New York/ U qëllua mbi 10 herë me thikë, shkrimtari i njohur Salman Ruzhdie del nga intubimi

New York/ U qëllua mbi 10 herë me thikë, shkrimtari i njohur Salman Ruzhdie del nga intubimi

Salman Rushdie

Dy ditë pasi u godit me thikë shkrimtari Salman Rushdie ka lënë intubimin dhe tashmë është në gjendje më të mirë shëndetësore. Ndonëse ende autoritet shëndetësore nuk ka kanë dhënë detaje për gjendjen e tij, miqtë e Rushdie kanë postuar disa statuse në rrjetet sociale, në të cilat thuhet se shkrimtari tashmë është më mirë dhe është në gjendje që të flasë.

Rushdie, 75 vjeç, u sulmua teksa po mbante një fjalim në Nju Jorku. Ai ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, madje ishte raportuar se mund të humbte shikimin në njërin sy, por kjo ende nuk është konfirmuar.

Policia e Nju Jorkut ka identifikuar autorin e dyshuar, Hadi Matar, 24-vjeç nga Fairview, Nju Xhersi, i cili kishte blerë një biletë për të ndjekur leksionin e autorit në Institutin Chautauqua. Ai ka dalë në podim dhe ka ka goditur me thikë shkrimtarin me origjinë indiane të paktën 10 herë, në fytyrë, qafë dhe bark.

Ende nuk dihet shkaku i sulmit. Pas ngjarjes, gazeta e linjës radikale Kayhan, kryeredaktori i të cilës emërohet nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, shkroi: “Një mijë bravo… për njeriun e guximshëm dhe të përgjegjshëm që sulmoi të ligun Salman Rushdie në Nju Jork. Dora e njeriut që grisi qafën e armikut të Zotit duhet puthur”.

Udhëheqësi i revolucionit islamik të Iranit në vitin 1979, Ayatollah Ruhollah Khomeini, nxori një dekret fetar në vitin 1989 që u bënte thirrje myslimanëve në mbarë botën të vrisnin autorin me origjinë indiane pasi libri i tij u konsiderua si blasfemi, duke e detyruar Salman-in që të qëndronte prej vitesh i fshehur.

Shkrimtari me origjinë indiane, Salman Rushdie është kërcënuar me vdekje për shkak të punës së tij gjatë një karriere letrare prej pesë dekadash. Shumë nga librat e 75-vjeçarit kanë qenë të suksesshëm, me romanin e tij të dytë, ‘Midnight’s Children’, që fitoi çmimin Booker në 1981. Por ishte pikërisht romani i tij i katërt, ‘Vargjet Satanike’ (The Satanic Verses), i botuar në 1988, që u bë vepra e tij më e diskutueshme, duke sjellë trazira e me shumë mundësi edhe plagosjen rëndë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:52
Shkrimtari u sulmua me thikë në New York, flet i biri: Është ende në gjendje kritike, por ka sens humori dhe guxim

1660506893_okkii.JPG

Salman Rushdie është ende në një gjendje kritike, por vijon të ketë ndjenjën e tij të zakonshme të guximshme dhe sfiduese e humorit”, tha djali i shkrimtarit që u sulmua”, tha djali i shkrimtarit që u sulmua një ditë më parë.

Zafar Rushdie tha se babai i tij kishte pësuar lëndime të rënda, por ishte në gjendje të fliste me familjen e tij. Familja u lehtësua kur doli nga intubimi pasi është në gjendje të thojë disa fjalë.

Rushdie, 75 vjeç, mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me thikë teksa po fliste në një auditor universiteti në shtetin e Neë Jorkut.

Ai është përballur me vite të tëra me kërcënime me vdekje për romanin e tij Vargjet Satanike, të cilin myslimanët e shohin si blasfemi.

Ora 10:28
Bota letrare dhe politike dënon me forcë sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie

1660465925_Screenshot1.jpg

Sulmi me thikë ndaj shkrimtarit Salman Rushdie, u dënua nga shkrimtarë dhe politikanë në mbarë botën si një sulm ndaj lirisë së shprehjes.

SUZANNE NOSSEL, SHEFE EKZEKUTIVE E ORGANIZATËS PËR LIRINE E SHPREHJES “PEN AMERICA”:

"Nuk kujtojmë asnjë incident të ngjashëm ndaj një shkrimtari në tokën amerikane. Vetëm disa orë para sulmit, të premten në mëngjes, Salman më kishte dërguar email për të ndihmuar me sistemimin e shkrimtarëve ukrainas që kanë nevojë për strehë të sigurt nga rreziqet e rënda me të cilat përballen. Salman Rushdie ka qenë në shënjestër për fjalët e tij për dekada, por kurrë nuk është zmbrapsur e as nuk është lëkundur. Ai i ka kushtuar energji të palodhshme ndihmës për të tjerët që janë të pambrojtur dhe të kërcënuar."

BOTUESI NORVEGJEZ WILLIAM NYGAARD, I CILI U QËLLUAR DHE U PLAGOS RËNDË NË VITIN 1993 PAS PUBLIKIMIT TË VEPRËS SË SHKRIMTARIT RUSHDIE:

"Rushdie ka paguar një çmim të lartë. Ai është një shkrimtar i madh që ka një rol me peshë për letërsinë."

Bota letrare dhe politike dënon me forcë sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie

"Ky sulm i tmerrshëm ndaj mikut tim të dashur Salman përfaqëson një sulm ndaj lirisë së mendimit dhe fjalës. Këto janë liritë që mbështesin të gjitha të drejtat dhe liritë tona. Salmani ka qenë një mbrojtës frymëzues për shkrimtarët dhe gazetarët e persekutuar në mbarë botën. Ai është një shpirt i zjarrtë dhe bujar, një njeri me talent dhe guxim të jashtëzakonshëm dhe ai nuk do të zmbrapset."

BURHAN SONMEZ, SHKRIMTAR, PRESIDENT I ORGANIZATËS LETRARE PEN INTERNATIONAL:

"PEN International e dënon fuqimisht sulmin brutal ndaj (shkrimtarit) Salman Rushdie. Salmani është një autor i nderuar dhe i famshëm dhe anëtar i vlefshëm i komunitetit të PEN, i cili është përballur me kërcënime për veprën e tij për vite me radhë. Askush nuk duhet të vihet në shënjestër, aq më pak të sulmohet, për shkak të shprehjes paqësore të pikëpamjeve të tyre. I urojmë mikut tonë të dashur shërim të shpejtë. Mendimet tona janë me të dhe familjen e tij."

TASLIMA NASREEN, SHKRIMTARE NGA BANGLADESHI QË KA VENDIN, PASI NJË GJYKATË THA SE KISHTE LËNDUAR NDIJENJAT FETARE TË MYSLIMANËVE ME ROMANIN E SAJ 'LAJJA' ('TURP'):

"Sapo mësova se Salman Rushdie u sulmua në Nju Jork. Jam vërtet e tronditur. Nuk e kisha menduar kurrë se do të ndodhte një gjë e tillë. Ai jeton në Perëndim dhe është i mbrojtur që nga viti 1989. Nëse sulmohet ai, kushdo që është kritik ndaj Islamit mund të sulmohet. Jam e shqetësuar."

KHALED HOSSEINI, SHKRIMTAR:

"Jam tmerrësisht i tronditur nga sulmi prej frikacakësh ndaj shkrimtarit Salman Rushdie. Lutem për shërimin e tij. Ai është një zë i domosdoshëm dhe nuk mund të heshtet".

KRYEMINISTRI I MBRETËRISË SË BASHKUAR, BORIS JOHNSON:

"I indinjuar që Sir Salman Rushdie u godit me thikë gjatë ushtrimit të një të drejte që nuk duhet të ndalojmë kurrë së mbrojturi. Mendimet e mia janë me të dashurit e tij. Të gjithë shpresojmë që ai të bëhet mirë ."

KRYEMINISTRI KANADEZ JUSTIN TRUDEAU:

“Sulmi ndaj autorit Salman Rushdie është një goditje ndaj lirisë së shprehjes. Askush nuk duhet të kërcënohet apo lëndohet për shkak të asaj që shkruan. I uroj shërim të shpejtë”.

PRESIDENTI FRANCEZ EMMANUEL MACRON:

"Për 33 vjet, Salman Rushdie ka mishëruar lirinë dhe luftën kundër obskurantizmit. Beteja e tij është e jona, një betejë universale. Më shumë se kurrë sot, ne qëndrojmë pranë tij".

JAKE SULLIVAN, KËSHILLTAR I SIGURISË KOMBËTARE I PRESIDENTIT JOE BIDEN:

“Sot vendi dhe bota ishin dëshmitarë të një sulmi të neveritshëm kundër shkrimtarit Salman Rushdie. Ky akt dhune është i tmerrshëm. Të gjithë ne në administratën Biden-Harris lutemi për shërimin e tij të shpejtë. U jemi mirënjohës qytetarëve të mirë dhe ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë që e ndihmuan z. Rushdie aq shpejt pas sulmit, si edhe agjencive të zbatimit të ligjit për punën e shpejtë dhe efektive”.

SENATORI CHUCK SCHUMER I NJU JORKUT:

"Ky sulm është tronditës dhe i tmerrshëm. Është një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit, të cilat janë dy vlerat bazë të vendit tonë dhe të institucionit Chautauqua. Shpresoj që zoti Rushdie të shërohet plotësisht dhe autori të përballet me përgjegjësi dhe drejtësi të plotë".

JOSEP BORRELL, SHEFI I POLITIKËS SË JASHTME TË BASHKIMIT EVROPIAN

“E dënoj me forcë sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie. Denoncimi ndërkombëtar i veprimeve të tilla kriminale, të cilat shkelin të drejtat dhe liritë themelore, është e vetmja rrugë drejt një bote më të mirë dhe më paqësore"./ Marrë nga VOA

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja