Sulmi me thikë ndaj shkrimtarit Salman Rushdie, u dënua nga shkrimtarë dhe politikanë në mbarë botën si një sulm ndaj lirisë së shprehjes.
SUZANNE NOSSEL, SHEFE EKZEKUTIVE E ORGANIZATËS PËR LIRINE E SHPREHJES “PEN AMERICA”:
"Nuk kujtojmë asnjë incident të ngjashëm ndaj një shkrimtari në tokën amerikane. Vetëm disa orë para sulmit, të premten në mëngjes, Salman më kishte dërguar email për të ndihmuar me sistemimin e shkrimtarëve ukrainas që kanë nevojë për strehë të sigurt nga rreziqet e rënda me të cilat përballen. Salman Rushdie ka qenë në shënjestër për fjalët e tij për dekada, por kurrë nuk është zmbrapsur e as nuk është lëkundur. Ai i ka kushtuar energji të palodhshme ndihmës për të tjerët që janë të pambrojtur dhe të kërcënuar."
BOTUESI NORVEGJEZ WILLIAM NYGAARD, I CILI U QËLLUAR DHE U PLAGOS RËNDË NË VITIN 1993 PAS PUBLIKIMIT TË VEPRËS SË SHKRIMTARIT RUSHDIE:
"Rushdie ka paguar një çmim të lartë. Ai është një shkrimtar i madh që ka një rol me peshë për letërsinë."
Bota letrare dhe politike dënon me forcë sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie
"Ky sulm i tmerrshëm ndaj mikut tim të dashur Salman përfaqëson një sulm ndaj lirisë së mendimit dhe fjalës. Këto janë liritë që mbështesin të gjitha të drejtat dhe liritë tona. Salmani ka qenë një mbrojtës frymëzues për shkrimtarët dhe gazetarët e persekutuar në mbarë botën. Ai është një shpirt i zjarrtë dhe bujar, një njeri me talent dhe guxim të jashtëzakonshëm dhe ai nuk do të zmbrapset."
BURHAN SONMEZ, SHKRIMTAR, PRESIDENT I ORGANIZATËS LETRARE PEN INTERNATIONAL:
"PEN International e dënon fuqimisht sulmin brutal ndaj (shkrimtarit) Salman Rushdie. Salmani është një autor i nderuar dhe i famshëm dhe anëtar i vlefshëm i komunitetit të PEN, i cili është përballur me kërcënime për veprën e tij për vite me radhë. Askush nuk duhet të vihet në shënjestër, aq më pak të sulmohet, për shkak të shprehjes paqësore të pikëpamjeve të tyre. I urojmë mikut tonë të dashur shërim të shpejtë. Mendimet tona janë me të dhe familjen e tij."
TASLIMA NASREEN, SHKRIMTARE NGA BANGLADESHI QË KA VENDIN, PASI NJË GJYKATË THA SE KISHTE LËNDUAR NDIJENJAT FETARE TË MYSLIMANËVE ME ROMANIN E SAJ 'LAJJA' ('TURP'):
"Sapo mësova se Salman Rushdie u sulmua në Nju Jork. Jam vërtet e tronditur. Nuk e kisha menduar kurrë se do të ndodhte një gjë e tillë. Ai jeton në Perëndim dhe është i mbrojtur që nga viti 1989. Nëse sulmohet ai, kushdo që është kritik ndaj Islamit mund të sulmohet. Jam e shqetësuar."
KHALED HOSSEINI, SHKRIMTAR:
"Jam tmerrësisht i tronditur nga sulmi prej frikacakësh ndaj shkrimtarit Salman Rushdie. Lutem për shërimin e tij. Ai është një zë i domosdoshëm dhe nuk mund të heshtet".
KRYEMINISTRI I MBRETËRISË SË BASHKUAR, BORIS JOHNSON:
"I indinjuar që Sir Salman Rushdie u godit me thikë gjatë ushtrimit të një të drejte që nuk duhet të ndalojmë kurrë së mbrojturi. Mendimet e mia janë me të dashurit e tij. Të gjithë shpresojmë që ai të bëhet mirë ."
KRYEMINISTRI KANADEZ JUSTIN TRUDEAU:
“Sulmi ndaj autorit Salman Rushdie është një goditje ndaj lirisë së shprehjes. Askush nuk duhet të kërcënohet apo lëndohet për shkak të asaj që shkruan. I uroj shërim të shpejtë”.
PRESIDENTI FRANCEZ EMMANUEL MACRON:
"Për 33 vjet, Salman Rushdie ka mishëruar lirinë dhe luftën kundër obskurantizmit. Beteja e tij është e jona, një betejë universale. Më shumë se kurrë sot, ne qëndrojmë pranë tij".
JAKE SULLIVAN, KËSHILLTAR I SIGURISË KOMBËTARE I PRESIDENTIT JOE BIDEN:
“Sot vendi dhe bota ishin dëshmitarë të një sulmi të neveritshëm kundër shkrimtarit Salman Rushdie. Ky akt dhune është i tmerrshëm. Të gjithë ne në administratën Biden-Harris lutemi për shërimin e tij të shpejtë. U jemi mirënjohës qytetarëve të mirë dhe ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë që e ndihmuan z. Rushdie aq shpejt pas sulmit, si edhe agjencive të zbatimit të ligjit për punën e shpejtë dhe efektive”.
SENATORI CHUCK SCHUMER I NJU JORKUT:
"Ky sulm është tronditës dhe i tmerrshëm. Është një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit, të cilat janë dy vlerat bazë të vendit tonë dhe të institucionit Chautauqua. Shpresoj që zoti Rushdie të shërohet plotësisht dhe autori të përballet me përgjegjësi dhe drejtësi të plotë".
JOSEP BORRELL, SHEFI I POLITIKËS SË JASHTME TË BASHKIMIT EVROPIAN
“E dënoj me forcë sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie. Denoncimi ndërkombëtar i veprimeve të tilla kriminale, të cilat shkelin të drejtat dhe liritë themelore, është e vetmja rrugë drejt një bote më të mirë dhe më paqësore"./ Marrë nga VOA
Lajmi kryesor: