Dialogu Kosovë-Serbi, miratohet Deklarata për 1.600 të zhdukurit e luftës, s'ka dakordësi për draft-statutin e 'Asociacionit'! Vuçiç: S'e pranoi Kurti

Më shumë se tre orë ka zgjatur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç ku u dakordësua Deklarata për të 1600 të Zhdukur gjatë luftës. Ndërsa nuk u arrit një dakordësi mbi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë Serbi. 

Borrell komentoi takimin e sotëm dhe tha se ishte prezantuar drafti i parë i krijimit të Asociacionit, një pikë që sipas tij do jetë fillestare për diskutimet mes Kosovës dhe Serbisë për të shkuar më pas drejt draftit final të një marrëveshje të tillë. 

“Sot ekipi menaxhues prezantoi draftin e parë para palëve. S’është drafti final. Është një pikë fillimi. Këtu është. Ky draft për Asociacionin përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes. Ky draft tashmë është vënë në tryezë. Kryeministri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mborjtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, dhe siç pritet, këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket këtij Asociacioni. S’kam pritur ndonjë gjë tjetër. Isha i bindur se palët do të kenë vështrime të ndryshme për natyrën e Asociacionit të komunave.” – u shpreh Borrell. 

Pas një deklarate të dhënë për mediat, Aleksandër Vuçiç sa i takon marrëveshjes së firmosur për të Zhdukurit, tha se ihte hequr termi ‘i zhdukur me forcë’, ndërsa sa i takon Asociacionit, tha se krijimi i një formacioni të tillë nuk u pranua nga Kurti. Presidenti serb bëri të qartë se nëse nuk do ketë zbatim të marrëveshjes së firmosur në 2013 dhe 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë “do të mbarojë gjithçka” duke nënkuptuar se nuk do të ketë më as dialog dhe përpjekje negocimi me Kosovën.

“Reagimet e tyre ishin se nuk është e pranueshme sepse nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre.. edhe pse gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2015 dhe 2013. S’ka nevojë, dhe s’ka kuptim që të pranojmë argumentimin, është qasje pa kuptim, ose do të pranohet ajo që është marrë vesh në 2013 e 2015, ose fundi i gjithçka”- deklaroi Vuçiç.

Nga ana tjetër, Kurti është shprehur edhe më parë se një Asociacion si i ai i marrëveshjes së firmosur në 2015-ën nuk është i mundur pasi vetë gjykata Kushtetuese e rrëzoi duke e cilësuar si marrëveshje anti-kushtetuese.

Marrëveshja e vitit 2015 do të thotë praktikisht formimi i një shteti brenda shteti në Kosovë, ku komunat me shumicë serbe në veri të vendit do të kenë kompetenca ekzekutive madje edhe polici të vetën gjë që Kurti e ka hedhur kategorikisht poshtë edhe gjatë takimit me Vuçiçin.

Nga ana tjetër Borrell e konsideroi si shumë të rëndësishme për dialogun marrëveshjen për çështjen e personave të zhdukur.

“Të dyja palët e njohën çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe theksuan nevojën urgjente për përpjekje shtesë të përbashkëta për zbutjen e situatës së familjeve të prekura dhe komunitetit më të gjerë. Ata vlerësuan punën e rëndësishme të bërë nga Grupi i Punës për Persona të Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të detyrimeve në fushën e personave të zhdukur, ata miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur,”- ka thënë Borrell.

Në deklaratën për të Zhdukurit thuhet se “palët bien dakord që ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen”, në lidhje me të zhdukurit. Rreth 25 vjet më parë, lufta Kosovë- Serbi përfundoi me mbi 13.000 njerëz të vrarë dhe me mbi 6.000 të zhdukur. Mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi, por nuk dihet ende për fatin e rreth 1.600 personave të zhdukur nga ajo kohë.

Pas kësaj dakordësie të rëndësishme është kaluar në pikën e dytë të takimit, në atë të prezantimit të draft statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ekipi Menaxhues - i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë - paraqiti draft-statutin për formimin e këtij asociacioni. Danijella Vujiç, nga ky ekip, tha se hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj - nga prilli 2018 deri në gusht 2018.

Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiç gjatë këtij viti, teksa në 18 mars u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku  u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:20
Osmani përshëndet deklaratën për të zhdukurit: Të implementohet

1682331809_091220212096843912211.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

“Fati i të zhdukurve me forcë ka qenë për shumë kohë një plagë e hapur në shoqërinë tonë. Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, që ishin zhdukur me forcë nga regjimi i Millosheviqit dhe nëpërmjet një gjenocidi dhe krimeve të luftës të sponzorizuara nga shteti, ka qenë për më shumë se dy dekada një barrë e rëndë për zemrat e tyre dhe për të gjithë shtetin. Ata kanë mohuar në mënyrë johumane drejtësinë dhe paqen.  Shpresojmë që Deklarata e dakorduar sot në Bruksel do të hapë rrugën për pranimin e këtyre krimeve dhe për drejtësinë. Por mbi të gjitha, një moment i çlirimit për familjet që kanë kaluar nëpër dhimbje të pashpjegueshme. Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm dhe sa i përket kësaj, siç e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori për faqe të zezë”, thuhet në deklaratë.

Ora 22:08
Borrell: Vendosja në tavolinë negociatash e draftit për Asociacionin është pozitive, do të jetë pikë fillestare

1683058146_Screenshot5.jpg

Në një konferencë për mediat pas takimit mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç në Bruksel,  Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dalë me një deklaratë zyrtare dhe ka përshëndetur hapat pozitivë sipas tij. Ai e konfirmoi se drafti që u prezantua sot për statutin e Asociacionit, do të jetë një pikë fillestare për diskutim.

Borrell para mediave ka deklaruar se ky nuk është drafti final, derisa kryeministri Kurti ndau “këndvështrimet e tij në lidhje me komunitetin serbe dhe mbrojtjen të drejtave të tyre”.

“E dyta – Sot ekipi menaxhues prezantoi draftin e parë para palëve. S’është drafti final. Është një pikë fillimi. Këtu është. Ky draft për Asociacionin përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes. Ky draft tashmë është vënë në tryezë. Kryeministri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mborjtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, dhe siç pritet, këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket këtij Asociacioni. S’kam pritur ndonjë gjë tjetër. Isha i bindur se palët do të kenë vështrime të ndryshme për natyrën e Asociacionit të komunave.” – tha ai.

Tutje, Borell ka kërkuar nga të dyja palët që të jenë konstruktive, dhe “të jenë të gatshëm për t’i bërë kompromiset e duhura”.

“Dua të inkurajoj të dyja palët që të angazhohen ne mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim, dhe të jenë të gatshëm të bëjnë kompromiset e duhura, progres duhet të udhëzohet nga marrëveshjet e kaluara dhe në përputhje me praktikat e modelet evropiane, kemi shumë të tilla, kemi shumë raste të Asociacioneve, apo komunave me të tilla natyra.” – u shpreh ai.

Mes tjerash, sa i përket kësaj çështje, Borell u shpreh si vijon: “Këto do të duhej të merreshin parasysh gjatë negocimit, ne do të lehtësojmë procesin që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, duke filluar nga drafti i prezantuar sot”.

Ora 21:42
Përfundon pas 3 orësh takimi Kurti-Vuçiç, presidenti serb: Nëse nuk pranohet Asociacioni i firmosur në 2013-2015, është fundi i gjithçkaje

Ka përfunduar pas tre orësh takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel. Pas përfundimit të takimit, Vuçiç ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka bërë me dije se Kosova nuk ka pranuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri.

Ai tha se nëse një draft statut i tillë nuk pranohet, atëherë është fundi i çdo negocimi apo dialogu.

“Reagimet e tyre ishin se nuk është e pranueshme sepse nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre.. edhe pse gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2015 dhe 2013. S’ka nevojë, dhe s’ka kuptim që të pranojmë argumentimin, është qasje pa kuptim, ose do të pranohet ajo që është marrë vesh në 2013 e 2015, ose fundi i gjithçkaje”- deklaroi Vuçiç.

Ora 21:40
Petkoviç pas miratimit të Deklaratës për të Zhdukurit: Mbrojtëm interesat serbe, hoqëm termin 'i zhdukur me forcë'

1681897508_serbi.JPG

Përfaqësuesi i Serbisë në negociatat me Kosovën, Petar Petkoviç ka reaguar pas miratimit të tekstit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, duke thënë se janë mbrojtur interesat e Serbisë edhe në këtë rast. Ai tha se në tekst është hequr termi ‘i zhdukur me forcë’ për personat e zhdukur.

"Ne ramë dakord për atë që ka insistuar pala serbe dhe ajo që ka hyrë në tekstin e deklaratës është termi "i zhdukur me forcë”, tregon rrethanat në të cilat është zhdukur një person," ka thënë Petkoviç duke shtuar se 1621 persona janë të zhdukur, nga të cilët 568 janë të kombësisë serbe.

Ai më tej ka u shpreh se Beogradi i ka përmbushur të gjitha kërkesat e Prishtinës dhe se janë gërmuar 23 vendndodhje në Serbinë qendrore, por se Prishtina është ajo që nuk po i përmbush kërkesat e Beogradit.

“Prandaj është e rëndësishme që të kemi një deklaratë edhe aty ku Prishtina ka frenuar, për të filluar procesin dhe që familjarët e të zhdukurve para së gjithash të marrin trupat e të zhdukurve dhe të dihet e vërteta e plotë. Edhe një herë, për të shmangur keqinterpretimet, ky nuk është një dokument i miratuar, i cili përmend termin që përfshin përgjegjësinë e Beogradit dhe Serbisë, ne e hodhëm poshtë atë dhe, duke u konsultuar me ekspertët më të mëdhenj juridikë nga e drejta ndërkombëtare, dolëm në një term që është i pranueshëm për ne, i cili përshkruan kushtet në të cilat një person i caktuar është zhdukur,”- ka thënë Petkoviç.

Ora 20:00
TEKSTI/ Publikohet Deklarata e miratuar nga Kurti dhe Vuçiç: Angazhim dhe bashkëpunim për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Është publikuar pak më parë në deklarata e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë për Personat e Zhdukur. Deklarata, e publikuar në faqen e BE, është e përbërë nga 9 pika, paraprirë nga preambula. Deklarata ndjek “mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për personat e Zhdukur”, i cili po ashtu përfshin edhe "personat e zhdukur me forcë".

“Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur të mbetur për t'i afruar vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme, Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë.” – thuhet në këtë pjesë.

Gjithashtu në deklaratë theksohet se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur do të trajtohen me prioritet të barabartë, dhe se çështjet e personave të Zhdukur do të njihen si çështje humanitare.

 “Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK. Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare.” – bëhet e ditur në pjesën tjetër.

Pikat e deklaratës

Ne angazhohemi së bashku;

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

-për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,

-për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,

-të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur,

-për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,

- mundësimin dhe inkurajimin e angazhimit aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

-për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe nevojat adresuar familjeve të personave të zhdukur,

-krijimi dhe bashkëpunimi përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur,

-të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

Ora 19:47
Borrell pas miratimit të Deklaratës për të Zhdukurit: Faktor kyç për pajtim

1681735805_josep.JPG

Miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti është konfirmuar edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell.

Në një komunikatë të lëshuar për media, Borrell ka theksuar se Vuçiç dhe Kurti nën ndërmjetësimin e BE-së kanë konfirmuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur, për t'u dhënë fund vuajtjeve të të dashurve të tyre.

"Të dyja palët e njohën çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe theksuan nevojën urgjente për përpjekje shtesë të përbashkëta për zbutjen e situatës së familjeve të prekura dhe komunitetit më të gjerë. Ata vlerësuan punën e rëndësishme të bërë nga Grupi i Punës për Persona të Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të detyrimeve në fushën e personave të zhdukur, ata miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur,”- ka thënë Borrell.

Ai ka shtuar se liderët janë zotuar që në takimin e radhës të bien dakord për detajet operacionale në zbatimin e kësaj deklaratë. Në deklaratën e Borrell, më tej thuhet nga 6065 raste të personave të zhdukur në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, 1621 kanë mbetur të pazgjidhura.

“Më shumë se 20 vjet më vonë, familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, duke mos ditur se ku janë të dashurit e tyre. Familjet kanë të drejtë të dinë fatin e të afërmve të tyre, si dhe të shoqërisë në tërësi,”- thuhet në deklaratë.

Borrell ndër të tjera ka shtuar se "zgjidhja e çështjes së të zhdukurve nuk është vetëm një detyrim humanitar, por edhe faktor kyç për pajtimin dhe besimin mes njerëzve.”

“Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të vendeve të varrimit të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kujtimet zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t'u hetuar. Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret pranimin e deklaratës së dy palëve dhe pret që ajo të arrijë përparim të prekshëm në përfundimin e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj familjeve,"- ka thënë Borell.

Ai po ashtu ka shtuar se progresi i arritur nga kjo deklaratë e miratuar do të jetë nën shqyrtim të vazhdueshëm nga Komiteti i Përbashkët Monitorues i kryesuar nga BE-ja, i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes dhe Ankesit të saj për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ora 18:56
Kurti dhe Vuçiç miratojnë Deklaratën për të Zhdukurit

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë. Në deklaratë thuhet se “palët bien dakord që ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen”, në lidhje me të zhdukurit.

Ora 18:37
Vuçiç para nisjes së takimit me Kurtin: Të mëdhenjtë e perëndimit janë kundër Serbisë! Drejtësia është në anën tonë

1678025865_Screenshot1.jpg

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka folur para nisjes së takimit me kryeministrin Albin Kurti në Bruksel. Ai tha se priste që të kishte bisedime të vështira, duke ‘u viktimizuar’ me pretendimin se fuqitë perëndimore janë kundër Serbisë.

“Do të jetë e vështirë. Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë nga Perëndimi. Megjithatë, në anën tonë është drejtësia. Është më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë sesa e fuqishme është dashuria për liri dhe sa fort duhet të ruhet, pavarësisht presioneve”, shtoi presidenti serb.

Ora 18:18
Diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nis takimi Kurti-vuçiç në Bruksel, të pranishëm Borrell dhe Lajçak

Ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Ditën e sotme nis raundi i ri i bisedimeve lidhur me formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. 

Të pranishëm në takim janë edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. 

Ora 16:48
Takimi në Bruksel, Bërnabiç: Nuk kam pritshmëri! Kurti po e shkel qëllimisht marrëveshjen

1683039245_anabernabic.jpg

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka deklaruar se nuk ka pritshmëri nga takimi i sotëm i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Ajo thotë se sipas saj Prishtina po e shkel Marrëveshjen e Brukselit, dhe atë qëllimisht. Brnabiq thotë se nuk e sheh qëllimin e Prishtinës për të zbatuar atë që është marrë dhjetë vjet më parë.

“Nuk shoh se si do të ndryshojë pas më shumë se dhjetë vjetësh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit si marrëveshja e parë për normalizimin që BE-ja e garantoi me nënshkrimin e saj. Unë nuk shoh ndonjë gatishmëri në Prishtinë, ata tashmë janë shpërblyer për moszbatimin e marrëveshjes së Brukselit’’- tha Bërnabiq për RTV, raporton Kosovo Online.

Ajo shtoi se problem nuk është vetëm se nuk kanë zbatuar asnjë fjalë nga Marrëveshja e Brukselit, po se sipas saj edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023 Prishtina ka shkelur drejtpërdrejt letrën e Marrëveshjes së Brukselit duke ua mohuar të drejtën serbëve për të votuar në zgjedhjet e shpallura nga Beogradi në vitin 2022, dy herë.

“Një herë në rastin e një referendumi dhe herën e dytë në rastin e zgjedhjeve. As BE-ja dhe as Quinta praktikisht nuk u përpoqën ta pengojnë këtë, nëse jemi të sinqertë, sepse një deklaratë për shtyp nuk është një përpjekje serioze për ta parandaluar atë. , dhe prandaj e ka përsëritur Aljbin Kurti. Pastaj edhe shkarkimi i drejtorit të policisë së rajonit “Veriu”, që nuk ka lidhje me Prishtinën dhe Albin Kurtin, por është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”- tha Bërnabiq.

Ajo shton se sipas saj Kurti jo vetëm që nuk e zbatoi Marrëveshjen e Brukselit, por edhe e shkel atë. Bërnabiç thotë se nuk ka pritshmëri nga ky takim.

“Por edhe me këto pothaujse-zgjedhje që u mbajtën në veri të Kosovës, nuk dëgjova më asgjë për këtë nga BE-ja. Në fakt, ato që u dëgjuan ishin praktikisht vota miratimi për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Prishtinës, andaj sot nuk kam asnjë pritshmëri. Ne po mundohemi të vazhdojmë të jemi tolerantë, të ruajmë paqen dhe njëfarë stabiliteti, përkundër përpjekjeve të Prishtinës për të shkaktuar destabilizim”- shtoi Bërnabiç.

Ora 15:49
Osmani: Kosova duhet të ketë draftin e saj të statutit të Asociacionit

1682331809_091220212096843912211.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar mbi takimin mes kryeministrit të  Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ajo është shprehur se një draft i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të prezantohet nga ana e Kosovës.

Ajo tha se Republika e Kosovës duhet të ketë draftin e saj sepse nuk do të lejohet që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues që në realitet është draft i Vuçiç, të bëhet bazë e negociatave.

Më tej ajo tha se Kosova duhet të ketë draftin e saj në përputhje të plotë me Kushtetutën, në mënyrë që të mos cënohet sovraniteti, as integriteti territorial.

Më herët nga Qeveria e Kosovës, është bërë e ditur se një draft i statutit të Asociacionit pritet të prezantohet në Bruksel nga i ashtuquajturi grup menaxhues që është themeluar në bazë të marrëveshjes së parë në lidhje me Asociacionin të nënshkruar më 2013 mes dy vendeve.

Marrëveshja për Asocacionin nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa Kosova thotë se ato kompetenca do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Në anën tjetër, sa i përket pikës tjetër të takimit që ka të bëjë me personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, Osmani tha se miratimi i një deklarate për këtë çështje është shumë e rëndësishme.

“Kjo është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hapë arkivat, aty ku gjinden edhe dëshmitë për mbi 1.600 të zhdukur me dhunë të luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët nëse nuk bllokohet nga ana e Serbisë, do të përfundojë sot, partnerët ndërkombëtarë të sigurohen që çdo hap që premtohet, të zbatohet”, tha Osmani.

Ora 15:43
Vuçiç para takimit me Kurtin në Bruksel: Do të jetë vështirë, gjaku i derdhur nuk harrohet

1683035023_vuxxi.JPG

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para takimit të sotëm në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë “se gjaku i derdhur nuk duhet të harrohet”.

“Prej ditësh, në veçanti dje dhe sot, Albin Kurti po udhëheq një fushatë kundër Serbisë. Ai dhe ndihmësit e tij, përfshirë të gjithë nga Shaip Kamberi e deri te Azem Vllasi, dhe të gjithë politikanët dhe analistët”, tha Vuçiq.

“Do të jetë e vështirë. Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë nga Perëndimi. Megjithatë, në anën tonë është drejtësia. Është më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë sesa e fuqishme është dashuria për liri dhe sa fort duhet të ruhet, pavarësisht presioneve”, shtoi presidenti serb.

M.Q./B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pajaziti Z: 02/05/2023 20:44

    Është mashtrim i radhës i Albin Kurcit , një serbofili që Idol ka Abazovićin! Po të ishte KURCI një Shqipëtar i vërtet , do " luftonte " në vendëlindje ( Crna Gora) , që atje Shqipëtaret mos të flasin Serbisht, po të flasin SHQIP? Në vedëlindjen e Kurcit Shqipëtaret sot deklarohen si " Bośnjak " !!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Juventus rigjen shkëlqimin, Koopmeiners dhe Gonzales supergola! Sonte dy sfida për 1/8 e Kupës (VIDEO)

Juventus rigjen shkëlqimin, Koopmeiners dhe Gonzales supergola! Sonte dy sfida për 1/8 e Kupës (VIDEO)