'Ligjet' miratojnë mes debatesh Bordin e Transparencës, zv.ministri: 45% e çmimit të karburanteve, taksa! Alibeaj: E kthyet ekonominë në diktaturë

Pa votat e opozitës Komisioni i Ligjeve ka miratuar dy aktet normative për ngritjen e Bordit të Transparencës për Karburantet dhe përcaktimin e marzhit të tyre të fitimit. Në Komision nuk munguan as debatet pasi opozita tha se qeveria po cakton çmime si në komunizëm.

"Ky akt normativ nuk bën gjë tjetër, bordi përcakton çmimet në treg, si dikur në kohën e komunizmit ku përcaktoheshin çmimet fikse. Çmimet duhet t'i përcaktojë tregu. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të kufizohet me ligj për arsye të rëndësishme publike. Cilat janë arsyet e rëndësishme publike që detyruan qeverinë të bëjë këtë ndërhyrje të rëndë në Kushtetutë. Ka kthyer nga sistemi i demokracisë në diktaturë për ekonominë", tha Enkelejd Alibeaj.

Zv.ministri i Infrastrukturës Ilir Bejtja, u përgjigj duke u shprehur se u pa e udhës që të kishte një mekanizëm kontrolli, fillimisht sepse kishte dyshime se po abuzohej me çmimet, duke përmendur ndryshimin 3 herë të çmimit të naftës më 9 mars, nga 243 lekë litri, në 289 lekë litri dhe 290 lekë litri. Po ashtu ai theksoi se tjetër arsye për ngritjen e Bordit ishte edhe cenimi i rezervës së sigurisë. Sipas tij, nuk ishin të sigurt nëse të gjithë bizneset e kanë përdorur apo jo rezervën e sigurisë për furnizimin e pikave të tyre të shitjes dhe se për 2 javë u mbyllën 120 deri në 130 pika karburanti brenda.

"Siguria e furnizimit dhe efekte që dha menjëherë rritja e çmimeve. Kishte edhe dyshime të justifikuara që kishte dhe abuzime me vendosjen e çmimeve, siç ishte 3 herë ndryshimi i çmimit të karburantit më 9 mars, ku çmimi i naftës nisi me 243 lekë litri, dhe shkoi në 289 lekë litri dhe 290. U pa e udhës të ketë një mekanizëm kontrolli ku u vendos mos të ketë më shumë se 6% marzh. Elementi i fundit, cenimi i rezervës së sigurisë. Nuk ishim të sigurt nëse të gjithë bizneset e kanë përdorur apo jo rezervën e sigurisë për furnizimin e pikave të tyre të shitjes. U mbyllën rreth 120 deri në 130 pika karburanti brenda 2 javësh, pika shitje me pakicë. Që mos lejonim krijimin e një situate tërësisht monopol, u krijua ky mekanizëm", theksoi ai.

Sa i takon marzhit të fitimit të kompanive, zëvendësministri tha se është lënë 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën. Ndërsa 45% e çmimit që paguajnë qytetarët aktualisht për karburantin është taksa.

"Barra fiskale është Akciza 38 lekë/litri, taksa qarkullimit 27 lekë/litri, taksa e karbonit 3 lekë/litri, taksat e markimit dhe skanimit 1 lekë litri dhe TVSH-ja që arrin në 33 lekë/litri. Rreth 45% e çmimit të karburantit është barrë fiskale në këto kushte të çmimeve të rritura. Ndërsa me çmimet e mëparshme barra fiskale arrinte në 60% për litër karburant", u shpreh ai.

Ndërkohë për rezervat së sigurisë që duhet të kenë karburantet pa dhënë shifra se sa është ajo aktualisht apo nëse ka pasur abuzime nga kompanitë, Bejtja tha se do ndryshohet ligji në mënyrë që rezervat të mbahen në magazinat e shtetit.

"Po ndryshojmë ligjin që kjo rezervë të jetë e depozituar në një magazinë shtetërore, që mos të jetë në magazinat e kompanive", u shpreh ai.

Si pasojë rritjes së menjëhershme të çmimit të karburanteve, qeveria ngriti me akt normativ Bordin e Administrimit të Karburantit më 7 mars për të bërë transparencë në mënyrë që të mos lejoheshin abuzimet. Ky akt normativ hyri në fuqi menjëherë, ndërsa duhet të shkojë në parlament brenda 45 ditëve për t'u miratuar. Në komisionin e Ligjeve nuk u dha asnjë afat se porsa kohë do të jetë në fuqi Bordi i Transparencës për Karburantet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bordi: 12/04/2022 14:50

    Më duket se përbëhet nga vetë importuesit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot