Borrell: Mosanëtarësimi i Gjeorgjisë në BE i shkon për shtat Rusisë

Borrell: Mosanëtarësimi i Gjeorgjisë në BE i shkon për shtat Rusisë

Dështimi i Gjeorgjisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian do t’i shkonte për shtat Rusisë, ka thënë kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, teksa i ka bërë thirrje Tbilisit që t’i zbatojë reformat demokratike.

Bashkimi Evropian e ka njohur “perspektivën evropiane” të Gjeorgjisë vitin e kaluar, mirëpo nuk e ka çuar përpara aplikacionin e anëtarësimit – ndonëse Ukrainën dhe Moldavinë i ka bërë vende kandidate – duke thënë se Tbilisi duhet t’i bëjë fillimisht disa ndryshime.

Në një vizitë në Gjeorgji, Borell ka thënë se “pa asnjë dyshim, Gjeorgjia i takon familjes evropiane”.

Mirëpo ai ka përmendur se Tbilisi deri më tani i ka zbatuar vetëm tri prej 12 kërkesave të BE-së, të cilat shërbejnë si parakusht që Gjeorgjia ta fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Rusia do të jetë shumë e lumtur nëse ne nuk ia dalim” për ta integruar Gjeorgjinë në BE, ka thënë Borell në një konferencë për media, bashkë me kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, duke shtuar se “Bashkimi Evropian nuk do ta braktisë Gjeorgjinë”.

Ai e ka kritikuar vendimin e marrë së fundi nga Gjeogjia për t’i rikthyer fluturimet direkte me Rusinë, duke i bërë thirrje Tbilisit që të veprojë në përputhje me politikat e BE-së për Rusinë.

Garibashvili ka insistuar se Qeveria e tij është “plotësisht në linjë me BE-në kur është fjala për luftën e Rusisë në Ukrainë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

Ai ka thënë se “vendimi më i mirë do të ishte nëse Gjeorgjia do ta merrte statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, deri në fund të vitit”.

Sipas tij, nëse BE-ja dështon në ofrimin e mbështetjes për Gjeorgjinë, “diçka e tillë do të dërgojë mesazh të keq te Rusia”.

Autoritetet e Gjeorgjisë janë përballur me kritika të ashpra për shkak të vlerësimeve për ulje të shkallës së demokracisë në këtë vend dhe bashkëpunim me Kremlinin, çka i ka dëmtuar seriozisht lidhjet e Tbilisit me Brukselin.

Anëtarësimi i Gjeorgjisë në BE, është synim i përfshirë në kushtetutën e këtij shteti dhe mbështetet – sipas sondazheve – nga 80 për qind e popullsisë./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë