Donald Trump dhe Vladimir Putin ishin dy emrat që Milorad Dodik zgjodhi të falënderonte sapo shpalli fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje Hercegovinë.

"Nëse nuk do të kishte qenë fitorja madhështore e Donald Trumpit, ndoshta sot do të ishim politikisht të vdekur. Tani, falë këtij realiteti të ri, jemi fitues politikë", u tha Dodik mbështetësve në Banja Luka, duke falënderuar njëkohësisht edhe presidentin rus Vladimir Putin.

Edhe pse nuk ishte kandidat, pasi është ndaluar të mbajë postin e presidentit për gjashtë vjet pas një dënimi për tejkalim kompetencash, Dodik mbetet figura më e fuqishme politike në Republikën Sërpska. Partia e tij SNSD fitoi sërish zgjedhjet në entitet, ndërsa kandidatja e saj, Zheljka Cvijanoviç, është drejt një mandati të ri si anëtarja serbe e Presidencës treanëtarëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Por përtej fitores së Dodikut, rezultati i zgjedhjeve konfirmoi edhe një prirje më të gjerë. Partitë që përfaqësojnë tre komunitetet kryesore etnike – SNSD mes serbëve, SDA mes boshnjakëve dhe HDZ BiH mes kroatëve – ruajtën ose forcuan pozitat e tyre, duke treguar se politika në Bosnje vazhdon të dominohet nga ndarjet etnike.

Sipas profesorit të Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, Shaçir Filandra, ky rezultat është pjesë e një tendence që po shihet në mbarë Europën, ku forcat konservatore dhe të djathta po fitojnë terren në një klimë pasigurie dhe krizash. "Po shohim forcimin e pikëpamjeve konservatore dhe konsolidimin e forcave të djathta si pjesë e trendeve më të gjera europiane. Në kohë krize dhe pasigurie, edhe Bosnja është përfshirë nga kjo prirje", thotë ai.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme të zgjedhjeve ishte rikthimi i HDZ BiH në vendin kroat të Presidencës. Darijana Filipoviç është drejt fitores, duke i dhënë fund tetë viteve të Zheljko Komshiçit, zgjedhja e të cilit kishte shkaktuar përplasje të vazhdueshme mes partive kroate dhe boshnjake.

Historiani dhe kolumnisti Dragan Markovina tha pwr Al Jazeera se një pjesë e opinionit publik e sheh këtë ndryshim si një mundësi për të ulur tensionet mes kroatëve dhe boshnjakëve, por ai nuk pret ndryshime të mëdha në funksionimin e shtetit. Sipas tij, Bosnja mund të rikthehet te një koalicion mes SDA, SNSD dhe HDZ, tre partitë që kanë dominuar vendin për pjesën më të madhe të periudhës pas luftës. "Asgjë nuk është përmirësuar dhe asnjë problem themelor nuk është zgjidhur kur këto parti kanë qeverisur bashkë", thotë Markovina, duke shtuar se rritja e nacionalizmit në Europë e shqetëson edhe për të ardhmen e Bosnjës.

Në Presidencën e re pritet të jetë vetëm një anëtar me orientim të deklaruar qytetar dhe multietnik, Denis Beçiroviç, i cili fitoi një mandat të dytë si përfaqësues i boshnjakëve.

Një tjetër sinjal ishte pjesëmarrja e ulët në zgjedhje. Vetëm rreth 42% e qytetarëve votuan, afro 10 pikë përqindje më pak se katër vjet më parë. Analisti i pavarur Sreçko Latal vlerëson se përveç apatisë së votuesve, ndikim mund të ketë pasur edhe përdorimi për herë të parë në shkallë të gjerë i identifikimit biometrik dhe skanimit elektronik të votave, që sipas tij kufizoi mundësinë e manipulimeve të pretenduara.

Rezultati i zgjedhjeve vjen në një kohë kur Bosnja vazhdon të ketë mbështetje të lartë për integrimin europian. Sipas një sondazhi të Drejtorisë për Integrimin Europian, 74.4% e qytetarëve do të votonin pro anëtarësimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, vendi mbetet i bllokuar në procesin e integrimit. Edhe pse mori statusin e vendit kandidat në vitin 2022, Bosnja nuk ka hapur ende asnjë kapitull negociues dhe duhet të përmbushë 14 prioritete të vendosura nga Komisioni Europian.

Sistemi politik i ndërtuar pas Marrëveshjes së Dejtonit, me një Presidencë treanëtarëshe, dy entitete, dhjetë kantone dhe 14 qeveri e parlamente në nivele të ndryshme, vazhdon ta bëjë të vështirë miratimin e reformave. Për këtë arsye, sipas shumë vëzhguesve të politikës boshnjake, zgjedhjet nuk ndryshuan drejtimin e vendit, por konfirmuan se Bosnja mbetet e mbërthyer në të njëjtin ekuilibër politik që e ka shoqëruar prej përfundimit të luftës në vitin 1995.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:48
Partia e tij fitoi zgjedhjet në Bosnje Hercegovinë, Milorad Dodik feston fitoren me këngët e Lepa Brenës

Milorad Dodik kishte më shumë se një arsye për të festuar mbrëmjen e së dielës. Një vit pasi drejtësia i hoqi mandatin presidencial dhe pasi administrata Trump i hoqi non-gratën, ai arriti të kishte aleatët e tij në krye të garës elektorale për postet kryesore dhe partinë e tij duke ruajtur epërsinë në Republikën Sërpska, entitetin serb të Bosnjë-Hercegovinës. Vetë nuk mund të kandidonte, por në festën e SNSD-së ishte sërish ai që shpalli fitoren, falenderoi mbështetësit dhe ia morri këngës.

Nuk zgjodhi këngë dosido. Ishin këngë me mesazh edhe për perëndimin. 

Dodik këndoi "Ne može nam niko ništa", këngën e Mitar Miriçit që në shqip do të thotë "Askush nuk mund të na bëjë asgjë", dhe më pas "Četiri godine" të Lepa Brenës që përkthehet 'edhe 100 vjet'.

Dodik duket shënd e verë dhe ka arsye të forta sepse dy aleatët e tij Zheljka Cvijanoviç dhe Savo Miniç  i japin Dodikut mundësinë të ruajë ndikimin në institucionet nga të cilat gjykata e ka përjashtuar personalisht.