Franca kalon në çerekfinalet e kampionatit botëror të Brazilit pas eliminimit të Nigerisë. Ndeshja me afrikanët ishte parashikuar e lehtë për ‘gjelat’ e drejtuar nga trajneri Deshamp, por kualifikimin e siguruan vetëm në 10 minutat e fundit falë individualitetit të Pogbasë dhe autogolit të Joseph Yobo.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë për të dy ekipet, Franca pritej që të ishte mbretëresha e fushës, por afrikanët nuk lejuan superioritetin e trikolorëve duke luajtur si të barabartë. Madje arbitri në pjesën e parë të ndeshjes u anuloi edhe një gol për pozicion jashtë loje nigerianëve.

Në të dytën, Deshamp inkurajon të tijët në dhomat e zhveshjes që dalin më të karikuar. Minutat e mira me presion ndaj  Nigerisë u shpërblyen në minutën e 79 kur mesfushori i talentuar, Pogba përfiton nga një dalje e gabuar e portierit afrikan pas një goditje nga këndi duke devijuar saktë topin me kokë në rrjetë.

Goli zhbllokon sfidën dhe lojën, teksa Nigeri u zhvendos e gjitha në sulm në kërkim të barazimit, por në minutat shtesë pas përfundimit të kohës së rregullt pëson edhe golin e dytë, këtë herë pas gabimit të lojtarit të saj Joseph Yobo që nuk tregohet i saktë në zonë falë edhe presionit të Grizman, i cili ndryshoi lojën e francezëve pas futjes në lojë. Pas kësaj fitoreje Franca shkon e qetë në turin tjetër.



d.b/shqiptarja.com