TIRANE- Bojkoti i avokatëve në të gjithë Shqipërinë ka hyrë në ditën e tij të dytë. Me iniciativë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, avokatët kanë bojkotuar nga dje seancat gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, pasi ata janë kundër ligjit për pagat e referencës të miratuar me vendim qeverie.
 
Në ditën e dytë të bojkotit, vetëm në Tiranë janë shtyrë 120 gjyqe ndërsa mbi 300 të tjera u anulluan dje. Mes seancave të shtyra,  në Gjykatën e Krimeve të Rënda është ajo e “Bandës së tritolit”, gjyqi për “Kastriot Ismailajn” dhe  gjyqi për “Ilir Kupën”.

Bojkoti tre ditor i avokatëve ka prekur dhe procesin gjyqësorë ndaj ish deputetit Mark Frroku i akuzuar për vrasje. Seanca ndaj Frrokut u shty për më 3 mars ora 13.00 në Gjykatën e Lartë ndërsa përballë Kolegjit Penal këtë të enjte ishte vetwm prokurori Madrid Kullolli.

Në Gjykatën e Lartë pritet vetëm seanca proceduriale në ngarkim të ish deputetit Frroku pasi procesi ndaj tij do të transferohet në gjykatën penale të Tiranës.
Ky transferim i gjykimit bëhet për shkak se Mark Frroku nuk gëzon më statusin e deputetit çka solli për pasojë gjykimin e tij deri në këtë fazë nga Gjykata e Lartë.

Bojkoti i avokatëve, do të zgjasë edhe nesër. Një ditë më parë, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë Maks Haxhia tha në Report Tv se bojkoti ka si qëllim mbrojtjen e avokatëve të rinj nga falimentimi, ndërsa kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për shpalljen të pavlefshme të ligjit “Për kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore”.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)