Deputeti i Levizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Fadil Zendeli ka deklaruar se partia që ai përfaqëson nuk do të jetë e pranishme në takimin e thirrur nga kryeministri Edi Rama në Tiranë që do të mbahet ditën e sotme.

Në një lidhje ‘skype’ për ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV, Zendeli tha se takimi që Rama kishte thirrur me partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut, i shërbente vetëm partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim drejtuar nga Ali Ahmeti. Deputeti u shpreh se edhe takimi i 2016-ës ku Rama mblodhi partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut, nuk solli asnjë rezultat dhe përmirësim për kushtet e shqiptarëve.

“Nëse ne nuk ulemi në Shkup, parashtrohet pyetja pse duhet të shkojmë ne Tiranë? Ne gjithmonë kemi marrëdhënie të mira, mirëpo nuk e shohim një takim ku vlerësojmë se ka të bëjë me shqiptarët por ka të bëjë me një subjekt politik të zhytur thellë në krim, në interest të BDI-së. Prandaj një takim i tillë vlerësojmë se nuk është në funksion të shqiptarëve në Maqedoni, është takim për të shpëtuuar këtë subjekt që është në qeverisje prej 20 vitesh dhe ka lënë vetëm shije të keqe negative. Nuk e shohim veten në Tiranë sepse legjitimojmë krimin, pavarësisht se duam të jemi në komunikim me institucionet zyrtare shqiptare. Rama na thirri në 2016-ën. Kjo solli debate në Maqedoni. Nënkuptohet edhe ne si shqiptarë kemi qenë në atë takim. Mirëpo nga ato pika, nuk është kujdesur më askush, as kryeministri Rama që mori detyrime të caktuara por as partitë shqiptare në Maqedoni të Veriut”- u shpreh Zendeli.

I pyetur mbi qasjen e institucioneve zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Zendeli tha se komunkimi ishte i rrallë dhe vetëm për interesa të caktuara.

“Kanë komunikim me ne sikur të komunikojnë me një shtet tjetër a thua se po komunikojnë me një shtet nga Azia. Komunikojnë me ne vetëm kur kanë nevojat e tyre. Ne do dëshironim që komunikimi ynë të jetë i përditshëm, të na ndihmojë me informacione dhe projekte sesi mund të përmirësojmë raportet dhe kushtet e shqiptarëve”- shtoi deputeti.

Zendeli tha se pavarësisht se BDI prej vitesh ishte në qeverisje, gjendja e shqiptarëve ishte përkeqësuar duke sjellë largim masiv të të rinjve dhe ekonomi më të dobët.