Bollino: Sulmet e Berishës ndaj Report TV si gjyqet e kohës së komunizmit! Ja faktet për të vërtetën! (VIDEO-INVESTIGIM)

Prej disa javësh Sali Berisha ka filluar transmetime live me të ashtuquajturit “gjyqe publike”, të ideuar si instrument për të shmangur pyetjet e prokurorëve dhe për të bërë presione ndaj Drejtësisë, pasi Gjykata Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO), vendosi ndaj tij dhe dhëndrrit Jamarbër Malltezi, një masë shtrënguese gjatë hetimeve mbi privatizimin e ish-Klubit Partizani. Në këto gjyqe ai bëhet njëkohësisht edhe prokuror edhe gjykatës pa dhënë asnjë hapësire mbrojtje, sipas një modeli tipik komunist. Një gjyq politik që, edhe si emër, edhe si dinamikë, ngjason me gjyqet politike të kohës së Enverit. Natyrisht, duke qenë se jemi në vitin 2023, mundësia e vetme që ka Sali Berisha është ta dënojë kundërshtarin me shpifje dhe denigrime publike, por kultura që ai tregon është identike me të asaj kohe. 

Në këto gjyqe politike (si rast unikal i sulmeve ndaj një gazetari), Sali Berisha më ka përfshirë edhe mua, gazetar prej me shumë se 40 vitesh në mbarë boten dhe tani pronar i Report Tv: Ish kryeministri pa asnjë provë më ka etiketuar si përvetësues të pronës dhe “grabitqar”.  Berisha si gjithmonë manipulon totalisht realitetin, duke shpikur rrethana dhe duke paraqitur tani si korruptive procedura plotësisht ligjore të ndjekura nga Report Tv në vitin 2019 për të marrë me qira një truall me një godinë të rrënuar mbi të cilin më pas u ndërtua me shpenzimet e kompanisë selia e televizionit. Procedura plotësisht të ngjashme janë kryer në të shkuarën, edhe nga vetë Sali Berisha kur ishte Kryeministër, në favor të pjesës më të madhe të televizioneve kryesore shqiptare, përfshi edhe shumë prej tyre që transmetuan pa asnjë siklet këto akuza false.  

Këto akuza, në fakt, janë dukshëm një formë hakmarrje dhe presioni ndaj meje si gazetare, që kam qene dhe jam kritik ndaj politikës agresive të Sali Berishës që kur ishte në pushtet, por edhe dhe ndaj një medie si Report TV që më pak se dy vite më parë bëri një investigim të thellë gazetaresk mbi procedurat e ndjekura nga qeveria Berisha për privatizimin e ish-kompleksit Partizani dhe mbi financimin e 19 kullave që janë ndërtuar aty nga dhëndrri i ish-kryeministrit. Argument që është subjekt hetimi nga SPAK. 

Pra Sali Berisha më konsideron mua dhe Report Tv si “fajtorët” për hallet e tij gjyqësore dhe për shpalljen e tij “person non grata” nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe dhe për këtë arsye ka ndërmarrë një fushatë shpifjesh me qëllimin e vetëm të hakmarrjes. 

Sa i takon akuzave të tij konkrete realiteti është komplet ndryshe: 

1) Formula e kontratës 1 euro e pëdorur nga Report Tv dhe që Sali Berisha e ka denoncuar si një abuzim, është në fakt një nismë e vetë Sali Berishës kur ishte kryeministër në të largëtin 2006. Atëherë ai mburrej me planin ‘’Shqipëria 1 euro’’ që e konsideronte instrument legjitim dhe me standardet europiane më të larta për të stimuluar investimet e huaja në vend. Sipas tij, investitori i vetëm që nuk ka të drejtë ta përdorë, jam unë. Procedurat shtjellohen në detaje me VKM nr. 54 të qeverisë Rama në vitin 2014, domethënë 5 vjet më përpara se Reportv Tv (njësoj si shume sipërmarrje të tjera private) të përfitoja  

2)Ndryshe nga sa shpif Berisha, Report Tv nuk është bërë pronar i asgjëje, por ka nënshkruar vetëm një kontratë qiraje.  Në këmbim të qirasë simbolike prej 1 euro, ligji dhe qeveria detyrojnë televizionin të punësojë një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe të realizojë një investim të kushtueshëm, pjesa më e madhe e të cilit mbetet pronë e Shtetit.   

1701619411_shqarim1kontrataqiraje.jpg

Pjesë nga kontrata me qira midis Report TV dhe Ministrisë së Ekonomisë

3)VKM-të e treguara nga Sali Berisha si provë e një rasti korruptiv, janë në fakt pjesë e një procedure normale e parashikuar nga ligji për çdo ndërmarrje që pranon një kontratë qiraje të këtij lloji me Shtetin dhe nuk është një favor special i rezervuar për Report Tv   Berisha pretendon se kur ai ka qene kryeministër nuk ka firmosur kurrë një kontratë të tillë, që ai e quan ''të personalizuar''. Por edhe njëherë, gënjen. Në fakt, pikërisht Berisha në 2008, i ka dhenë një televizioni tjetër një siperfaqe prej 4900 metra katrore pa asnjë konkurrim, ndryshe nga Report Tv që ka bërë sipas ligjit një garë publike.  

1701619483_shqarim1vkmberishatv.jpg

VKM e firmosur nga ish-kryeministri Sali Berisha për të dhënë me qira pa konkurim një sipërfaqe 4900 m2 në favor të një televizioni shqiptar

Pa folur këtu për qindra VKM të tjera të personalizuara dhe të firmosura nga Sali Berisha kur ishte kryeministër. Duhet të sqaroj për hir të së vërtetës që VKM-të që permendin emrat e përfituesve janë krejt normale për çdo qeveri, por shumë VKM të Berishës ishin në favor jo vetëm të mediave, por edhe të kompanive të ndryshme të cilat ishin klientët e studios ligjore të vajzës së tij, Argita Berisha, një veprim ky i fundit në konflikt të hapur interesi dhe me nuanca korruptive.

 4) Berisha e ka etiketura si ‘’skandal të madh’’ faktin që pas firmës së kontratës për të marrë me qira një godinë të vjetër për të cilën ishte përcaktuar si detyrim ‘’rikostruksion total’’, godina u prish dhe u rindërtua. Ajo që Sali Berisha nuk e tregon është se në 26 nëntor 2019 tërmeti dëmtoi në mënyrë fatale strukturën e vjetër të godinës së ndërtuar në vitet ’60 dhe plotësisht të amortizuar: fatkeqësisht kontratën e qirasë e kisha firmosur 40 ditë përpara, në datën 10 tetor 2019, dhe para se ta merrja në dorëzim, godina u rrëzua duke e bërë edhe të pabanueshme dhe të pariparueshme.

 1701619945_b728c4135df34e3e9e4c13375f4fb075.jpg

Godina para tërmetit të nëntorit 2019

1701619688_51033119d2024b42a7b5679395ce5d85.jpg

Godina pas tërmetit të nëntorit 2019

 

Instituti i Ndërtimeve urdhëroi prishjen e objektit për arsye sigurie, siç u bë në ato muaj të tmerrshëm pas tërmetit me mjiëra godina të tjera në gjithë Shqipërinë

1701620015_shqarim1urdherprishje.jpg

Akti-ekspertimi të Insitutit të ndërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019 që urdhëroi prishjen e godinës për arsye sigurie

 

Duke qenë se ishte një pronë e Shtetit, për ta shembur plotësisht dhe për ta rindërtuar, duhej një VKM tjetër, pse kështu e parashikon ligji. Prishja u krye totalisht me shpenzimet e Report tv. Ja pse fjala ‘’rikostrunksion total’’, edhe në kontratë u ndryshua me fjalën ‘’rindërtim jo më pak se sipërfaqja e godinës ekztistuese’’: pra një klazuolë e vendosur në garanci të Shtetit që e detyron Report Tv-në ta rindërtojë të paktën të njëjtën sipërfaqe ndërtimore që ka marrë me qira dhe që në fund të kontratës duhet t’ja kthejë Shtetit ose duhet t’ja shpërblejë centimetër për centimetër. Një ndryshim i imponuar nga një rrethanë e paparashikueshme siç ka qenë tërmeti, që në fakt ka rënduar mbi investitorin në favor të Shtetit, por që Sali Berisha çuditërisht e paraqet si një skandal. 

1701619754_shqarim1rindertimjomepak.jpg

Pjesë nga kontrata e qira midis Report Tv dhe Ministrisë së Ekonomisë

 

5)Edhe godina e re e ndërtuar në vend të rrënojave të prishura, është financuar 100% nga Report Tv, duke kërkuar edhe një kredi në bankë. Eshtë thjesht qesharake shpikja e fundit e Berishës dhe hetuesisë së tij të gjyqeve politike (në fakt një ish drejtoreshë e tatimeve që pasi u dëbua nga pozicioni dhe pastaj edhe nga LSI për arsye totalisht familjare, u punësua si kamikaze nga familja Berisha), pretendime sipas të cilës godina shteterore është vendosur si kolateral te kredia: një rrethanë e pamundur, pasi nuk ka bankë në botë që mund të pranojë si kolateral një godinë ndërkohë që qiramarrësi (në ketë rast Report Tv) nuk ka çertifikatën e pronësisë. Siç duket qartë edhe nga dokumenti i barrës siguruese që Sali Berisha dhe hetuesi e tij as nuk kanë ditur ta lexojnë, banka ka pretenduar si kolateral ‘’100% të kuotave të shoqërisë kredimarrëse MTSC SHPK (pra Report tv) dhe të gjitha pasuritë/asetet e shoqërisë kredimarrëse, duke përfshirë asetet e tashme dhe të ardhme të shoqërisë MTSC SHPK’’. Pra një kërkesë krejt normale që nuk përfshin fare godinën, e cila, siç e kupton çdo njeri me një shkollim mesatar, duke qenë me qira, nuk mund të quhet as pasuri e kompanisë, as aset. 

1701620136_shqarim1kolateral.jpg

Pjesë nga barra siguruese me të cilin banka i ka dhënë kredi Report Tv

 

Në fakt siç parashikon kontrata, kjo godinë moderne që ka zëvendesuar një ndërtesë të rrënuar, në fund të afatit 20 vjeçar të kontratës, do të kthehet në dispozicion të Shtetit pa asnjë kompensim për investimin e bërë. Një tjetër kusht në kurriz të investitorit dhe në favor të Shtetit, por që Sali Berisha, në menyrën më absurde, prapë e konsideron si abuziv. 

1701620222_shqarim1siishtesieshte.jpg

Pjesë nga detyrimet të caktuara nga kontrata midis Report Tv dhe Ministrisë së Ekonomisë

 

Nëse kushtet ligjore do ta lejojnë dhe nëse MTSC do të mundë të privatizojë tokën, do të duhet t’i paguaj Shtetit gjithë vlerën e tokës sipas çmimit të referencës të fiksuar nga ligji, dhe që vetë Berisha e ka perllogaritur në mbi 1 milionë e 250.000 euro. Ku është grabitja? Në një rast të tillë, nëse ka pronar, lekët e truallit i merr ai. Për paradoks Report Tv, në rast e privatizimi do t’i paguaj Shtetit edhe vlerën e godinës së vjetër të prishur nga tërmeti! Pra as për mua, as per Report nuk ka pasur dhe nuk do ketë asnjë dhuratë!  

6)Gënjeshtra më e madhe e përsëritur prej kohe nga Sali Berisha, është se ai terren i përkiste edhe dhëndrrit të tij dhe se familjet pronare ia kanë dhuruar Bashkisë së Tiranës me kusht për të realizuar një gjimnaz.  Kjo gjë është totalisht e pavërtetë, ashtu si dhe Berisha u detyrua me ne fundt ta pranojë vetë gjatë ''pretencës'' televizive të datës 24 nëntor duke thënë se nuk disponon asnjë akt dhurimi dhe se nuk ishte në gjendje as të thotë se cilat janë ''familjet pronare''.  E vërteta qëndron se ajo tokë i takon vetëm Shtetit siç vërtetohet nga dokumentat zyrtare publike dhe jo nga përralla të sajuara nga ish kryeministri. Toka e vetme me pronarë është një shirit rreth 300 metra katrorë që ndodhet jashtë njollës së Report Tv, por ngjitur me të, që Jamarbër Malltezi me 63 trashgimtarët e tjerë e kanë pretenduar në kthim dhe e kanë marrë me dokumentat pa asnjë mëdyshje, pa i dhuruar asgjë Bashkisë siç fantazon ish kryeministri. Nëse realisht do t’i kishin dhuruar 5.000 metra katrorë për të bërë shkollë, pse e kanë pretenduar kthimin e 300 metrave të një shiriti toke që duhet të ishte pikërisht hyrja e shkollës imagjinare? 

  1701620309_shqarim1shirita300metra.jpg

Dokumenti urbanistik mbi truallin ku ndodhet Report Tv dhe shiriti 300m të kthyer ish-pronarëve mes të cilëve Jamarbër Malltezi

 

7)Një tjetër e vërtetë në fakt është se në atë trualli nuk është parashikuar kurre ndërtimi i asnjë shkolle, siç pretendon Berisha: as nga Lulzim Basha që ishte kryebashkiak deri në 2015, as më vonë, pasi Reoport tv ka firmosur kontratën e qirasë me Shtetin në tetor të vitit 2019, dhe atje është gjetur një godinë e rrënuar dhe asgjë më shumë. Pse Berisha nuk i tregon projektet për shkollën, që sipas tij Report Tv i ka sabotuar? Është e thjeshtë: Sepse nuk kanë ekzistuar kurrë!  

Më i mundshëm është fakti që duke e ditur se nuk kishin pronarë, dhëndri e kishte piketuar atë tokë për ta grabitur siç vërtetohet edhe në një VKM të firmosur nga Sali Berisha në vitin 2008 për të kaluar nën kontroll të Ministrisë së Ekonomisë (që sapo kishte përfundurar me përkushtim procedurën e privatizimit të ish-Klubit Partizani) pikërisht ''Repartin e orëve'', pra tokën ku ndodhet sot Report Tv.  

1701620537_shqarim1vkm2008.jpg

VKM 2008 me të cilin Sali Berisha ja heq bashkisë së Tiranës, pronën e repartit të orave, ku ndodhet sot Report Tv për t'ia kaluar Ministrisë së Ekonomisë

 

Me sa duket, faktin që nuk kanë arritur ta grabisin, ata e konsiderojnë si një tokë të dhuruar. Dhe ndoshta edhe ky është shkak tjetër i gjithë inatit të familjes Berisha ndaj meje për faktin që këtu u ndërtua një televizion dhe jo pallati i 20-të i tyre.  Po kjo VKM me firmën e Sali Berishës, me numër 1535 datë 26 nëntor 2008, përvec të tjerave, është prova më evidente që kur privatizimi i Klubit Partizani tashmë ishte përfunduar (ndryshe nga pretendimet mbi ''pronarët fizike' që kanë dhuruar tokat e tyre Bashkia), kjo tokë i takonte akoma Shtetit, si edhe sot, dhe askujt tjetër. Madje Sali Berisha me urdher ja ka hequr Bashkisë Tiranes për t’ia kaluar ministrisë së Ekonomisë.

1701623604_shqarim1vkm20082.jpg

VKM 2008 me të cilin Sali Berisha ja heq bashkisë së Tiranës, pronën e repartit të orave, ku ndodhet sot Report Tv për t'ia kaluar Ministrisë së Ekonomisë

 

8) Përsa përket planit rregullues të Tiranës të vitit 2013, të cilit i referohet Sali Berisha si provë që atje ishte parashikuar një shkollë, ai tregon gjithmonë një hartë të falsifikuar mbi të cilën ka shkruar vetë fjalën “shkollë e mesme”.

1701620608_shqarim1hartaimanipuluar.jpg

 

Në realitet, harta origjinale që unë e disponoj të firmosur nga kryetari i bashkisë së atëhershme Lulzim Basha, siç duket qartë, nuk ka asnjë shënim të tillë. Por mbi të gjitha, ai plan rregullues 2013, është anulluar nga Edi Rama me vendimin e datës 22.8.2014 pra më shumë se 5 vite para se Report të aplikonte për kontratën e qirasë dhe më shumë se 6 vite para se Report të merrte leje për të ndërtuar në atë truall prej 4021.5 m2, një godinë që mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë.

1701620661_shqarim1anulimiplaniurbanistik.jpg

Vendimi i 2014 me të cilin kryeministri Edi Rama ka rrëzuar gjithë planin urbanistik të vendit deri në zgjedhjet vendore të 2015

 

Sipërfaqja 4021.5 metra katrorë truall për të cilën është dhënë leje ndërtimi në datën 20.08.2020 (që në fakt ishtë i detyrueshëm si në rastin e rikonstruksionit total, si në rastin e rindertimit) , ka qenë e njëjta që nga fillimi i shpalljes së konkursit publik për dhënien me qira me konkurrim nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, dhe ajo ka mbetur. Pra, ndryshe nga pretendimet shpifëse të Sali Berishës, Report Tv nuk ka përfituar kurrë asnjë shtesë trualli.

1701620839_shqarim1lejendertimi.jpg

Leje ndërtimi të marrë nga Report Tv për një sipërfaqe trualli prej 4021.5 m2 ku saktësohet që prona është Republika e Shqipërisë

 

Shtesa që përmendet në gjyqin politik të ish kryeministrit nën hetim, është në fakt vetëm 872 metra katrorë referuar katit të dytë të godines, pra bëhet fjalë për një sipërfaqe ndërtimore dhe jo truall, që Report Tv e ka marrë përsipër t’ja rimbursojë një ditë Shtetit edhe pse ndërkohë tërmeti e kishte rrënuar, dhe ky ka qenë një tjetër kusht në kurriz të televizionit vetëm për të lejuar prishjen dhe rindërtimin total të imponuar nga tërmeti, që si mund ta kuptojë çdo njeri, nuk mund të bëhej duke shmangur një kat. Vetëm Berisha dhe hetuesit e familjes të kontraktuar për gjyqe politike, nuk e kuptojnë.   

1701626827_shqarim1katiidyte.jpg

1701621406_shqarim1shtese.jpg

Kati i dytë i godinës të rrëzuar nga tërmeti prej 872 m2 të marrë me qira si shtesë e kontratës nga Report Tv për të lejuar rindërtimin total


Report Tv mbi atë truall nuk ka ndërtuar një kullë 13 katëshe, siç ka bërë dhëndrri i Sali Berishës në tokën përballë, por një godinë me 3 kate mbytur mes pallateve të tjera e destinuar ekskluzivisht për përdorim të televizionit informativ, një nga më të mëdhenjtë të vendit, që ofron një shërbim publik dhe që sot i jep punë mbi 170 familjeve. 

1701630460_pallatetmalltezi.jpg

Kullat e Jamarbër Malltezit të ndërtuara përballë godinës 3-katesh së Report Tv

1701630500_shqarim1godinareporttvsot.jpg

Gjithë këto shpjegime nuk i kam bërë pse dikush mund të marrë seriozisht gjyqet politike dhe shpifjet e Berishës, përveç një pakice të militantëve të verbër, por e bëj vetëm për respekt ndaj publikut të Report dhe ndaj të vërtetës.  

xy/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • minushe: 04/12/2023 11:23

    pune te mbare dhe jeni te nderuar ne punen tuaj!

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj-MallaKASTRIOTI: 04/12/2023 10:19

    OK,C.Bollino për argumentet: 1.Fakti që non grata bën prekurorin dhe gjykatsin për 33 vite nuk është shumë fai i Tij,si shpifs KAMPION BOTE,por I DREJTËSISË SË TREDHUR PREJ TIJ. 2.Sb nuk e ka hallin se REP.TV ka zaptuar pronë padrejtësisht,por pse edhe këtë TV nuk po e KOMANDON DOT si gjithë të tjerët 100 % që në 2005 në Qeverisjen e Tij GANGËSTERE,Sipas Perëndimit. -Fakti që ditë-Nat TV-t e Tij i shkojnë nga pas tregon se ky përbindësh kërkon Ti nënshtroi 100 % TV-t, Gazetat,PORTALET,Drejtësinë(e kapur që në 1992),qëkurse kërkoi të bëhej MBRRT NË 1984. -Është MARRËZI kur sot kërkon të zbatohet KUSHTETUTA,kur nuk e votoi Atë 25 vite më parë. -Lutemi,Gazetari Juaj A.Doçi të riboti në Shqipëtria.com të gjitha marrëzit e Sb,Im,Lb..vilat kudo që janë ndërtuar në 33 vite,Pasi I.L.K.Pasurisl Ka vdekur ose frika i ka hyrë në kockë,Sikurse GJJKO e cila nxori nga burgu Malltezin e korruptuar me firmën e vjerrit Sb KM.

    Përgjigju
  • populli: 04/12/2023 08:57

    c'merreni me ket vrromen, ky don burgun dher pak e ka !

    Përgjigju
  • Zamir: 04/12/2023 07:01

    Berisha nuk e koncepton respektimim e ligjit dhe i di te gjithe si vetja. Keni bere nje shkrim brilant i madhi Bolino.

    Përgjigju
  • Liri Bulonja: 03/12/2023 20:19

    Bravo Carlo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës