Bologna nën ethet e librit për fëmijë
jo vetëm libra por dhe aplikacione

Bologna nën ethet e librit për fëmijë<br />jo vetëm libra por dhe aplikacione
Panairi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Librit për fëmijë u zhvillua javën e shkuar në qytetin Italian të Bolonjës.

Qyteti i njohur për nivelin intelektual dhe artistik te lartë, me rastin e këtij aktiviteti të përvitshëm, shndërrohet në qëndrën kulturore më të vizituar nga të apasionuarit e kësaj fushe. Edhe edicioni i 54-të i Bologna Children’s Book Fair ka arritur të tërheqë entuziazmin e të gjithë personazheve që qarkullojnë rreth librit për fëmijë: librashitës, ilustrues, autorë, botues, përkëthyes, agjentë letrarë, promovues të librit.

Në gjashtë pavionë të stërmëdhenj janë ekspozuar libra dhe shtëpi botuese nga e gjithë bota. Në të hyrë të panairit, gjendesh menjeherë në zemër të një ekspozite të përbërë nga ilustrime të autorëve të ndryshëm nga e gjithë bota. Këtë vit instalimi i punëve prezantuese ishte vendosur nëpër tavolina dhe jo vetëm nëpër mure ashtu siç jemi mësuar të shohim rëndom në një aktivitet të këtij lloji. Në këtë ngjarje të bukur kulturore ishte e mundshme të vizitohej edhe një espozitë e librit pop-up, duke filluar nga edicionet e para të këtij lloj publikimi, sot vepra të denja për koleksionistë të apasionuar.

Ashtu siç ia ka hija një panairi të rëndësishëm ndërkomvëtar, gjatë katër ditëve të mbushura me aktivitete brenda dhe jashtë panairit, nëpër të gjitha bibliotekat apo qendrat kulturore të qytetit italian, janë organizuar edhe nje kënd i diskutimeve mbi ilustrimin, një tjetër për përkthimin, “digital cafe” sepse dihet tashme se libri nuk është më vetëm në letër, por edhe në aplikacione etj, qendra të agjentëve letrarë, ekspozita të librave pa fjale etj.

Gjatë këtyre ditëve të ngjeshura me aktivitete nga më të ndryshme, kanë qënë të pranishëm jo vetëm autorët e ilustruesit më të mirë italianë, por edhe autore të njohur në të gjithë botën, ndër më të famshmit, ishte i pranishëm edhe Luis Sepulveda. Vendin e nderit për këtë vit e kishin Ishujt Baleari dhe Catalogna që u prezantuan edhe me një instalim interaktiv catalanas të përbërë nga “amaka” të ilustruara dhe libra të lënë në dorë të të interesuarve për t’u shfletuar lirisht. Ato të parat janë kritikuar estetikisht, por nga përdorimi masiv i tyre kanë rezultuar shumë komode në të përdorur.

Gjatë ketij panairi iu dha shumë rëndësi edhe lidhjes mes botimeve për fëmijë dhe artit. Një seksion i veçantë i çmimit të Bologna Ragazzi Award i është dedikuar artit, çmim të cilin e mori “Cloth Lullaby – the woven lige of Louise Bourgeois” me tekst të Amy Novesky dhe i illustruar nga një personalitet i vizatimit francez si Isabelle Arsenault, i publikuar nga shtëpia botuese amerikane Abrams.

“Sepse arti i përket të gjithëve dhe shtëpitë botuese kanë për detyrë të shpërndajnë këtë pasuri të përbashkët artistike, që i përket të gjithë njerëzimit”.

Katalanët, këta të dashuruar pas librit
Eshtë e njohur dashuria e katalanasve për letërsinë. Mjafton të kujtosh festën e San Jordit, shenjtit mbrojtës të Barcelonës. Çdo 23 prill, të gjithë i dhurojnë libra njëri-tjetrit. Mes të fejuarish e mes miqsh, të afërmish dhe të njohurish  dhe mbi të gjitha, u dhurohen libra fëmijëve.
“Eshtë një pushtim paqësor”, ka thënë drejtori i Institutit qe ka organizuar gjithçka, ndërsa Paula Jarrin, një librashitëse e njohur barcelonase që është marrë me programin e titulluar “Sharing a future” shton se “Meqë do të vijmë, kemi vendosur të marrim me vete çdo gjë”.

Një nga risitë më të këndshme të panairit është dhe zbulimi i botimeve katalane për fëmijë. “Shtëpia botuese më antike e Europës është katalane dhe quhet “Publicaciones de l’Abadia de Montserrat”, ndërsa ka nisur botimet e librave në vitin ‘400. Kësaj i shtohet dhe fakti se në Barcelonë funksionojnë dhe kanë sukses plot 4 shkolla të rëndësishme të ilustrimit. 17 janë ilustruesit e thërritur për të pasqyruar këtë kulturë katalanase e shumë prej tyre kanë qenë edhe pjesëmarres aktivë të panairit.
 
Nga letra tek tableti, mjafton një lente
Dihet tashmë se teknologjia ka zënë një rëndësi të veçantë në jetën e gjithsecilit prej nesh. Por jo vetëm nderlidhja dixhitale me aplikacionet mbi tablet dhe celular mund të zevendësoje perhedhjen e Lizes së botës së çudirave përtej pasqyrës.  Kjo është një përhedhje që bashkon ngjyrat dhe ndjesitë, frikën dhe kuriozitetin. Një nga momentet më të rëndësishme të ketij edicioni të Panarit ka qenë pikërisht martesa mes dixhitales dhe letres, një “realitet i shtuar”, siç është quajtur kjo “martesë” e veçantë në këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor ndërkombëtar.

«Janë programe qe nisin nga librat dhe shndërrohen menjëherë në diçka tjetër. Me pak fjalë, duke e vënë nën një lente elektronike, personazhi i librit del nga faqja e librit dhe mund të hyjë në një botë tjetër, tërësisht elektronike”. Dhe ja që mjafton një moment dhe kemi të bëjmë me një përrallë të bukur të zgjeruar dhe të sjellë në kohët moderne. Në këtë mënyrë personazhi nuk largohet nga karta, por plotësohet duke e zgjeruar fushën e veprimit dhe të fantazisë.

Dhe aktiviteti më i rëndësishëm i librit për fëmije dhe adoleshentë ka nënvizuar rëndësinë e teknologjisë duke krijuar një pavion të veçantë të dedikuar zhvillimit të programeve dixhitale për fëmijë dhe një çmim si “Bolognaragazzi Digital Award”, i cili jepet për zhvillimin e risive në programet dixhitale për fëmije. Për herë të parë, gjatë këtij edicioni është dhënë edhe çmimi i realitetit virtual të shtuar. Projekti fitues është danez dhe quhet MUR. Si në përrallë, një zog i vogël falë një programi fluturon nga libri drejt e në një tablet. Për të vazhduar udhëtimin e tij në botën e magjisë.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    PS abstenon e s'e çon mandatin e Xhaçkës në Kushtetuese, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Miniera e menaxhuar nga serbët bën më shumë shitje se krejt të tjerat të 'Trepçës'

Miniera e menaxhuar nga serbët bën më shumë shitje se krejt të tjerat të 'Trepçës'