Nga pasditja e sotme, nafta me pakicë nuk do tregtohet më shumë se 203 lekë/litri. Ky ishte vendimi i parë i marrë nga Bordi i Transparencës që pas rikthimit në fuqi që nga viti 2022. Që nga përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës për 1 litër pësoi rritje me 41 lekë duke u tregtuar nga 214 deri në 217 lekë. Me çmimin tavan të përcaktuar nga Bordi, ulja që ka pësuar nafta në tregun me pakicë është deri në 14 lekë.

Ndërkohë benzina në tregun me pakicë nuk do të shitet më shume se 175 lekë/litri. Nga fillimi i marsit, benzina është tregtuar nga 199 deri në 202 lekë për 1 litër ndërsa ulja e pësuar arrin deri në 27 lekë.

Vendimet e Bordit të Transparencës hynë në fuqi nga sot në orën 18:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Subjektet e tregtimit të hidrokarbureve të cilat nuk i respektojnë çmimet e vendosura nga bordi, gjobiten, deri në pezullim të licencës nëse nuk reflektojnë.

Bordi i cakton çmimet duke marrë në konsideratë bursën, vlerën në zhdoganim, koston e transportit dhe fitimin e kompanive, që do të jetë 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për litër për pakicën. Si masë lehtësuese, qeveria ka paralajmëruar se do të ulë me 20% akcizën e naftës, nëse çmimi e kapërcen 220 lekë për litër. Paralelisht do të vijojë punë edhe Task-Forca për kontrollin tërësor të sektorit, për të mos lejuar spekulimet me çmimet por edhe evazionin, si dhe nuk do të ndalet as monitorimi ditor i pikave të shumicës dhe pakicës

Njoftimi për media:

Vendimet e Bordi i Transparencës në datë 26 Mars 2026, janë si rezultat i rritjes së çmimeve në bursën  Platts Mediteran ku benzina ështe ulur me -3.35 $/ton dhe Gazoili është ulur me -7.1 $/ton nga data  25.03.2026

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të  jetë jo më shumë se 203 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 191 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 175 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 26 Mars ora 18.30 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikëmëri në vendimet e tij  lëvizjes së bursës Plats të Mesdheut për gazoilin,benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve.

Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ.

Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative.

Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet  në bursën Platz të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit.

Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim.

Ministria e Ekonomisë dhe Inoacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

Situata që po kalojmë nuk është e zakontë,  ndaj dhe vendimet që marrim, vijnë si përgjigje e zhvillimeve të ekonomisë vendase por edhe e lëvizjeve të tregjeve ndërkombëtare.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:56
Braçe reagon pas vendimit të Bordit të Transparencës: Mos vallë na kanë grabitur te ky çmimi ‘neto’ pa taksa i naftës? Meritojmë transparencë

Deputeti i Partisë Socialiste ka reaguar pasi Bordi i Transparencës caktoi sot çmimet tavan për karburantet, ku vendosi që nafta s’do shitet më shumë se 203 lekë/litri dhe benzina jo më shumë se 175 lekë/litri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe ka shkruar se me këtë vendim të Bordit, çmimi i naftës u ul menjëherë me 11-14 lekë për litër, ndërsa çmimi i benzinës u ul me 24-27 lekë për litër.

Teksa hodhi pretendime për grabitje të shqiptarëve në çmimin ‘neto’ të naftës pa taksat brenda, Braçe kërkoi që të bëhet transparencë.

Braçe gjithashtu ngriti pyetjen nëse retorika politike e mediatike e përqëndruar te taksat ka fshehur të vërtetën për abuzimet sipas tij të çmimit ‘neto’ pa taksa të naftës.

Reagimi i Braçes:

Çmimet e reja:

nafta deri ne 203 leke per liter;

benzina deri ne 175 leke per liter;

i vendosi bordi tani!

pra,

cmimi i naftes ulet me 11-14 leke per liter menjehere;

cmimi i benzines ulet me 24-27 leke per liter menjehere.

Kam kete pyetje;

cfare ndodhi?

taksat nuk kane ndryshuar, asnjera; atehere?

E mbani mend cu thashe disa dite me pare per cmimin neto te naftes-cmimin pa taksa te naftes;

ne kishim cmimin neto-pa taksa te naftes me te lartin, me te shtrenjtin ne rajon!

Fill pas kesaj Luixhi hodhi ne sulm gjithe cunat e tij, madje dhe partite rreth tij; cfare nuk thane, madje u rikthyen te premtimi i PS, bertitur nga une dhe zbatuar per shtate vite me rradhe per naften bujqve pa akcize-ne fakt po jepet falsa, pra pa leke, jo pa akcize.

Nejse, pyetja qe meriton transparence eshte:

ne kete model mizerabel tregu qe kemi, mos valle na kane grabitur aty tek cmimi neto-pa taksa i naftes e benzines??

Mos valle e gjithe narativa politike e mediatike mbeshtetur vec tek taksat, ka fshehur te verteten me cmimin neto-pa taksa te naftes e benzines dhe ka synuar ta mbyse kete te vertete?! Mu sic ka mbytur konkurrencen?!

Meritojme transparence!!

Ora 19:46
Bordi i Transparencës caktoi çmimet tavan për karburantet, deputetja Erisa Xhixho: Të pezullohen taksat e qarkullimit dhe karbonit

1774551522_cyifposds.jpg

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar sërish për çmimin e lartë të naftës në Shqipëri, pasi Bordi i Transparencës caktoi sot çmimet tavan, ku vendosi që nafta s’do shitet më shumë se 203 lekë/litri dhe benzina jo më shumë se 175 lekë/litri.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Xhixho ripërsëriti deklaratat e saj se taksat janë arsyeja që sipas saj, Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në rajon.

Xhixho theksoi se rreth 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat, teksa shtoi se për shkak të çmimit të naftës po rriten edhe çmimet e produkteve ushqimore.

Po ashtu Xhixho kërkoi që të miratohej projektligji i propozuar nga Partia e Lirisë, për pezullimin e taksave të qarkullimit dhe karbonit.

Reagimi i deputetes Erisa Xhixho:

Taksat janë arsyeja pse kemi naftën më të shtrenjtë në rajon.

Rreth 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat.

Ndaj, zgjidhja nuk janë bordet e vjedhjes, por ulja e taksave.

Të gjitha vendet e rajonit kanë marrë masa për të ulur këtë barrë, ndërsa në Shqipëri çmimi prej 214 lekësh për litër konsiderohet ende “i papërballueshëm”.

Për shkak të çmimit të naftës po rriten çmimet e të gjitha produkteve, nga buka, qumështi e djathi, etj. Gjithashtu po goditen bujqësia dhe transporti.

Partia e Lirisë ka prej 3 javësh që ka propozuar një zgjidhje përmes projektligjit për pezullimin e taksave të qarkullimit dhe karbonit.

Duhet vepruar menjëherë, sepse ekonomia po shkon drejt kolapsit.