Një ditë pasi i uli çmimet e karburanteve, Bordi i Transparencës njoftoi këtë të enjte vendimin për t’i ndryshuar sërish ato, por këtë herë drejt shtrenjtimit.

Sipas vendimit të sotëm, nga mesdita nafta nisi të tregtohej me pakicë për një çmim prej 217 lekësh për litër, ose 7 lekë të rinj më shumë, po aq dhe çmimi i saj më shumicë.

Ndërsa për benzinën rritja ishte më e moderuar, me vetëm 3 lekë të rinj për litër, duke e çuar çmimin me pakicë në 193 lekë për litër.

Bordi hyri për herë të dytë në funksion gati 3 javë më parë, pasi çmimi i naftës në pikat e karburantit arriti në kuotën e 229 lekë për litër.