BOSNJE - Dhjetra persona kanë mbetur të plagosur gjatë protestave anti-qeveritare që po zhvillohen në Bosnje. Në Tuzla, në veriun e vendit, policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestues që ishin mbledhur për të dytën ditë rradhazi, për të protestuar kundër papunësisë.

Protestuesit nisën protestat e tyre si pasojë e humbjes së punës, pas falimentimit të 4 ndërmarrjeve shtetërore të privatizuara, në të cilat ishin të punësuar një pjesë e madhe e popullsisë vendase. Edhe në disa qytete të tjera, duke filluar nga Sarajeva, ka pasur protesta ku janë bashkuar të rinj të papunë, studentë dhe të moshuar. Të rinjtë akuzojnë qeverinë për shitjen e këtyre ndërmarrjeve, duke i lënë punëtorët pa pensione dhe pa një sistemim.

Ata janë shprehur të indinjuar se familjet e tyre nuk kanë me çfarë ta shtyjnë muajin, ndërkohë që politikanët ulen nëpër karriket e institucioneve dhe vjedhin. Papunësia në Bosnje arrin në 28 përqind, që është përqindja më e lartë në Ballkan.

(v.gj/shqiptarja.com)