Jo vetëm çmimet e ushqimeve por edhe karburanti është rikthyer përsëri në nivele të larta dhe po shitet deri 220 lekë për litër. Ndërkohë që aktualisht në vend nuk ka masa subvencionuese në fuqi pasi prej qershorit është shfuqizuar bordi i transparencës, u hoq edhe lehtësia në taksa, ka përfunduar subvencioni për kompanitë e transportit. Ndërsa në korrik u bë indeksimi i pensioneve me 2.7%.

Por zëvendësministri Enkelejd Musabelliu thotë në Report TV, krahas platformës së çmimeve po analizohet edhe një paketë sociale me indeksime dhe bonuse për ata më në nevojë.

“Për sa i përket paketave mbështetëse, për shkak të nivelit shumë të lartë të çmimeve dhe me radhë, patjetër që mund të ketë indeksime të të transfertave sociale, mund të ketë bonuse për transfertet sociale, janë të gjitha opsionet që janë në tavolinë dhe janë duke u analizuar. Transfertet sociale përfshijnë të gjithë por kryesisht shqetësimi kryesor patjetër që janë pensionistët, ne duhet të kemi parasysh që janë disa skema kompensimi për pensionistët që janë prej vitesh tashmë në Shqipëri, por patjetër që këto paketa edhe mund të preken për të bërë një adresim më të mirë të nevojave të këtyre shtesave”, tha Musabelliu.


Lajmi kryesor:

Inflacioni shqetëson qeverinë, do të ndërhyjë në treg me ‘Pasqyrën e çmimeve”, zv.ministri për Report TV: Platforma gati këtë muaj, qytetarët mundësi të zgjedhin marketet më ekonomike!