Pas uljes së shpejtë të çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, menjëherë pasi u njoftua për armëpushim në Lindjen e Mesme, është ulur lehtë edhe çmimi i karburantit në Shqipëri.

Duke aplikuar dhe uljen e akcizës, Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të naftës nga 224 lekë/litër, në 220 lekë për litër. Pa uljen 20% të akcizës, çmimi i caktuar nga Bordi për naftën do të ishte sot 230 lekë/litër. 

Ndërsa nafta me shumicë do të shitet me 208 lekë litri.

Bordi e ka lënë të pandryshuar çmimin e benzinës në 181 lekë për litër. Çmimet e reja janë në fuqi prej orës 15:30 të ditës së sotme. dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.

Deri më sot, nafta tregtohej me 224 lekë/litri ndërsa në fuqi ka qenë dhe ulja me 20% e taksës së akcizës (ose 8 lekë), 

Prej datës 3 prill kur u caktuan çmimet e bordit, 1 tonë naftë është zhdoganuar me rreth 47 dollarë më lirë.

Vendimi i Bordit të Transparencës 8 prill

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 220 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 208 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 181 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 ora  15.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:57
Armëpushimi SHBA–Iran ul çmimet e naftës, Vengu: Të garantojmë që askush të mos përfitojë nga kriza

Ish Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu përshëndeti të mërkurën armëpushimin 15 ditor të arrirë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit dhe vlerësoi reflektimin e këtij lajmi në çmimin ndërkombëtar të naftës, që sipas tij duhet të pasqyrohet edhe në tregun shqiptar.

Në një postim në rrjete sociale, Vengu argumenton se çmimet në shitjen me pakicë duhet të bien gjithashtu dhe në të njëjtën masë. Për këtë arsye, thotë ai, qeveria dhe agjensitë ligjzbatuese do të garantojnë që askush të mos përfitojë nga kriza

“Armëpushimi 15-ditor mes SHBA dhe Iranit mund të rihapë në mënyrë të qëndrueshme ngushticën e Hormuzit. Efektet e para janë reflektuar tashmë në çmimet e naftës. Kur çmimet ndërkombëtare bien, çmimet në shitjen me pakicë duhet të bien gjithashtu dhe në të njëjtën masë. Qeveria dhe agjencitë ligjzbatuese kanë garantuar përgjatë kësaj periudhe një kontroll efektiv dhe masa zbutëse ndaj presionit të çmimeve.  Të njëjtat mekanizma do të garantojnë që, i gjithë zinxhiri nga importuesit te distributorët, askush mos të përfitojë nga kriza. As dje, as sot, as nesër” shkruan Vengu

 

Ora 15:41
Braçe për çmimin e naftës: Duhet të nxisim kursimin, puna nga shtëpia do ishte një zgjidhje

Pas vendimit të së mërkurës të Bordit të Transparencës për të ulur me 4 lek çmimin e naftës, deputeti socialist Erion Braçe nuk kurseu kritikat ndaj mazhorancës së cilës i përket, për masat e marra ndaj rritjes së çmimeve në vend duke thënë se qeveria do duhej që të kishte ndërhyrë me masa për të lehtësuar këtë ‘barrë’ ku një prej tyre mund të ishte puna nga shtëpia ose transporti publik i subvencionuar.

 “Me dhemb fakti që ne, mazhoranca patëm thjesht vetëm dy masa në këtë situatë, Bordin dhe reduktimin me 20% të akcizës; Asnjë masë për të nxitur kursimin-më pak ditë pune në javë (u kujdes Zoti për këtë me Bajram, Pashkë Katolike e këtë javë Ortodokse), punë nga shtëpia, transport publik të subvencionuar” tha Braçe në një postim në rrjete sociale.

Braçe ngriti edhe shqetësimin për informalitetin në tregun e karburanteve, duke sjellë raste nga qytetarët.

“Kam disa video që mi kanë çuar qytetarë, ku dëgjohen shitësit në pompë: ‘A e do faturën?!’ Po mirë ç’domethënë kjo? Për çdo shitje me pyetjen ‘A e do faturën’ dhe pa faturë, ku raportohet, si tatohet?! Nuk di! E kam për shtetin këtë,” shprehet ai.

Në postimin e tij Braçe ngriti edhe shqetësimin për faktin që shoqëria shqiptare nuk e njeh kulturën e kursimit, sepse ndonëse çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm, sërish në qarkullim sheh një numër të shtuar automjetesh.

"Po si ka mundësi që këto ditë me çmime të larta nafte, ka më shumë lëvizje dhe më shumë trafik??!! Na mungon shumë një ndjenjë kursimi që mban larg konsumin tonë të përditshëm nga çmimet e karburanteve dhe pranojmë të paguajmë shtrenjtë!!" u shpreh ai