TIRANË - Gjykata e Tiranës ka lënë dje në burg dy të arrestuarit për bombën e vendosur poshtë makinës së biznesmenit fierak, Nuredin Suli. Në masën e sigurisë “Arrest në burg”, është lënë Musa Çerpja dhe Julian Hamollari, të cilët sipas Prokurorisë janë personat që kanë blerë kartën SIM të telefonit që u gjet posht makinës së biznesmenit të lidhur me eksplozivin. Burimet nga prokuroria kanë bërë me dije se dy të arrestuarit, janë zbuluar nga kamerat e sigurisë të kompanisë telefonike në momentin e blerjes së numrit, si dhe nga dokumenti që kanë paraqitur para operatorit të shitjes.

Hetimet
Burimet thonë se Çerpja dhe Hamollari përveç numrit që është gjetur i lidhur me detonatorin dhe eksplozivin të vendosur poshtë makinës së Sulit, rezultojnë se kanë blerë edhe numra të tjerë me kartën e identitetit të njërit prej tyre. Sipas policisë, blerja e SIM-kartës është bërë në filim të muajt shkurt dhe më pas e kanë shitur atë në tregun e zi tek atentatori.

Gjatë marrjes në pyetje, të arrestuarit Musa Çerpja dhe Julian Hamollari mësohet se kanë mohuar njohjen e personit që i kanë shitur këtë kartë telefoni, e cila u gjet e padëmtuar në garazhin e makinave të qendrës tregtare te komuna e parisit. Ndërkohë, sipas hetuesve, dy të arrestuarit dyshohet se nuk thonë të vërtetën për blerësin e kartës së telefoit dhe për këtë fakt është urdhëruar arrestimi i tyre.

Edhe para gjyqtarit Artur Gaxhi, dy të ndaluarit nuk kanë pranuar njohjen me blerësin e kësaj karte. Pavarësisht këtij pretendimi, Gjykata e Tiranës me kërkesë të prokurorit të çështjes i caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg”, dy të dyshuarve për akuzën e “Veprimeve që pengojnë në zbulimin e të vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Burimet thonë se karta e telefonit, ishte aktivizuar një ditë para se ajo të gjendej e lidhur bashkë me eksplozivin në makinën e biznesmenit. Nga kqyrja e SIM kartës, rezulton se ajo kishte një thirrje, e cila nuk saktësohet ende se është bërë për të aktivizuar shpërthimin apo për provën e kartës.

Atentati
Biznesmeni Nuredin Suli i cili ishte edhe objekt i atentatit më 9 shkurt 2016, dyshon se atë ia kanë organizuar personat me të cilët ai është në hasmëri. Por pavrësisht këtij pretendimi, burimet nga policia thonë se pjesëtarët e familjes me cilët Suli ka konflikte kanë alibi për vendndodhjen e tyre në momentin e konstatimit të sasisë së eksplozivit poshtë makinës dhe dy ditë para ngjarjes.

Eksplozivi i vendosur poshtë makinës së Sulit u gjet në parkingun e katit të dytë nëntokë në qendrën tregtare “Kristal Centre”, në kryeqytet. Autorët nuk mundën ta shpërthenin atë, pasi bomba u shkëput nga makina teksa dilte jashtë parkingut. Policia bëri një shpërthim të kontrolluar të sajin, ku pas verifikimeve rezultoi që sasia e tritolit ishte rreth 300 gramë. Ende nuk janë arrestuar autorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa policia ka bërë të mundur vetëm gjetjen e pronarëve të kartës SIM të përdorur në bombë.

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)