Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj nuk është më vetëm një konflikt mes dy figurave të Partisë Socialiste, por një betejë që mund të ketë pasoja në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Ky ishte përfundimi i përbashkët i diskutimit mes ish-ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe kreut të Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV.

Të dy ndanë shqetësimin se përplasja mund të ndikojë në organizimin elektoral të socialistëve në kryeqytet, por patën qëndrime të ndryshme për rezultatin që mund të prodhojë ajo. Çipa e cilësoi të vështirë parashikimin e zgjedhjeve, ndërsa Alibeaj e sheh konfliktin si një mundësi për ndryshimin e pushtetit në Tiranë.

“Në kushtet në të cilat ndodhet politika, në rrethanat e krijuara nga protestat, në diversitetin e pashpallur brenda PS-së dhe pritshmëritë për zgjedhjet e bëjnë të vështirë parashikimin. Efekti në këtë antagonizëm kaq të thellë mes Ramës dhe Veliajt është i padiskutueshëm, jo vetëm për shkak të influencës së Veliajt tek PS, por ka lidhje me makinën elektorale të Bashkisë së Tiranës, një strukturë që përbëhet nga burime njerëzore dhe ka infrastrukturë elektorale. Këto janë arsye pse ky konflikt mes Ramës dhe Veliajt është një siklet i pashmangshëm elektoral”, tha Çipa.

Alibeaj e përshkroi konfliktin mes Ramës dhe Veliajt si një betejë mes dy njerëzve që kanë mbajtur pjesën më të madhe të pushtetit politik, duke argumentuar se Rama kërkon ta nxjerrë bashkinë nga duart e Veliajt përpara zgjedhjeve.

“Kjo është një betejë mes Ramës dhe Veliajt, mes numrit 1 dhe 2 të pushtetit. Bashkia Tiranë, në terma të volumit të pushtetit politik, vjen menjëherë pas kryeministrit. Në letrën e shënimeve të Veliajt shkruhej kërkesa e Ramës për të dorëzuar Bashkinë Tiranë. Kjo do të thotë që në mënyrë jo ligjore e të moralshme, Edi Rama është i interesuar që pushteti në bashki të ikë nga duart e Veliajt. Pra, Rama është i qartë se ky porcion pushteti i Tiranës në duart e Veliajt nuk e fut dot në shumatoren e pritshme që Rama kërkon në zgjedhjet lokale”, tha Alibeaj.

Ish-ministri ngriti pikëpyetje edhe për kandidaturën që socialistët do të paraqesin në Tiranë duke hedhur si mundësi që kryeministri të kërkojë një figurë jashtë PS-së.

“Një vit më parë, Rama deklamoi që kandidatja për Bashkinë Tiranë do të ishte Ogerta Manastirliu. Ka 2-3 muaj që ajo nuk artikulohet më nga askush. Madje duket që Rama ka ecur me idenë për t'ia dhënë bashkinë një figure jo socialiste, siç është Arbër Hajdari. Edi Rama sot ndjen që nuk mund të përPballet në zgjedhjet që vijnë me një kandidaturë qartësisht socialiste, sepse sheh të zbehur peshën e pushtetit të tij dhe PS-së dhe po kërkon që në mënyrë dinake të ofrojë një siluetë jo politike që ngjason me figurën e personazheve të protestës”, deklaroi Alibeaj.

Për ish-ministrin, përçarja mes Ramës dhe Veliajt krijon një mundësi për forcat kundër qeverisë, por ai nuk e sheh opozitën tradicionale si përfituesen e vetme. Sipas tij, lëvizja e studentëve mund të kthehet në një alternativë elektorale, nëse arrin të organizohet dhe të qëndrojë larg dy figurave kryesore politike, Ramës dhe Berishës.

“Sa i përket opozitës, ky është një nga momentet më të mira që i gjithë spektri antiqeveritar të mund të koagulohet dhe të arrijë një masë të madhe, një front në volum të burimeve njerëzore, fytyrave të reja dhe besueshmërisë publike. Këtë mund ta bëjë vetëm lëvizja e studentëve, me kushtin e mbajtjes së distancës si nga Rama, ashtu edhe nga Berisha, që është pjesë e së njëjtës problematikë. Nëse protesta strukturohet dhe bën kapërcimin e madh psikologjik për t'u prezantuar në zgjedhjet e 2027, absolutisht që potenciali për të dalë fitues është i madh. Protesta është bërë një shtrat mikpritës për dy rryma kryesore, që janë socialistët e zhgënjyer dhe demokratët e lodhur. Unë besoj që me shumë gjasë zgjedhjet e Tiranës do të sjellin përmbysje që pasohet nga një e tatëpjetë edhe për pushtetin qendror”, tha Alibeaj.

Po çfarë do ta përcaktojë fatin politik të Veliajt?

“Ka dy gjëra që do ta përcaktojnë fatin politik të Veliajt. Rrjedha e procesit juridik ku ka hyrë. Ai ka shpresë tek Strasburgu për shkeljen e të drejtave. Por ka një çelës që është i rëndësishëm për zgjedhjet e 9 majit: statusi që mban ende në dorën e tij, atë të kryetarit të Bashkisë. Ramës i nevojitet kjo për bashkinë. Nëse tërësia e burimeve njerëzore nuk do të jetë kampi kryesor i betejës së PS-së, protesta i ka dhënë një goditje ekzistenciale PS-së tek imazhi. Bjerrja e imazhit ka nxjerrë në pah probleme të brendësisë së saj, korrupsionin, raportet me hierarkinë e vlerave, problemet me meritokracinë etj. Këto ndikojnë në procesin politik dhe ecurinë e PS-së”, tha Çipa.

Përveç pasojave elektorale, diskutimi u përqendrua edhe te përplasja e fundit mes Ramës dhe Veliajt, pas transferimit të kryebashkiakut nw Fier dhe takimit të tij me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.

Alibeaj kërkoi që SPAK të hetojë tre episode, duke nisur nga transferimi i Veliajt, takimi me Gogun dhe pretendimet e kryebashkiakut për mesazhet që, sipas tij, i janë përcjellë nga Rama.

“Transferimi i një të paraburgosuri s'mund të jetë sekret shtetëror. Nuk ka pasur respektim të rregullave ligjore. Gogu ka qenë një përcjellës i fjalës së kryeministrit tek Erion Veliaj, që veçse për çështje ligjore nuk është folur. SPAK do të duhej të kishte nisur hetim për episodin e transferimit që është bërë pa arsye e justifikim ligjor. Episodi i dytë që duhet hetuar është takimi që është bërë mes Gogut dhe Veliajt. Episodi i tretë që duhet hetuar janë ato që Veliaj pretendon se Rama ka thënë për të. Të gjitha këto janë dalje nga aksi i korrektesës ligjore që institucionet shtetërore kanë konsumuar. Për të treja këto episode SPAK duhej të kishte nisur procedim penal”, tha Alibeaj.