TIRANE- Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi sot pas vendimit të Parlamentit për të pranuar propozimet e PD-se për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Në një postim në rrjetin social "Facebook", Basha deklaron se opozita e braktisi Kuvendin për të mos u bërë fasadë e njollave .
Ndërsa lidhur me dy çështjet e pranuara nga Kuvendi, ai kërkon një marrëveshje me garanci ndërkombëtare. "Sot, falë presionit ndërkombëtar dhe vendosmërisë  sonë, u njoftua nxjerrja nga sirtaret dhe venia  në rendin e dites e  dy kërkesave të  vjetra të  opozitës  për  ngritjen e dy komisioneve hetimore. Zbatimi i kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetutese janë një detyrim. Qeveria dhe shumica kanë  qenë prej disa muajsh në shkelje flagrante të këtij detyrimi. Sot vendosen të zbatojnë kushtetutën", shprehet kreu i opozitës.
Ai thekson më tej se "si opozitë ne kemi vështirësi të pranojmë që zbatimi i vendimeve të gjykatave prej qeverisë të varet nga humori i saj, nga dhe konjukturat e ditës. Ndaj kemi kërkuar e ngulmojnë për një marrëveshje me garancinë e miqve dhe partnerëve më të mirë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Për të dyja çeshtjet madhore të konfliktit".
Në lidhje me dekriminalizimin e Kuvendit, ai shprehet se  Rama vazhdon të mos e shohë të vërtetën drejt në sy. "Vazhdon të bëjë dorëjashtin, kur është ai  autori dhe përgjegjësi  numër  një i promovimit të trafikantëve në politikë, në administratën e lartë  dhe brenda në Kuvend. Eshtë ai që i ka zgjedhur me dorë si të  tillë, që  i ka përdorur dhe i përdor si të  tillë për t'i mbyllur gojën opozitës, që i ka në punë  dhe në aktivitet  si të tillë  me  mandatet e Partisë Socialiste në xhepa", nënvizon Basha.
Sipas tij,  Rama ka detyrimin të flasë hapur me shqiptarët për këtë fenomen nga më të shëmtuarit që ka njohur jeta politike e vendit gjatë dy dekadave të fundit./ATSH/