Në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik 2015-2017, të miratuar në 4 mars nga Këshilli i Ministrave, qeveria pranon se “borxhi gjatë vitit 2014 ka pësuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme”. Kjo është diçka, për të cilën qeveria Rama ishte përgatitur .Ndërkohë, sa dhe si është rritur ky borxh, kjo mund të mësohet nga statistikat zyrtare të ministrisë së Financave për borxhin publik gjatë vitit të kaluar. RRITJA Ndryshimi i vlerës së borx hit të përgjithshëm të shtetit është me të vërtetë impresionues. Financat bëjnë me dije se në 12 muajt e vitit të kaluar stoku i borxhit ka arritur në 977.8 miliardë lekë, ose 6.99 miliardë euro. Nisur nga shifra e vitit 2013, rezulton se borxhi publik është rritur me 92.7 miliardë lekë apo 662 milionë euro.

Dhe, e llogaritur ndryshe, del një shifër mesatare prej 1.8 milionë eurosh në secilën prej 365 ditët e vitit 2014. Borxhi ka arritur në një vlerë sa 69.15 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit gjatë vitit, duke tejkaluar prognozat. Por këtu nuk llogariten detyrimet e prapambetura, me të cilat kalon mbi 70 përqindëshin.


RAPORTET

Ministria e Financave paraqet një shifër të përafërt për Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit gjatë vitit të kaluar, duke e përcaktuar atë në 1.4 mijë miliardë lekë, gati fiks 10 miliardë euro. Nga shifra e 2013-ës prej 1.34 mijë miliardësh, duket se ka një rritje. Pra, vendi nuk ka shënuar recesion. Por, nga ana tjetër, ajo që bie në sy është fakti se ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qenë më i ulët se ai i rritjes së borxhit publik.

Pra, në se ky i fundit u rrit me 1.8 milionë euro në ditë, PBB-ja është rritur me afro 960 mijë euro në ditë mësatarisht. Një ritëm gati dy herë më i vogël. Kështu, duket se qeveria ka mjaft punë për të shlyer detyrimet e trashëguara, ndërkohë që kriza globale ende nuk po përfundon. Sipas Financave, borxhi i brendshëm llogaritet në 565 miliardë lekë, ndërkohë që ai i jashtëm është në nivelin e 412 miliardëve.

Gjatë vitit të kaluar janë lidhur 12 marrëveshje midis institucioneve të shtetit shqiptar dhe atyre financiare apo shteteve të huaja. Por vetëm gjashtë prej tyre kanë filluar të realizohen që gjatë 2014-ës.

tabela

Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com

Redaksia Online
(F.i/Shqiptarja.com)