Ka hyrë sot në fuqi vendimi për rikthimin e Bordit të Transparecës, tre muaj pasi u shpërnda.

Rikthimi i Bordit të Transparecës vjen kur çmimi i naftës ka arritur në 229 lekë për litër dhe benzina 219 lekë.

Bordi i Transparencës ka për detyrë për të caktuar çmimet tavan të karburantit në vend, duke mos lejuar kompanitë e furnizimit me karburant që të abuzojnë me çmimet.

Çmimet, që përcaktohen nga Bordi gjatë situatës së veçantë, janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe të gazit në vend, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si dhe subjektet e licencuara për veprimtari me shumicë dhe pakicë në tregun e hidrokarbureve.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha dje se paralelisht, do të ulet me 20% edhe akciza për karburantin sa herë që çmimi i naftës me pakicë do të kalojë 220 lekë për litër, dhe i benzinës mbi 200 lekë.

“Duke qenë se kemi marrë një vendim paraprakisht, ku sa herë çmimi të kalojë 220 lekë, ne do të aktivizojmë një mekanizëm, për reduktimin e akcizës me qëllim që çmimi të reduktohet, mekanizmi i vetëm me të cilin ne mund të aktivizonim këtë mekanizëm, ishte ringritja e bordit të Transparencës”,  tha Ibrahimaj.