra arrin 7000 metra. (qesh)

Me se po merreni aktualisht?
Kam 2 javë që jam kthyer nga Everesti dhe po shijoj pushimet.

E meqë jemi në periudhë pushimesh, ku do t'i kaloni pushimet verore?
Nuk kam plane të caktuara, sepse nuk më pëlqen të rri stabël në një vend. Megjithatë me një grup aplinistësh pas pak ditësh do të ngjisë, Malësinë e Kurveleshit në Kuç dhe do të marr me vete edhe djalin tim.

Ju kemi parë mes sportit dhe politikës, çfarë gjeni të përbashkët?
Mund të ndalesha më tepër tek dallimet sesa tek ngjashëmria. Alpinizmi është një arenë individuale ndërkohë që politikën, do ta cilësoja si një arenë ku janë të përfshirë shumë aktorë.

Do t'iu shohim së shpejti në jetën politike të vendit?
Kam qenë gjithnjë pjesëmarrës në jetën publike të vendit, jo në atë politike, kështu që atje do më shihni (qesh).
Intervista u botua sot në gazetën Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Fundi i pushimeve, fluks dhe radhë automjetesh në aksin Peqin-Bradashesh-Elbasan! Policia Rrugore në terren

VIDEO/ Fundi i pushimeve, fluks dhe radhë automjetesh në aksin Peqin-Bradashesh-Elbasan! Policia Rrugore në terren