Sot duhet të luhej java e dytë e Superligës, por për shkak të bojkotit të inicuar nga Liga Profesioniste topi nuk u rrotullua. Për më tepër sot u kalua në një tjetër stad të paralajmëruar më parë.

Ashtu siç ishte në program skuadrat e kampionatit u rreshtuan në fushë. Madje kishte edhe arbitër, por loja nuk nisi kurrë. Kjo ndodhi në pesë stadiumet e vendit. Në Selman Stërmasi ku duhej të luhej Tirana-Teuta, në Elbasan Arena ku duhet të luhej Kukësi-Partizani, në Korçë ku duhej të luhej Skënderbeu-Vllaznia, në Laç ku duhej të luhej Laçi-Kastrioti dhe në Fier ku duhet të luhej Apolonia-Bylis.

Pas vërshëllimës së arbitrit dy kapitenët u afruan në cepin e fushës, lexuan deklaratat pro bojkotit dhe treguan përse duhej ndihmuar futbolli. Më pas të gjithë u larguan drejt dhomave të zhveshjes.

Bojkoti i kampionatit vjen për shkak të katër kërkesave financiare të Ligës Profesioniste, e cila thotë se më herët kryeministri i ka premtuar. Ndërkohë që të premten presidenti i FSHF-së Armand Duka i dërgoi një letër Ramës duke i kërkuar plotësimin e këtyre pikave, ndërsa sot kjo çështje mori edhe vëmendjen e mediave të huaja, me ‘Tuttosport’, që i kushtoi një artikull.