Bomba në Legatën Sovjetike, si Byroja
vendosi të pushkatojë 22 intelektualë

Bomba në Legatën Sovjetike, si Byroja<br />vendosi të pushkatojë 22 intelektualë
Dokumentet e ngjarjes/Procesverbali i mbledhjes, ku Mehmet Shehu thotë se “do ti zgjedhim ca emra nga listat që kemi hartuar dhe ti pushkatojmë”. Si u hartua dhe firmos brenda ditës dekreti që do përligjte masakrën, edhe pse pushkatimi kishte ndodhur që një ditë më parë...
 
Incidenti i ndodhur në oborrin e ish-ambasadës sovjetike, natën e 19 shkurtit 1951, ku u hodh e shpërtheu një sasi dinamiti,  (vepër e organizatës “Bashkimi Kombëtar”)  i shërbeu regjimit komunist për të rritur terrorin dhe shuar çdo zë kundërshtar ende pa lulëzuar.

Menjëherë të nesërmen e ngjarjes së bujshme, do të niste një valë e paprecedentë arrestimesh, shumica dërrmuese intelektualë që kishin zënë vend në listat e zeza të regjimit si njerëz që nuk i përshtateshin vijës së hekurt që ishte instaluar në vend. Dëshmitë historike thonë se u kryen mbi 150 arrestime dhe se i gjithë kryeqytetin ra nën kthetrat e ankthit dhe terrorit. Brenda një kohe fae të shkurtër, pa u zhvilluar asnjë seancë e vetme gjyqësore dhe në shkelje të hapur me ligjet dhe kushtetutën e  vendit u çuan në pushkatim 22 intelektualë.

Por si u krijua skenari i kësaj masakre dhe si mund të përligjej pushkatimi i 22 njerëzve të pafajshëm për një ngjarje ku ata nuk kishin as edhe një lidhje? Çfarë po thurte kupola më e lartë e regjimit në mbledhjen e byrosë politike të 20 shkurtit 1951, vetëm një ditë pas këtij incidenti. Dialogjet e shkëmbyera në atë mbledhje sikurse edhe në Pleniumin e Komitetit Qendror e zbulojnë fare qartë këtë skenar.

Mehmet Shehu, atë kohë ministër i brendshëm, bëri ekspozenë e kësaj ngjarjeje dhe theksoi se “kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”. M.Shehu kërkoi masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, meqenëse “edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte”.  

Siç shihet nga ky procesverbal, të cilin e sjellim për lexuesit të plotë, të zbardhur sipas origjinalit, sikurse edhe me faksimile, vendimi u mor në Byronë Politike, pra një masakër e gatuar në kupolën më të lartë të partisëe të pushtetit. Ndërsa përzgjedhja e personave që do të pushkatoheshin apo burgoseshin u bë nga Sigurimi i Shtetit, sipas listave, që përmend vetë Shehu në mbledhjen e Byrosë, lista që ishin përgatitur me kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.  Nga ato lista siç shkruan studiuesi uran Butka “u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata ‘më të rrezikshmit’, të cilët në këtë rast nuk ishin as të rrezikshëm, as të dyshimtë dhe as që kishin ndonjë dijeni për ngjarjen e ambasadës. Ishin vetëm emra të njohur atdhetarësh e intelektualësh, nga familje të mëdha, natyrisht që s’e donin komunizmin, por qëndronin në punën e tyre, të patrazuar, të zgjedhur thuajse nga gjithë trevat shqiptare, që nga Gjirokastra e Delvina e deri nga Kosova, Shkupi, Dibra e Mali i Zi, në mënyrë që terrori dhe përgjakja të shtriheshin kudo”.

Edhe pse qarkullon versioni mbi një vendim gjyqësor (të fallsifikuar) sipas të cilit u dënuan  dhe u pushkatuan 22 intelektualët, në të vërtetë nuk u zhvuillua asnjë seancë gjyqësore. Dhe për të mbuluar këtë krim,  u hartua me shpejtësi brenda një dite, një projektligj që lejonte dënimet, pa bërë gjykimin, të cilin nuk pranoi ta firmoste ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, me argumentin se nuk ishte oportune një gjë e tillë. Atëherë, e kthyen në dekret dhe e firmosën presidenti Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli.  Siç e Komenton studiuesi Butka, “ky dekret i zi, i paprecedent në tërë historinë e vjetër e të re të legjislacionit botëror, përligj dënimin dhe ekzekutimin pa repektuar procedurën ligjore duke eliminuar gjithë etapat e saj si gjykimin pa pyetjen të pandehurve, mbrojtjen, apelimin, praninë e prokurorit etj”.

Dekreti mban datën 26 shkurt, ndërsa pushkatimi u krye me 25 shkurt, siç vërtetohej edhe nga dokumenti i publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi, botuar dje në gazetën tonë. Deri më sot është thënë se ekzekutimi u krye me 26 shkurt, pra ditën e nënshkrimit të këtij dekreti, por edhe po të qe kështu, dekreti duhej të hynte në fuqi pas botimit të fletoren zyrtare.

Së bashku me diskutimet e mbledhjes së Byrosë Politike sjellim  më poshtë edhe dekretin e 26 shkurtit 1951, i zbardhur sipas botimit në gazetën “Zëri i Popullit” me 27 shkurt 1951.
 
Diskutimet nga mbledhja e byrosë politike 20 shkurt 1951
  
SEANCA E DATËS 20 SHKURT DHE MBETËN VETËM ANËTARËT E BYROSË POLITIKE TË KQ.

SHOKU KOMANDANT. – Tani të shohim një propozim të Mehmetit në lidhje me masat që duhet të marrim për atë që na ngjau në Legatën Sovjetike.

SHOKU MEHMET SHEHU. – Çështja qëndron këtu. Mbrëmë në orën 7 e 47 nga rrugica që është mbrapa Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe i lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën, dritaret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Menjëherë kanë vajtur forcat për ndjekje po nuk kanë gjetur gjë. Pastaj kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur disa njerëz që ishin atje. Dyshimet tona rreth kësaj ngjarjeje janë se mund të jetë vazhda e një proçesi, po pavarsisht në se është ndonjë nga ata që mendojmë ne apo jo, ne duhet ta zbulojmë patjetër burimin dhe njerëzit e këtij atentati. Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, te elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kacaruho etj, sonte ti arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre ti pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të proçedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana, të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet terrorit ti përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi.Ne i kemi pregatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni edhe ju dakort veprojmë që sonte. Qysh mbrëmë ne kemi marrë masa për ruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë duke ju vënë nga njerëzit tonë për ti shoqëruar. Pjesa kryesore e tyre do të armatosen, pastaj kemi menduar të vemë roje edhe në të gjithë objektet ku punojnë e banojnë këta, rrotull këtyre do të bëjmë pastrimin e të heqim familjet e dyshimta si dhe njerëz të tjerë që punojnë afër tyre, pse kemi vënë re që janë futur tek ata njerëz të poshtër dy shoferë jo të mirë. Këto masa mendojmë ti marrim kudo ku ka sovjetikë që janë këtu rreth dyqind veta prej tyre. Do të marrim gjithashtu me këtë rast edhe masa më të mira për mbrojtjen e legatave të demokracive popullore, të cilat sot për sot kanë vetëm nga një roje. Me gjithë se në këto masa do të bëhen edhe mjaft harxhime po ne do ta bëjmë se janë masa të domosdoshme dhe duhe ti marrim.

TË GJITHË ANËTARËT E BYROSË. – (Një zëri) Të gjithë jemi dakort me këto masa.

SHOKU MEHMET SHEHU. – Do të ishte mirë që ne si byro politike ti bënim një telegram shokut Stalin ku ti tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe dhe ti premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundra armiqve të jashtëm dhe të brendshëm do ta vazhdojmë akoma me më ashpërsi.

TË GJITHË ANËTARËT E BYROSË. – (Aprovojnë edhe këtë propozim të dytë të shokut Mehmet Shehu)

SHOKU BEQIR BALLUKU. – Po për çështjen e atyre që do të pushkatojmë ne duhet të gjejmë edhe një motivacion.

SHOKU MEHMET SHEHU. – Këtë gjë e lidhim me atë që donin të bënin në 8 shkurt.

SHOKU KOMANDANT. – Motivacioni të mos thuhet për atentat.

SHOKU MEHMET SHEHU. – Për këtë duhet të flitet pak edhe me gjykatën dhe prokurorinë ushtarake.

(Mbyllet seanca e datës 20.2.1951)

Dekreti i botuar në gazetën “Zëri i Popullit” me 27 shkurt 1951, f 1
 
Dekret mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë t’organizatave terroriste dhe t’akteve terroriste kundër punonjësve të Pushtetit Popullor dhe organizatave politike e shoqërore të Republikës popullore të Shqipërisë.
(Në mbështetje të nenit 58, pika 6, të Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë);
Mbi propozimin e Qeverisë,
Presidiumi i Kuvendit Popullor
Nxjerr këtë dekret:
 
Dekret me datë 26 shkurt 1951 mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë s’organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të republikës së popullore të shqipërisë.
 
Neni 1
Hetimet në lidhje me veprimtarinë e organizatave terroriste dhe akteve terroriste kundër punonjësve të Pushtetit Popullor dhe organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë duhet të përfundohen brenda një kohe jo më të gjatë 10 ditë.
 
Neni 2
Akt-akuza i dorëzohet të pandehurit një ditë përpara shikimit të çështjes në gjyq.
 
Neni 3
Gjyqi bëhet pa pjesëmarrjen e palëve.
 
Neni 4
Rekursi kundër vendimit përfundimtar si dhe paraqitja e kërkesave për falje nuk lejohen.
 
Neni 5
Vendimi në masën ndëshkimore më të lartë ekzekutohet menjëherë pas dhënies së vendimit.
 
Neni 6
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Tiranë 26 shkurt 1951.
Nr. Regjistrit 1223.
 
PËR PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË
Sekretari                                                                                                                  
Sami Baholli         
Kryetari
Dr. Omer Nishani

legata sovjetike

legata sovjetike

legata sovjetike

legata sovjetike

legata sovjetike

legata sovjetike
(Procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit