Miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti është konfirmuar edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell.
Në një komunikatë të lëshuar për media, Borrell ka theksuar se Vuçiç dhe Kurti nën ndërmjetësimin e BE-së kanë konfirmuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur, për t'u dhënë fund vuajtjeve të të dashurve të tyre.
"Të dyja palët e njohën çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe theksuan nevojën urgjente për përpjekje shtesë të përbashkëta për zbutjen e situatës së familjeve të prekura dhe komunitetit më të gjerë. Ata vlerësuan punën e rëndësishme të bërë nga Grupi i Punës për Persona të Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të detyrimeve në fushën e personave të zhdukur, ata miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur,”- ka thënë Borrell.
Ai ka shtuar se liderët janë zotuar që në takimin e radhës të bien dakord për detajet operacionale në zbatimin e kësaj deklaratë. Në deklaratën e Borrell, më tej thuhet nga 6065 raste të personave të zhdukur në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, 1621 kanë mbetur të pazgjidhura.
“Më shumë se 20 vjet më vonë, familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, duke mos ditur se ku janë të dashurit e tyre. Familjet kanë të drejtë të dinë fatin e të afërmve të tyre, si dhe të shoqërisë në tërësi,”- thuhet në deklaratë.
Borrell ndër të tjera ka shtuar se "zgjidhja e çështjes së të zhdukurve nuk është vetëm një detyrim humanitar, por edhe faktor kyç për pajtimin dhe besimin mes njerëzve.”
“Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të vendeve të varrimit të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kujtimet zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t'u hetuar. Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret pranimin e deklaratës së dy palëve dhe pret që ajo të arrijë përparim të prekshëm në përfundimin e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj familjeve,"- ka thënë Borell.
Ai po ashtu ka shtuar se progresi i arritur nga kjo deklaratë e miratuar do të jetë nën shqyrtim të vazhdueshëm nga Komiteti i Përbashkët Monitorues i kryesuar nga BE-ja, i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes dhe Ankesit të saj për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lajmi kryesor: